FIDANISHTJA

Dy hyrjet kryesore të Gjilanit, simbol i projekteve të zvarritura: Qytetarët të lodhur nga premtimet, kërkojnë vepra konkrete

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Nëse ekziston një pasqyrë që reflekton më së miri pakënaqësinë qytetare ndaj ritmit të zhvillimit infrastrukturor në Gjilan, atëherë ato janë dy nyjet kryesore hyrëse të qytetit: rrethi në aksin Gjilan-Bujanoc dhe segmenti i njohur si “Rruga e Prishtinës”. Të dyja projektet, të konsideruara me rëndësi strategjike për qarkullimin, zhvillimin ekonomik dhe imazhin urban të qytetit, vazhdojnë të mbeten të papërfunduara, duke u kthyer në simbol të premtimeve të përsëritura dhe afateve të pafundme.

Qytetarët e Gjilanit shprehen gjithnjë e më të zhgënjyer me mënyrën se si janë menaxhuar këto projekte ndër vite.

Sipas tyre, investimet infrastrukturore po shndërrohen në tema të fushatave politike, ndërsa realizimi konkret mbetet larg pritjeve të komunitetit.

Një nga rastet më të përfolura është rrethi në hyrje të Gjilanit nga drejtimi i Bujanocit, në segmentin që lidh qytetin me fshatin Malishevë. Ndonëse projekti është përmendur vazhdimisht që nga viti 2022, qytetarët thonë se deri më sot nuk kanë parë rezultate që korrespondojnë me premtimet e dhëna.

Për banorët e kësaj ane, kjo nyje rrugore nuk është vetëm një investim lokal. Ajo përfaqëson një pikë të rëndësishme komunikimi për mijëra qytetarë, biznese, nxënës, studentë dhe mërgimtarë që lëvizin çdo ditë në këtë drejtim. Pikërisht për këtë arsye, zvarritja e projektit po shihet si mungesë serioziteti institucional ndaj nevojave reale të qytetarëve.

Hidromorava

Në të njëjtën kohë, as “Rruga e Prishtinës”, hyrja dhe dalja kryesore e Gjilanit drejt kryeqytetit, nuk paraqet një tablo më të mirë. Projekti që kishte nisur vite më parë vazhdon të mbetet i papërfunduar, ndërsa segmenti rrugor karakterizohet nga punime të ndërprera, puseta të hapura dhe infrastrukturë e lënë përgjysmë.

Qytetarët vlerësojnë se kjo rrugë është një nga arteriet më të rëndësishme të Anamoravës dhe se gjendja aktuale jo vetëm që krijon vështirësi në qarkullim, por cenon edhe sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.

“Gjilani nuk ka nevojë për premtime të reja, por për përfundimin e projekteve që janë nisur prej vitesh. Qytetarët janë lodhur duke dëgjuar afate dhe arsyetime. Ata kërkojnë rezultate konkrete”, shprehen banorë të zonave përreth.

Njohës të zhvillimeve lokale vlerësojnë se vonesat e shumta kanë krijuar perceptimin se një pjesë e projekteve infrastrukturore aktivizohen vetëm në periudha zgjedhore, ndërsa pas përfundimit të tyre ritmi i punimeve bie ndjeshëm. Ky perceptim, sipas tyre, po ndikon drejtpërdrejt në nivelin e besimit që qytetarët kanë ndaj institucioneve.

Ndërkohë, qytetarët e Gjilanit vazhdojnë të presin jo deklarata të reja, por makineri në terren, afate të qarta dhe realizim konkret të projekteve që prej kohësh konsiderohen jetike për qytetin. Deri atëherë, rrethi i Malishevës dhe “Rruga e Prishtinës” mbeten dy shembuj të dukshëm të projekteve të nisura, por ende të papërfunduara, në një qytet që kërkon më shumë zhvillim dhe më pak premtime./rajonipress/