UBT

Qosja, Kadaresë: Vazhdo të jesh shkrimtar politikan

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Akademik Rexhep Qosja, përpos shumë romaneve e studimeve, kohët e fundit i ka botuar edhe shtatë vëllime të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, në të cilët ka mbajtur shënime individuale, familjare, për ngjarje, për persona, për personalitete, për festivale, për tradhtarë e kombëtarë, për luftëra e për liri, edhe për shumë vepra artistike, kryesisht për ato që i ka lexuar e të cilat dikur kanë bërë jehon të madhe jo vetëm në trojet shqiptare.

Ka mbajtur shënime dhe ka dhënë kritika edhe për pjesën më të madhe të veprave të Ismail Kadaresë, veçan për “Dasmën” dhe “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” të tij. Me këtë rast, po jua sjellim tri shënime të akademik Rexhep Qosjes të botuara në vëllimet e ditarit të tij për dy veprat e përmendura të Kadaresë dhe për tipin e tij si shkrimtar.

15.12.1967
E lexova romanin më të ri të Ismail Kadaresë, Dasma.
Si të mos e kishte shkruar i njëjti shkrimtar që ka shkruar romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur.
Dasma është roman shumë i dobët.
Në të vërtetë, Dasma nuk është roman në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: është një reportazh i shkruar në trajtë e gjatësi romani.
A mund të quhet roman – reportazh? Apo, ndoshta, reportazh – roman?

Si merret vesh, Dasma ka zgjuar interesim të madh në Shqipëri. Ç’është e vërteta, Dasma po zgjon interesim, ta quaj të madh, edhe këtu, në Prishtinë.

E kuptoj këtë interesim të veçantë për të, por nuk i kuptoj panegjirikët që po thuhen e po shkruhet për të.
Duke e lexuar mora shënime sepse dua ta bëj një vështrim për të. Dhe, në vështrim do ta quaj roman. Do ta quaj roman, pra, një vepër që nuk është roman i vërtetë. Nuk do të jem kritik sa do të duhej të isha dhe nuk do të mund të shkruaj një kritikë të ashpër sa do të duhet të ishte kritika për “Dasmën”, sepse kam drojë në mos një kritikë e këtillë, e ashpër, mund të keqkuptohet në Tiranë. Por, megjithatë, disa mendime dhe vlerësime kritike, mospajtuese me tezën dhe me idetë kryesore në atë roman do t’i them. Si të mos i them? Po të mos i them do të tradhtoj kuptimin dhe moralin e kritikës që shkruaj. Mund të tradhtoj rolin që kritika duhej të luajë në zhvillimin historik të letërsisë shqipe e këtë rol në zhvillimin historik të letërsisë kritika mund ta luajë vetëm në qoftë se është kritikë e drejtë, objektive, domethënë e ndershme.

Romani “Dasma” mund të ushtrojë ndikim të padëshiruar, të dëmshëm në letërsinë shqipe jo vetëm në Shqipërinë shtetërore, por edhe në Kosovë. Panegjirikët që po shqiptohen e po shkruhen për të e dëshmojnë pa dashje këtë ndikim të dëmshëm të “Dasmës” në letërsinë shqipe në përgjithësi.

Nuk ka dyshim se “Dasma” është prozë e shkruar me qëllim të mohimit, madje të zhvlerësimit të traditës kulturore kombëtare që në Kinë, sot, po quhet traditë borgjeze!
Ismail Kadare në këtë vepër kritikon shkrimtarët bashkëkohorë shqiptarë, domethënë kolegët e vet, të cilët, si e thonë, po sjellin “shumë myk dhe vjetërsi në literaturë”. E myk dhe vjetërsi ai quan përkushtimin ndaj traditës, ndaj kulturës dhe ndaj zakoneve të popullit.
(Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike (1966-1974): Ditar I”, Tiranë, “Toena”, f. 86-87)
4.12.1974

Derisa po e nxjerr në makinë të shkrimit kumtesën që do të paraqes në simpoziumin shkencor Kultura shqiptare në periudhën e Rilindjes Kombëtare mendja më shkon te romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të cilin, pjesë-pjesë, e lexova rishtazi mbrëmë. Një vepër realiste, fare konvencionale, e shkruar siç është shkruar romani në kohën e teorikut të realizmit, Shanflerit, në kohën e Balzakut, Mopasanit, Valter Skotit, Çarsl Dikensit; e shkruar si të mos kishin shkruar, pastaj, dhe si të mos ishin lexuar fare Marsel Prusti, Xhejms Xhojsi, Franc Kafka, Uiliam Fokneri, Alber Kamy, Zhan-Pol Sartri e shumë shkrimtarë të tjerë modernë. Një vepër e shkruar në mënyrë të vjetëruar për një temë interesante, të rëndësishme të cilën, si më kanë thënë disa autorë nga Tirana, më parë, në një tregim, e ka trajtuar Petro Marko. Kjo domethënë se tema e trajtuar në një vepër mund të jetë gati po aq e rëndësishme sa edhe mënyra e trajtimit të saj ose, madje, si në këtë roman, më e rëndësishme.

Fundamenti

Megjithatë, ky roman i shkruar në mënyrë të vjetruar, prandaj edhe me një vlerë artistike rreth mesatare, është pritur mirë, pas përkthimit, në Francë. E kuptueshme. Popujt e mëdhenj, zakonisht, janë të prirë të tregojnë disa konsiderata jashtëletrare për shkrimtarët e popujve të vegjël dhe të letërsive të vogla. Sigurisht kësi konsiderate kanë treguar francezët ndaj romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Kritika e shkruar për këtë roman në Francë nuk mund të çmohet, prandaj, kritikë objektive sepse nuk është kritikë letrare e mbështetur në kriter estetik, po në kritere jashtëletrare. Të mëdhenjtë, kur nuk janë të pamëshirshëm, nuk ngurrojnë të jenë përkëdhelës ndaj të vegjëlve. Çka krejt nuk prodhojnë paragjykimet historike qoftë në politikë, qoftë në kulturë.

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur nuk është roman për të cilin do shkruar me gjuhë madhëruese siç po shkruajnë për të kritikët tanë, natyrisht, duke pasur parasysh temën e tij në njërën anë, dhe konsideratat sentimentale të disa kritikëve francezë, në anën tjetër; megjithatë ky është njëri prej romaneve më të mirë në letërsinë tonë ende me aq pak romane.

(Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike (1966-1974): Ditar I”, Tiranë, “Toena”, f. 542-543)
9.10.1975

Në të gjitha veprat letrare dhe publicistike dhe në të gjitha paraqitjet publike të Ismail Kadaresë është i përmbajtur koncept politik për shoqërinë dhe shtetin dhe koncept socrealist domethënë politik edhe për krijimtarinë letrare, artistike dhe shkencore.
Duhet të jem e kundërta e tij.

Në veprat që shkruaj dhe në paraqitjet publike duhet të jetë i përmbajtur koncept tjetër: duhet të jetë i përmbajtur koncepti intelektual; dhe koncepti humanist.
Le të jetë Ismail Kadare shkrimtar politikan.
Rexhep Qosja do të jetë shkrimtar intelektual; dhe humanist.

Krijimtaria letrare dhe krijimtaria shkencore, në të cilat është i përmbajtur koncepti politik, do të jenë shumë të çmuara dhe shumë të popullarizuara sot, por do të jenë gjithnjë e më pak të çmuara dhe gjithnjë e më pak të popullarizuara nesër.

Krijimtaria letrare dhe krijimtaria shkencore, në të cilat do të jetë i përmbajtur koncepti intelektual dhe humanist, do të jenë shumë më pak të çmuara dhe shumë më pak të popullarizuara sot, por do të jenë shumë më të çmuara dhe shumë më të popullarizuara nesër.
Nuk do të bëj asgjë së cilës nuk do t’i japë të drejtë e nesërmja.

(Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike, Ditar II”, Tiranë, “Toena”)