Kuvendi i Komunës së Gjilanit refuzon ta mbajë seancën e fundit për këtë vit pa prezencën e ekzekutivit
Gjilan – Kuvendi i Komunës së Gjilanit, ka refuzuar ta mbajë mbledhjen e sotme, të fundit për këtë vit, pa prezencën e ekzekutivit, i cili në të njëjtën kohë po mbante Bordin e Drejtorëve.
I gjetur në këtë situatë, ku opozita, e cila e ka shumicën në Kuvend, vendosi ta braktis sallën, kryesuesi Kushtrim Kadriu, u detyrua ta mbyllë seancën.
“Në mungesë kuorumi, seanca mbyllet dhe për vazhdimin e saj do të njoftoheni përmes postës elektronike”, tha Kadriu.
Përndryshe, në rend dite të seancës së sotme ishin: propozim vendimi për lirimin e bizneseve nga taka komunale për vitin 2023, plani lokal i veprimit për barazi gjinore 2024-2026, plani i punës i ekipit për të Drejtat e fëmijëve 2024-2026, sikurse edhe plani i punës i Kuvendit për vitin 2024, bashkë me orarin e mbledhjeve të rregullta të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2024, përcaktimi i vlerës së qirasë dhe bonuseve të banimit në dy programe sociale, raporti i Komisionit për dezinfektim, raporti i Komisionit për shqyrtimin e ankesave dhe kërkesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave, raporti i Komisionit për ndarjen e bursave për studentë, propozimi për funksionalizimin e punës së Komiteteve si dhe kërkesa e Hendikosit për krijimin e një nënkodi buxhetor në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë, për nevoja dhe aktivitetet e këtyre shoqatave.