Fundamenti

Humolli braktisë LVV-në: Kurti më futi në konflikt me shumë bashkëluftëtarë

/ 2 minuta lexim

Deputeti Fatmir Humolli ka thënë se ekziston mundësi që të krijohet një grup i ri parlamentar me të larguarit nga LVV.

Prej fillimit të mandatit të kësaj legjislature, nga grupi i VV-së janë larguar tri persona. Haki Abazi dhe Fatmir Humolli u larguan së fundi dhe janë të pavarur, ndërsa Doarsa Kica Xhelili i është bashkuar LDK-së.

Humolli e pranon se si deputet i vetëm je i pafuqishëm, ndërsa shton se me Abazin kanë të përbashkëta.

“Si individ je i pafuqishëm. Nuk mund të japësh më shumë. Ka nevojë për krijimin e një grupi. Por nuk mund t’i them askujt hajde, pa qenë ai i vetëdijshëm që po i bashkojmë fuqitë. Ai që do mu bashku me mu, e di se nuk kemi rrugë të lehtë”.

Fidanishtja

“Me Hakiun kemi të përbashkëta, ka njohuri në politikën e jashtme. Ai njeh disa gjëra, unë disa. Unë e njoh sigurinë si mund të frymojë”, tha ai në emisionin Pressing në T7.

Humolli theksoi se çështjet, sikur ajo e veteranëve dhe punëtorëve të arsimit, kanë mundur të zgjidhen shumë lehtë dhe pa arrogancë pasi që këto grupe kanë qenë për ardhjen në pushtet te VV-së me shpresën për gjetje të zgjidhjeve të problemeve të tyre.

“Kërkesa e dytë ka qenë që të mos krijohen acarime në shoqërinë tonë. Të mos ketë konflikte. Kam thënë se arroganca dhe vendosmëria nuk kanë të përbashkët asgjë. Mund të jesh i vendosur, por jo arrogant. Qeveria është sjellë me arrogancë me mekanizmat që ndërtojnë shoqërinë tonë. E kemi çështjen e veteranëve. Na ka futur në konflikt. Për shembull mua, më ka futur në konflikt me shumë persona bashkë me të cilët kam luftuar. Konflikti me veteranët ka qenë i panevojshëm. Me punëtorët e arsimit ka qenë i panevojshëm. Edhe me punëtorët e sektorëve të ndryshme. Këto grupe kanë pritur nga VV-ja”, përfundoi ai.