UBT

Shefik Haliti – pedagog i merituar i kohërave të arsimit shqip

/ 9 minuta lexim

Gjilan – Në nëntor të vitit 2014, gazetari e bashkëpunëtori i Rajonipress, Tefik Selimi, i bëri një shkrim të gjithanshëm profesorit tani të ndjerë Shefik Halitit. Ishte një shkrim që tregonte të gjitha detajet e një pedagogu të urtë, të sinqertë, të zellshëm për punë, dhe mbi të gjitha pedagog i merituar i kohërave të arsimit shqip. Të njëjtin po e ribotojmë sërish si shenjë respekti për kontributin e madh që ka dhënë Shefik Haliti për shumë breza.

E kam më së lehti të shkruaj për profesorin që posedon vepra të mira. Veprat e mira i adhuron secili njeri. Nuk ka njeri që nuk e do të mirën! E mira shpërblehet, vlerësohet, por edhe adhurohet. Pse jo? Ajo është pasqyra e parë e jetës së tij. Njeriu punon për të mbetur emër i përjetshëm. Kjo ia vlen tek akcili njeri i qytetëruar e punëtor.

I tillë është Shefik Haliti, profesor tash në pension nga Gjilani. Ky është njëri nga emrat e përveçëm të punëtorit të zellshëm të jetës shkollore. Ai është pedagog me plot kuptimin e fjalës. Pse jo? Rrallë kund këtij pedagogu ia gjen shokun. Ai kur flet e ka zë butësie. Është optimist, por edhe “rrëfyes” prej urtaku e pedagogu. Por, punën arsimore, ai e konsideron si të shenjtë.

Dhe, shton: “Puna e mësuesit (arsimtarit…) është e shenjtë. Ai (arsimtari) duhet të jetë njeri që ka dashuri të madhe e të flaktë në procesin mësimor. Duhet të jetë shembulli më i mirë në jetën shkollore. S’ka më ndershëm se puna me ditar në dorë! Lum kush e do punën e mësuesit, arsimtarit e profesorit…!”

E, Shefik Haliti është njëri nga ata që ka punuar në procesin mësimor dhe i ka pasur hija e puna prej pedagogut. Ai ishte e është edhe tash i urtë, fjalë pak e punë shumë. Ai është gojë ëmbël, pedant, por edhe punëtor i zellshëm i kohërave të arsimit. Pra, ky profesor është shembull më i mirë se si do të duhej të jetë punëtori ynë i arsimit. Ndonëse, tani e jeton jetën “tjetër”, si pensionist, përkundrazi, ai sot shkëlqen dhe rrezaton para të gjithëve që i ka pasur nxënës, studentë e kolegë të punës e të profesionit.

Shefik Haliti nuk krekoset e as nuk është mendje madh, por as vetjak e egoist etj. Përkundrazi. Ai është shumë njerëzor, afrues, shok i afërt, zemërgjerë, zë pak e dije shumë. Prandaj, ai nuk lavdërohet, por puna e bën të jetë i lavdëruar. Ai është shembull i mirë për të tjerë se si punohet. Këtë profesor (pedagog) e sheh çdo ditë me rroba të pastra e me atë “nuri” të tij plot dritë. Andaj, na rastisi shprehja: “Sa e ëmbël është fjala mësues!”.

Këtë epitet e meriton Shefik Haliti, profesor. Edhe shkollari ynë ka pasur të drejtë kur ka shtuar plot gojë: “Afrohu mësuesi im e ta puthi ballin plot dritë”! Edhe Shefik Haliti, profesor gjilanas, është njëri nga pedagogët e hershëm në komunën e Gjilanit. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme ku punoi e veproi. Nuk ka shkollar, koleg, qytetar që nuk e njohin profesorin Shefik. E njohin dhe flasin vetëm fjalë miradije. Nuk ndalen dhe, kur i përmendet emrin e tij, sikur ndalen dhe përnjëherë shtojnë atë bukuri të fjalisë për profesorin e tyre. Ja si ka shtuar Nuhi Ismajli, profesor dhe studiues i letërsisë, cili, në një rast tha se, profesor Shefiku posedon më të mirën e njeriut, njerëzoren. “Profesor Shefik Haliti ka në vete njerëzoren, dhe është më njerëzori! Unë e kam pasur profesor dhe, sa herë është gjendur para nesh në mësim, ai ka shkëlqyer si mësimdhënës. I ka shkëlqyer puna e tij plot dije e dituri. I tëri ka qenë shembull i pedagogut shembull të arsimit.

Prandaj, pata kënaqësi ta kem këtë pedagog në shkollën e mesme, i cili, tek unë ka lënë mbresa të thella si pedagog e punëtor. Ishte gjithmonë i përgatitur në orën mësimore, por edhe i urtë, zemërgjer e njeri i afërt me të gjithë. Ky pedagog, sa herë kalon rrugës, nuk ndodhë që mos ta përshëndes, sepse e meriton këtë respekt. Pra, është njeri që meriton epitetin e shembulli se si të jetë profesori ynë, sot”. Edhe Nijazi Ramadani, krijues gjilanas, për profesor Shefik Halitin ka shtua se, ky njeri është më i veçantë se të tjerët. “Tek unë shoh njeriun e urtë, pedant, njeri ambicioz, por edhe këshillues, punëtor i drejtë. Lum ai që i ka këto të mira njerëzore e profesionale”! Ilaz Jashari, veteran i arsimit dhe mjaft në moshë, duke shtuar për profesor Sh. Halitin, ka shtuar se, ai e ka një “projekt” të njeriut shumë të dashur e punëtor. “Unë e çmoj dhe e adhuroj personalitetin e tij prej intelektuali. Ky shkëlqen edhe si njeri, por edhe si pedagog tash në pension. E lakmoj punën e jetës së tij…”Ai e ka një jetë “tjetër”, për faktin se, misionin e pedagogut e ka kryer me sukses të merituar. Shefik Haliti është mjaft vital, i cili ngërthen në vete veprimtarinë e pasur hulumtuese e shkencore. Dhe, jo vetëm kaq. Ai u lind më 20 korrik të vitit 1942 në fshatin Muhoc të Bujanocit. Rrjedh nga një familje intelektuale dhe arsimdashëse. Shkollën fillore (semimaturën) e kreu në vendlindje në vitin 1956. Pas tri vite pauze, vazhdoi shkollën e mesme të mësuesisë – Normalen “Skënderbeur” në Gjilan, të cilën e ka mbaruar në vitin shkollor 1964-1965. Po në vitin akademik 1965-1966 regjistrohet në Fakultetin Filozofik, Dega e Pedagogjisë në Prishtinë. Ai diplomoi më 30.VI. 1969, dhe fitoi titullin profesor i lëndës së pedagogjisë.

RCCOLA

Në vitin shkollor 1966-1967 studioi dhe punoi në cilësinë e mësimdhënësit në shkollën fillore “Migjeni“ në fshatin e lindjes, Muhoc. Në vitin 1969 filloi të punojë në shkollën e mesme Normale në Gjilan, e cila shkollë përgatiste kuadro për ciklin e ulët të shkollës fillore prej klasës I-IV. Si kreu shërbimin ushtarak, në Sisak të Kroacisë, Shefik Halitin e gjejmë të punësuar në Shkollën Normale, në të cilën punoi deri në vitin 1975. Siç dihet, në vitin shkollor 1975-1976, në Gjilan, hapet Akademia Pedagogjike, në të cilën punoi në cilësinë e ligjëruesit të lëndëve pedagogjike për katër vite me radhë. Në vitin akademik 1980 – 1981, falë aktivitetit të tij, avancohet me titullin Akademik Profesor i Gruplëndëve Pedagogjike.

Në vitin 1983 magjistroi në Fakultetin Filozofik-Universiteti i Prishtinës në Prishtinë. Në Shkollën e Lartë Pedagogjike “Skënderbeu” punoi deri në vitin 2005. Me hapjen e Fakultetit të Edukimit (2002-2003), me qendër në Gjilan, ai qe i angazhuar në ligjëratat gruplëndët pedagogjike, si: Teori e mësimit, Shkolla dhe familja dhe Arsimi permanent deri në vitin kalendarik 2012. Dy mandate ishte anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës. Njërin mandat ishte (rektor) në kohën e Akademik Gazmend Zajmi, ku në krye të Universitetit ishte Ejup Statovci.

Ai ka ushtruar edhe detyrën e zëvendësdrejtortit dhe drejtorit të Shkollës Lartë Pedagogjike në Gjilan. Detyrën e zëvendësdrejtorit e ushtroi për katër mandate në këto vite kalendarike: nga viti 1975 e gjer në vitin 2000, kurse detyrën e drejtorit e ushtroi nga viti 1994 e gjer në vitin 2005. Ndërsa prej 23. 11. 2007 – 5. 03. 2009, e ka ushtruar detyrën e dekanit në Universitetin privat “Fama“ në Gjilan, në kuadër të cilit funksiononin këto fakultete: Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Psikologjisë.

Shefik Haliti, krahas punës pedagogjike me studentë, ëshë marrë me punë kërkimore – shkencore në fushën e arsimit. Ka botuar një mori punimesh të karakterit teorik dhe praktik, të cilat përkojnë drejtpërdrejti me procesin e mësimdhënies dhe të mësimnxënies. Këto punime i ka të botuara nëpër gazetat dhe revistat në gjuhën shqipe, si janë: “Shkëndija”, “Bota Sot”, “Pavarësia”, “Flaka e vëllazërimit” etj. Deri tashti ka botuar 100 njësi bibliografike. Është recensent i disa teksteve universitare. Është autor i këtyre botimeve të veçanta: “Artikuj të përzgjedhur pedagogjikë”, Prishtinë, 2003; “Zhvillimi i shkollave dhe arsimit në komunën e Gjilanit” (1945 – 1975), Prishtinë, 2004; “Doracak i mësimit praktik për studentë”, Prishtinë, 2004 dhe “Në kërkim të pedagogjisë reformuese”, Gjilan, 2007. Jo vetëm kjo.

Ai vjen nga një mes, i cili ka dhënë shumë intelektualë të fortë të arsimit. Me këtë rast po i përmendim disa emra të njohur, të cilët kanë dalë nga Shkolla fillore “Migjeni” të këtij lokaliteti, komuna e Bujanocit. Me titull Doktor shkence është: Ibrahim Ramadani. Magjistrat e këtij vendi, janë: Shefik Haliti, Merita Haliti – Zejnullahu, Lazim Berisha, Hevzi Ramadani, Avni Islami, Nevzad Shemsedini dhe Arbana Sahiti.

Ndërsa me fakultet janë afro 100 vetë të lëndëve të ndryshme, si: gjuhë shqipe, sociologë, pedagogë, gj. gjermane, psikologë, shkenca informative, gjuhë angleze, matematikë, biologë, kimistë, pediatër, ortopedë sp., kirurgë, mjekë, onkologe sp. histori, edukatë qytetare, juristë, gjuhë frënge, agronomë, ekonomistë, ing, dizajnerë, gjeografë, arsimtarë, arsim. i muzikës, ars. fizikës, bat etj.

Andaj, fshati Muhovc llogaritet si lokaliteti që ka dhënë më së shumti figura të intelektualëve nga shumë fusha të dijes. Pljejada e mësuesve të parë janë këta pishtarë të arsimit shqip: Sabit Haliti, Ali Azemi, Shefket Bekteshi, Ismet Aliu, Gani Ismajli, Sulejman Kadriu, Ferat Ademi e ndonjë tjetër. E, Shefik Haliti është krenar që i takon këtij lokaliteti, i cili ka, në kushte të rënda pune e jete, ka dhënë me qindra mësues, arsimtarë, profesorë, doktorë shkencash, magjistra e profesione të tjera. Ky pishtar i dalluar i arsimit ka bërë edhe punë të recensionisti.

Ai është recensent i disa teksteve të arsimit fillor tek ne. Pra, ky është Shefik Haliti, një figurë e dalluar e arsimit shqip. Në fund i dhuruam një fjalë respekti: “Të lumtë, z. Profesor, Shefik Haliti!”/tefik selimi/rajonipress/