Ripërsëritje e shkrimit, pas 13 vitesh në shenjë të përkujtimit të Xhangyle Ilazi

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Profesoresha, sportistja e humanistja e njohur Xhangyle Jashari-Ilazi me 18 nëntor kishte ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtë. Xhangi sot ka ditëlindjen e saj, por fatkeqësisht nuk arriti ta feston. Në shenjë të kontributit të saj po ripërsërisim një shkrim të 30 dhjetorit të 2009, ku kishim nderin të përshkruajmë jetën e saj. Xhangyle Ilazi: Kosovarja e parë që luajti për Chelsean Stadiumi I “Wembleyt” mbetet ende njëri nga kujtimet më të mira për ish-futbollisten Xhangyle Ilazi.

Tash ka kaluar të 50-at, Ilazi nuk e kishte kundruar këtë stadium nga prizmi i një turisti apo se nga tribunat ka përcjellë një ndeshje futbolli, por se vetë afro 30 vite më parë, ajo aty ka luajtur futboll. Në vitet 70-ta, tash profesoresha e anglishtes në Gjilan,ka mbrojtur ngjyrat e klubit londinez Chelsea dhe se gjatë asaj kohe ka frekuentuar gati të gjitha stadiumet angleze përfshirë edhe stadiumin nacional të Anglisë në Londër “Wembley”. E vërteta është se udhëtimi i Ilazit deri në ishull nuk ishte paramenduar si një shans i ri për tu marrë me sport, ndonëse ajo në vendlindje në Gjilan ishte e njohur si hendbolliste dhe basketbolliste.

Në Londër në fakt ajo kishte vajtur për të ndjekur një specializim të gjuhës angleze. “Në vitet 1972-73, në Londër nisa të merresha me xhudo, meqë një klub të tillë e kisha shumë afër qendrës ku unë kryeja studimet”, nis rrëfimin Ilazi. E pranon edhe sot se ky sport i kishte pëlqyer, por se futbolli e kishte rrëmbyer më me forcë mbase ndikuar nga dashuria e madhe e anglezëve për këtë sport. Përfshirja në një aktivitet sporti për gjilanasen nuk përbënte ndonjë problem, ajo tashmë kishte një bagazh të përgatitjes fizike. “Më pëlqeu xhudoja, madje ende me fanatizëm i ruaj kimonet mirëpo zemra më rrihte për futbollin.

Në sezonin 1974-75 u regjistrova në Chelsea, ishte si në ëndërr, jo vetëm që u ndjeva mirë në këtë lojë, por mu dha shansi të takoja shumë emra të njohur të futbollit anglez”. Për një vit sa kam qëndruar në këtë skuadër kam pasur rastin të luaja në të gjitha stadiumet e njohura angleze, por mbresat më të mira i kam nga stadiumi i “Wembley” Ky stadium është një histori në vete, përveç që njerëzit e mbajnë mend për ndeshje futbolli, ai mbahet mend edhe për spektakle dhe koncerte të njohura muzikore”, rrëfen Xhangyle Ilazi.

Ish-futbollistja flet edhe për fansat e adhuruesve të Chelseat, ajo thotë se me mijëra njerëz në Londër jetonin 24 orë në ditë për këtë klub. “Unë edhe sot kam korrespodencë me disa nga njerëzit që atë botë ishin në klub, është traditë e këtij klubi edhe klubeve tjera angleze që të respektohen njerëzit, nëse aty kanë luajtur vetëm një minutë, ndryshe nga ajo që ndodh te ne, kur je i vlefshëm vetëm për sa kohë djersitesh për një skuadër thotë”, “Xhangi”, nofka me të cilën njihet në qytet. Ajo paslufte ka punuar dhe ende punon për stafin ndërkombëtar. Familja e saj është e njohur si familje me traditë e shkolluar por edhe adhurues të sportit. Edhe vetë ajo ka një të kaluar të bujshme në sport, të gjithë atë e mbajnë mend si hendbolliste, basketbolliste, ndërsa pas kthimit nga Anglia edhe si xhudiste dhe futbolliste. Ajo është e para femër në Anamoravë që ka përfunduar studimet në gjuhën angleze më 1972.

Mobi Casa

Për disa vite ka mbrojtur ngjyrat e klubit të hendbollit Bozhur, që bënte gara edhe në nivele federative, ndërkohë që ka qenë edhe anëtare e reprezentacionit të Kosovës. “Atë botë femra shqiptare nuk e kishte të lehtë të mendonte për aktivitete sportive, mirëpo unë kisha fatin që prindërit e mi kishin një qasje moderne për jetën, më dhanë përkrahje që të luaja hendboll, isha në rang me shumë hendbolliste të Ish-Jugosllavisë, madje kisha oferta për të luajtur jashtë Kosovës, mirëpo unë ndihesha mirë në vendin tim dhe pranë familjes sime”, thotë ajo.

Në mungesë të femrave sportiste, disa nga klubet e femrave kishin mungesë të lojtareve, andaj Xhangi ishte detyruar tu bënte qare sporteve tjera. “Unë luaja hendboll që nga viti 1968, mirëpo kam luajtur edhe basketboll kishte pak femra që merreshin me sport, jo rastësisht klubi i basketbollit Mlladosti shprehu interesim për mua, kështu që ka ndodhur shpesh që të shtunën të luaja hendboll, ndërsa të dielën basketboll dhe anasjelltas”. Xhangyle Ilazi edhe pas përfundimit të karrierës nuk është shkëputur nga sporti, për vite ka qenë pjesë e bordeve udhëheqëse të klubeve të hendbollit dhe të basketbollit Drita.

Mirëpo e pakënaqur me mënyrën e drejtimit të klubeve ka vite që ajo përcjell nga anash “zhvillimin” e tyre. “Jemi dëshmitarë që sporti është globalizuar, në çdo vend të botës është duke u zhvilluar me hapa të shpejtë ndërsa te ne gjendja është alarmante, madje në disa segmente më kujton vitet kur këto sporte sapo ishin promovuar, në vitet 70 hendbolli dhe basketbolli kanë qenë më të organizuar, është për të ardhur keq, nuk u kushtohet fare rëndësi talentëve nëpër shkolla fillore dhe të mesme, klubet janë shëndrruar në biznese të egra dhe nuk monitorojnë fare talented, në Evropë talentët zbulohen nga mosha 7-vjeçare”.

Ajo është kundër arsyetimeve që përdoren tash, kinse faza e transicionit po pengon zhvillimin e sportit. “Ka shumë vende që kanë kaluar nëpër fazën e transicionit, mirëpo atje sporti jo që nuk ka ngecur, por është i krahasueshëm me vendet më të zhvilluara të Evropës, ne nuk mund të ankohemi për mungesë të talentëve, Kosova ka rini të mrekullueshme mirëpo nuk ka kuadro që mund të nxjerrin më të mirën nga ta”.

Xhangyle Ilazi është e martuar dhe ka tre fëmijë, bashkëshorti i saj Bashkimi, ka qenë po ashtu dikur futbollist i vlerësuar, ka luajtur mbrojtës te Cervena Zvezda të Gjilanit. “Kam një familje të shëndoshë me edukatë dhe të shkolluar, kjo më bën krenar, familja është gjëja më e shenjtë në jetë për mua”, u shpreh ajo./rajonipress/