Mobi Casa

Sistemi i drejtësisë, i kapur nga politika dhe nëntoka kriminale

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Sipas bindjes së analistëve politikë dhe njohësve të sistemit të drejtë- sisë në Kosovës, të cilët po e shohin dhe denoncojnë vazhdimisht futjen e shoqërisë dhe të institucioneve në krim të organizuar dhe në korrupsion, ilaçi i vetëm për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin do të jetë vetëm një ligj VETTING-u kosovar, ku do të futet pastrimi dhe dekriminalizimi i gjithë institucioneve të sundimit të ligjit, policisë, prokurorisë e gjyqësisë përmes të cilave do të dekriminalizohej edhe politika.

Përndryshe, as që mund të pritet drejtësi në këtë vend, derisa akoma prokurorët blihen, shantazhohen, frikohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara politike dhe kriminale, duke u bërë pjesë e krimit të organizuar.

Mirëpo, ky proces nuk mund të fillohet dhe të vihet në rend dite pa presionin ndërkombëtar, pasi kjo klasë politike, pozitë dhe opozitë, sikur edhe Qeveria përmes Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të duhej të bëjë ligjin për VETTING-un, po anashkalon problemet më të mëdha në këtë vend, e që janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe po merret me zënka politike, për të krijuar lajme të ditës dhe për të hequr fokusin e qytetarëve nga problemet reale, e që në atë listë prin edhe inkriminimi i drejtësisë, politikës dhe institucioneve të shtetit me nëntokën kriminale. Njohësi i sundimit të ligjit Naim Miftari thotë se VETTING-u duhet të shoqërohet edhe me Ligjin antimafia. “Vetting-u nuk mund të bëjë përmirësime, nëse nuk bëhet edhe Ligji antimafia, konfiskimi i të gjitha pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme. Pastaj, ndalimi i marrjes me politikë dhe ndalimi i punësimit në organet shtetërore njerëzve dhe politikanëve që u vërtetohet se kanë qenë pjesë e krimit të organizuar apo të korruptuar. Por, siç shihet, puna dhe vullneti i politikanëve të sotëm nuk është që të ketë fare VETTING në Kosovë, pasi, sipas tyre, Kosova është parajsë e drejtësisë. Dhe, as ministri i Drejtësisë, i cili është 100% ministër politik i PDK-së, nuk është i interesuar që të ketë një VETTING serioz dhe gjithëpërfshirës”, theksoi ai për “Kosova Sot”.

Reforma e munguar

Edhe eksperti i fushës së të drejtës, Mazllum Baraliu, konsideron se Kosovës i duhet një reformim i thellë i sistemit të drejtësisë, qoftë edhe si model VETTING-u kosovar, që do të përfshinte të gjitha institucionet, edhe vetë politikën.

Ai madje konstaton se sidomos Sistemi i drejtësisë nuk ka pësuar asnjë ndryshim në aspektin pozitiv të reformimit që kur është instaluar nga UNMIK-u.”Sistemi gjyqësor dhe ai i drejtësisë nuk janë transformuar, reformuar dhe as konsoliduar në kuptim të funksionimit në frymën dhe kornizat e Kushtetutës dhe ligjeve tona pozitive. Po ashtu, është e vërtetë aksiomatike se as administrimi ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara dhe BE-ja dhe as misionet e tyre të kinse drejtësisë; ashtu sikurse as përpjekjet, sa modeste dhe të pamjaftuara, aq edhe të dëmshme dhe të gabuara të institucioneve dhe qeverisjeve tona të gjertanishme, nuk ia dolën as përafërsisht ta stabilizojnë dhe ta avancojnë drejtësinë te ne si një sistem i mirëfilltë nacional-shtetëror dhe mbi të gjitha demokratik dhe bashkëkohor; pra ta rrisin në një nivel funksional dhe të pranueshëm për të gjithë”, vijoi më tutje ai. “Edhe koalicioni aktual qeverisës nuk ka dëshmuar deri tani se ka strategji, madje as vullnet të mjaftueshëm për të dalë nga kjo gjendje e një drejtësie të ndikuar, të patransformuar dhe të papërgatitur për sfidat e dekadës e jo më të mijëvjeçarit, siç do të duhej mbase planifikuar dhe bërë realitet të prekshëm zhvillimor. Në vend se ky koalicion qeveritar të stimulonte më shumë dhe më parë ata që janë shtyllë mbajtëse e shtetit -administratën, por edhe ekonominë dhe sferën e drejtësisë sociale, ata rritën pagat joproporcionalisht”, tha prof. Baraliu për “Kosova Sot”.

PRETENI: SHTETI PO UDHËHIQET ME VENDIME KRYESISHT JOLIGJORE

RCCOLA

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës, Hasan Preteni, vlerëson se nuk mund të ketë sundim ligji dhe as VETTING të mirëfilltë pa ristrukturim të plotë të sistemit. “Institucionet e shtetit kanë për obligim që t’i ndërmarrin të gjitha masat që ta bëjnë këtë shtet funksional, efikas dhe të besueshëm për të gjithë. Janë stërngarkuar me kuadro, janë mbushur me militantë, merren më pak me ndryshimin e legjislacionit, por shtetin janë duke e udhëhequr me vendime kryesisht joligjore. Është e pajustifikueshme edhe heshtja, edhe mosreagimi i opozitës, shoqërisë civile dhe publikut në tërësi. Nuk e shoh asnjë segment që është duke lëvizur sipas nevojave të kohës. Mungesa e vullnetit politik është bazike, e më pastaj me efektin domino do të lëvizin edhe gjërat e tjera.Transparencë dhe llogaridhënie duhet të ketë nga të gjithë dhe për të gjithë”, potencoi ai për “Kosova Sot”.

KAPITI: PADREJTËSIA KA PLLAKOSUR POLITIKËN, DREJTËSINË DHE INSTITUCIONET E KOSOVËS

Analisti politik Skënder Kapiti thotë se padrejtësia që ka pllakosur politikën, drejtësinë dhe institucionet e Kosovës është shumë më e rëndë sesa tradhtia.”Pra, duhet patjetër një Reformë në Drejtësi, duhet VETTING-u për të “vrarë” tradhtinë, për ta çrrënjosur korrupsionin dhe krimin e politikës dhe të drejtësisë. Politika e pandershmërisë, e antiligjit dhe e antishtetit duhet të pastrohet njëherë e përgjithmonë nga institucionet dhe nga kultura politike, morale, etike dhe demokratike, të cilave krimi dhe korrupsioni, padrejtësia dhe papërgjegjshmëria ua ka marrë frymën”, u shpreh ai. “Demokracia, ligji, patriotizmi, drejtësia dhe institucionet në Kosovë keq funksionojnë, sepse ato i vë në lëvizje krimi dhe korrupsioni institucional i mirë-organizuar nga korporatokracia e mafio-oligarkisë politike, e drejtësisë, e pushtetit. Pra, më saktë, sistemi politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës është kalbur nga padrejtësia dhe krimi, dhe vetëm VETTINGu do të mundësonte ngritjen e shtetit ligjor dhe do ta vinte në Lëvizje shtetin demokratik dhe ligjor në Kosovë”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Të inkriminuarit të largohen

Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se vetëm një VETTING gjithëpërfshirës, i udhëhequr nga FBI-ja, mund të largojë kokat e inkriminuara nga sistemi i drejtësisë dhe politikës, nga Parlamenti, nga Qeveria dhe Presidenca. “I kaluam 10 vjet në shtetin e pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht pa arrestimin e asnjë bosi të nivelit të lartë nga politika dhe nëntoka kriminale. Në shtetin e zhytur në krim dhe korrupsion nuk ka shans të arrestohet e lërë më të gjykohet e të dënohet asnjë ‘peshk i madh’ nga këta prokurorë dhe gjyqtarë të kapur nga krerët e politikës dhe nëntokës kriminale. Ndodh pikërisht kështu, pasi njerëzit që duhet të ndajnë drejtësi, ata që do të duhej të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin janë bërë pjesë përbërëse e kriminelëve, respektivisht bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë janë me ta, janë bërë suporti më i madh i bosëve të nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit”, u shpreh ai. Sipas tij, fillimi i një VETTING-u gjithëpërfshirës, të udhëhequr nga FBIja amerikane, mbetet e vetmja shpresë për kthim të normalitetit në sistemin e drejtësisë dhe qeverisjes vendore. “Partitë politike të inkriminuara me krimin e organizuar duket sikur kanë një konsensus për të heshtur anti-VETTING-un. Prandaj, nuk u pëlqen dhe nuk e duan një Gjyqësor e Prokurori të pavarur, me etikë dhe integritet profesional, dhe të pandikuar nga politika”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”. “Pushtetarët do t’ia kenë frikën ligjit vetëm atëherë kur të pastrohet sistemi i drejtësisë nga të inkriminuarit, dhe emërimi në vend të tyre i prokurorëve dhe gjyqtarëve me etikë (duar të pastra) dhe integritet profesional”, potencoi ai. Zeqa shton se patjetër në ligjin për VETTING-un kosovar duhet të futet pastrimi dhe dekriminalizimi i të gjitha institucioneve të sundimit të ligjit, policisë, prokurorisë e gjyqësisë përmes të cilave do të dekriminalizohej më lehtë edhe politika. Qeveria e Kosovës e as ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer dje përgjigje në pyetjet e dërguara.

(Kosova Sot)