Pas zgjedhjeve nis beteja për pushtetin – Baraliu tregon skenarët kushtetues
Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, vendi hyn në një proces të rëndësishëm kushtetues dhe politik për formimin e institucioneve të reja.
Konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe Presidentit konsiderohen hapat kyç për funksionimin e shtetit, ndërsa sigurimi i shumicës parlamentare prej 61 deputetësh mbetet faktori vendimtar për krijimin e pushtetit të ri.
Njohësit e çështjeve kushtetuese paralajmërojnë se mungesa e marrëveshjeve politike mund të sjellë bllokadë institucionale dhe, në rast të dështimit për krijimin e shumicës, vendi mund të përballet edhe me zgjedhje të reja.
Njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu, ka shpjeguar procedurat që pasojnë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, duke thënë se prioritet i institucioneve të reja duhet të jetë zgjedhja e presidentit, për shkak të afateve kushtetuese.
Sipas Baraliut, pas certifikimit të rezultateve, lista e kandidatëve që kanë siguruar votat e nevojshme për t’u bërë deputetë i dërgohet Kuvendit. Më pas, brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh, presidentja në detyrë duhet të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Në rast se kjo nuk ndodh, deputetët mund të ndërmarrin vetë iniciativën për mbajtjen e saj.
‘’ Pasi të certifikohen rezultatet dërgohet lista e kandidatëve për deputetët që kanë marrë vota të mjaftueshme për të qenë deputetë në kuvend , kuvendi përgatit afatet e caktuara me ligj dhe kushtetutë brenda 30 ditësh duhet të thirret mbledhja konstituive nga presidentja në detyrë , nëse ajo nuk e bën e bëjnë deputetët me vetë iniciativë’’, tha Baraliu për FrontOnline.
Baraliu ka sqaruar se seanca e parë përfshin verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve, ndërsa më pas duhet të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Pas konstituimit të Kuvendit, formohen edhe grupet parlamentare.
‘’Në seancën e parë bëhet verifikimi i mandateve dhe betimi i deputetëve pastaj do duhej të pasojë propozime për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe kryesisë , pasi bëhet kjo konstituiohen edhe grupet parlamentare deklarohen nga partitë politike dhe konstituohen dhe kjo është e tëra’’, deklaroi Baraliu.
Baraliu vlerëson se në rrethanat aktuale prioritet duhet të jetë zgjedhja e presidentit, duke pasur parasysh afatin kushtetues prej 60 ditësh. Sipas tij, mandati për formimin e ekzekutivit fillimisht i takon fituesit të zgjedhjeve, ndërsa nëse ai dështon, mund t’i jepet një subjekti tjetër politik.
‘’ Në këtë rast ne do të duhej të kishim prioritet zgjedhjen e presidentit para qeverisë sepse kemi afatin e kufizuar 60 ditë dhe më vonë qeveria natyrisht , caktohet mandatari i fituesit të zgjedhjeve nëse ai herën e parë nuk mundet herën e dytë i jepet dikujt tjetër dhe së dyti dhe kështu formohet’’, tha profesori Baraliu
Baraliu ka paralajmëruar se një bllokadë e re institucionale do të ishte goditje e rëndë për klasën politike mirëpo tha se nuk beson se kjo do të ndodhë duke pasur parasysh se votuesit I kanë bojkotuar fuqishëm këto zgjedhje të parakohshsme.
“Nëse ka përsëri bllokadë institucionale, ai do të ishte fundi i kësaj klase politike në aspektin e përgjegjësive që ka. Nuk besoj se do të ndodhë kjo, sepse e kanë parë se votuesit i kanë bojkotuar seriozisht këto zgjedhje dhe duhet ta kuptojnë mesazhin, të mos bëjnë lojëra politike, por të formojnë institucionet”, ka përfunduar Baraliu.


