Shumë armë, pak vrasje

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Zvicra ka një nga normat më të larta në botë të pronësisë së armëve të zjarrit, por ka shumë pak krim rruge të kryer me armë. Kështu, kundërshtarët e planeve për kontrollin e armëve e lavdërojnë Zvicrën si vendi ku armët e zjarrit luajnë rol pozitiv në shoqëri. Megjithatë, kultura e armëve në Zvicër është unike dhe pajisja me armë është shumë më e mbikëqyrur nga sa imagjinohet.

Gjatë sulmit, Anne Ithen i mbajti sytë e mbyllur. “Unë nuk desha ta shihja se çfarë po ndodhte. Nuk doja që ato pamje të mbeteshin në kokën time për pjesën tjetër të jetës, por megjithatë mbaj mend gjithçka, çdo detaj”, thotë ajo. “Nëntëdhjetë plumba u qëlluan dhe natyrisht pati edhe një bombë artizanale – një ferr i vërtetë”.

Ajo ul kokën ngadalë, ndërsa rikthen mendjen e saj te salla e mbledhjeve të kantonit Zug në mbrëmjen e 27 shtatorit 2001, ku ajo po drejtonte takimin e këshillit. Ajo mban mend se dëgjoi një shpërthim të zhurmshëm dhe gabimisht mendoi se mos ndokush aksidentalisht kishte rrëzuar tryezën e kafesë në korridor.

Pastaj dera u hap me rrëmbim dhe ajo pa Freidrich Leibacher, një banor të zonës, i veshur me rroba policie dhe i mbingarkuar me armatime.

“E kuptova menjëherë se çfarë do të ndodhte”, thotë ajo.

Leibacher, i cili pati një mosmarrëveshje me këshillin e kantonit Zug, vrau 14 vetë dhe plagosi 18 të tjerë, para se t’ia drejtonte armën vetes.

“Gjithë ajo zhurmë”, thotë Anne me ngurrim ndërsa sytë e saj mbyllen. “Dhe gjithashtu aq shumë qetësi, ndërsa njerëzit u fshehën apo pretenduan se kishin vdekur. Mbaj mend mirë heshtjen dhe mallkimet e tij dhe thjesht zhurmën e çizmeve të tij nëpër dhomë”.

Anne Ithen u qëllua tri herë në kurriz, në ijë dhe në bark.

“E dija se kisha mbetur e paralizuar”, thotë ajo në mënyrë faktike. “E ke parasysh, unë nuk i ndjeva dy goditjet e tjera, por goditjen që pësova në shtyllë kurrizore e ndjeva ndërsa hyri në mushkëritë e mia. Unë nuk merrja dot frymë dhe me të vërtetë, pata frikë se do të vdisja nga mungesa e oksigjenit. Në fund, dikush bërtiti, ‘mbaroi!’… çfarëdo që të ishte, mbaroi”.

Anne tashmë është para-plegjike. Ajo humbi dy të tretat e stomakut të saj, një veshkë dhe një copë të madhe zorre. Ajo ka thjesht admirim për skuadrën e kirurgëve që arriti t’i shpëtojë jetën.

“Atyre iu desh të ishin shumë krijues. Ishte e vështirë të mblidhje një trup funksional nga copat që patën mbetur”.

Në shkurt 2011, ajo votoi në favor në një referendum ku kërkohej që të gjitha armët e zjarrit të milicive të magazinoheshin në arsenale publike dhe që të krijohej një regjistër kombëtar i armëve. Por 56.3 për qind e votuesve e kundërshtuan këtë ide.

Fundamenti

Muajin e kaluar, në fshatin frëngjisht folës Daillon, 100 kilometra larg Gjenevës, një njeri me shqetësime psikologjike hapi zjarr mbi banorët vendës, duke vrarë tre njerëz dhe duke plagosur dy të tjerë. Policia ia kishte konfiskuar një herë atij armën në vitin 2005, pasi ishte vendosur nën përkujdesje psikiatrike.

Në mënyrë të pashmangshme, veprimet e tij sollën një valë të re debati mbi ligjet relativisht liberale të posedimit të armëve në këtë vend.

Sipas organizatës me bazë në Gjenevë, “Vrojtimi mbi Armët e Lehta”, ka rreth 89 armë nën pronësi të civilëve për çdo 100 banorë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Zvicra renditet e treta në kuptimin e pronësisë së armëve, me rreth 3.4 milionë armë mes popullatës së saj prej afro 8 milionë banorësh.

Qitja sportive është sport kombëtar shumë popullor, por shumë nga armët e zjarrit në Zvicër janë armatime ushtarake profesionale. Të gjithë burrat zviceranë të shëndetshëm mes moshës 18 dhe 34 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbim ushtarak dhe që të gjithë pajisen me një automatik apo një pistoletë, të cilën e marrin me vete në shtëpi në fund të shërbimit. Njëzet vjet më parë, milicia e Zvicrës ishte një forcë shumë e madhe me mbi 600 mijë ushtarë. Sot ka vetëm një të tretën e këtij numri, por deri pak kohë më parë, shumica e ish-ushtarëve pëlqenin të mbanin armët e veta, pasi kishin kryer shërbimin ushtarak, gjë që krijonte një arsenal të stërmadh të fshehur në çati apo në dollapë në shtëpitë e zviceranëve.

Në vitin 2006, kampionia e Zvicrës në ski, Corrinne Rey-Bellet, dhe vëllai i saj u vranë nga ish-bashkëshorti i skiatores, i cili i qëlloi ata me pushkën e tij të vjetër të milicisë para se të vriste edhe veten.

Në Amerikë, në fakt, pronësia e armëve është më së shumti për vetëmbrojtje, ndërsa në Zvicër, ajo është një çështje e sigurisë kombëtare. Për shumë tradicionalistë, një armë në shtëpi është bërë simbol i një Zvicre të pavarur dhe të fuqishme, e cila ka arritur të mbetet jashtë dy Luftërave të mëdha Botërore, ndërkohë që luftimet zhvilloheshin me bollëk përreth saj.

Hermann Suter, zëvendëspresident i grupimit lobues të Zvicrës Pro Tell, zemërohet shumë nga njerëzit që kërkojnë që ushtarët të dorëzojnë armët dhe t’i magazinojnë ato në mënyra të posaçme, pasi përfundojnë shërbimin.

“Është një çështje besimi të ndërsjellë mes shtetit dhe qytetarëve. Qytetari nuk është thjesht një qytetar. Ai është gjithashtu një ushtar”, më thotë ai. “Arma në shtëpi është mënyra më e mirë për të shmangur një diktaturë. Vetëm diktatorët i marrin armët nga qytetarët”.

Por, me gjithë praninë e bollshme të armëve të zjarrit, krimi i rrugës i kryer me armë është jashtëzakonisht i rrallë në Zvicër.

Gjatë një viti këtu, ka vetëm një vrasje me armë për çdo 200 mijë banorë. Në SHBA, kjo shifër është shumë herë më e lartë. Por në Zvicër ka më shumë vrasje brenda familjes dhe vetëvrasje të kryera me armë zjarri se pothuajse në çdo vend tjetër në Evropë, me përjashtim të Finlandës.

Dhuna në rrugë është rritur gjatë viteve të fundit në Zvicër, por nuk ka pasur rritje të dhunës të kryer me armë zjarri.

(BBC)