Eko Higjiena

Pushteti gjilanas shkel të drejtat e fëmijëve!

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nuhi Ismajli- Pushteti gjilanas, përmes “reformave” të tij, në arsim, nuk po i kursen as fëmijët: po i shkel edhe të drejtat e tyre!

Pasi përdhosi dhe vazhdon t’i përdhosë keq vlerat e arsimit, në përgjithësi, dhe vlerat e të drejtat e arsimtarit, në veçanti, pushteti gjilanas nuk po i kursen tashmë as fëmijët: po i shkel edhe të drejtat e tyre!

Institucionet e pushtuara nga injorantët dhe të pandërgjegjshmit, institucionet e mbështetura në këshillat e lloj-lloj honxhobonxheje, që nuk ka lidhje me arsimin, nuk mund të japin tjetër veç marrëzisë me të cilën mund të qeshesh, por edhe marrëzisë e cila mund të step me pasojat e saj në shoqëri.

Nuk mund ta lërë indiferentë dhe të mos e stepë njeriun manipulimi i pushtetit gjilanas me vendet e punës së arsimtarëve, me ç’rast ka shkelur edhe të drejtat elementare të tyre!

Nuk mund ta lërë indiferentë dhe të mos e stepë njeriun loja e pushtetit gjilanas me provimin pranues për punësim të arsimtarëve dhe talljen publike të tij se “vet kandidatët e kanë vlerësuar vetveten”! (www.rajonipress.com, më 13.09.2012; www.2lonline.com, më 14.09.2012).

Nuk mund ta lërë indiferentë njeriun veprimi i pushtetit gjilanas duke emëruar për drejtor shkollash lloj-lloj njerëzish.

Nuk mund të mos qeshë njeriu me marrëzinë e pushtetit gjilanas, i cili, për gjërat tejet të njohura dhe me të cilat janë marrë gjithherë institucionet shkollore, që kanë ditur t’i bëjnë punët si duhet, cakton “rregulla”, të cilat i quan “reforma”!

Nuk mund të mos qeshë njeriu me marrëzitë e pushtetit gjilanas, i cili quan “reforma” ato të cilat nuk mund të quhet aspak reforma ose që kanë efektin e kundërreformës.
Por, ajo që nuk të bën të qeshësh, por të shqetësohesh shumë, është veprimi i pamenduar i pushtetit gjilanas me të ashtuquajturat “reforma” dhe pasojat e atyre për njeriun dhe shoqërinë.

Pra, nuk mund të qeshësh, po të ndalesh, të mendosh, të dëshpërohesh keq dhe të frikësohesh shumë, kush po e udhëheq shoqërinë tonë sot.

Është pikërisht ky pushtet, i cili, përcakton “rregullat” sesi duhet pranuar nxënësit në klasën e parë, të cilat i quan “reforma”! Është pikërisht ky pushtet, i cili, edhe fëmijës 6-vjeçar, me një “rregull” tiranësh ia vë prangat dhe ia ndalon ecjen e lirë në jetë!
Pse të caktohen rregulla sesi duhet regjistruar nxënësit në klasën e parë?! Mos po ndodh për herë të parë në historinë shqiptare dhe në historinë njerëzore regjistrimi i nxënësve në klasën e parë, kurse pushtetit gjilanas i paska mbetur t’i përcaktojë rregullat sesi u dashka bërë një gjë e tillë?!

A nuk qenka një gjë tejet e qartë, për dijet dhe ndërgjegjen e njerëzve të arsimit, sesi duhet bërë regjistrimi i nxënësve në klasën e parë?!
A nuk paska, më në fund, fëmija, të drejtë të regjistrohet në klasën e parë, pa iu nënshtruar kurrfarë rregulle kufizuese?!

Për pushtetin gjilanas, jo!

RCCOLA

Pushteti gjilanas, në këtë aspekt, do t’i tregojë botës se ka dije të madhe për arsimin, se, madje, edhe çështjen e regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë, di ta rregullojë me “rregullore” të posaçme dhe këtë ndërmarrje “të rëndësishme” ta quajë “reformë”! Do t’i tregojë botës se ata që kanë punuar gjer më tash në fushën e arsimit nuk kanë ditur të caktojnë rregulla për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë! Prandaj, me “reformën” e tij pushteti gjilanas edhe përcakton “rregullën”, sipas së cilës, fëmijës i caktohet mesuesi-ja dhe paralelja!

Pushteti gjilanas nuk do të dijë se çështjen e regjistrimit të fëmijëve, në klasën e parë, gjithnjë duke u bazuar në dijet pedagogjike e psikologjike (dhe në pajtim me parimet morale e bazat ligjore) e kanë bërë dhe e bëjnë shkollat; se dijet pedagogjike e psikologjike, në bazë të së cilave realizohet veprimtaria edukativo-arsimore, në qendër të së cilës është vetë nxënësi, kanë përcaktuar dhe përcaktojnë gjithnjë, natyrshëm, edhe çështjen e regjistrimit të nxënësve; se asnjë rregull, që nuk bazohet në dijet pedagogjike e psikologjike, nuk mund të jetë rregull e qëndrueshme për arsimin.

Këtë gjë është dashur t’ia kishin thënë pushtetit gjilanas udhëheqësit e shkollave, pra, njerëzit e arsimit, po a kanë ata dije të mjaftueshme dhe a kanë guxim të nxjerrin zë dhe t’ia thonë këtë?!

Institucionet e dijes, në këtë rast shkollat, në rastin e paraqitjes së ndonjë anomalie, janë përgjegjëse për ta vërejtur atë me kohë dhe për të ndërmarrë masa të nevojshme për çrrënjosjen e saj. Kjo ka të bëjë edhe me rastin e formimit të klasave të pazakonshme, e cila, në rrethanat tona, është një dukuri mjaft mirë e njohur.

Pra, pushteti gjilanas nuk duhet të bëjë “reforma” duke vendosur “rregulla” për regjistrimin e nx. në klasën e parë, kur rregullin për regjistrimin e nxënësve, në klasën e parë, e krijon shkolla me dijen, vetëdijen dhe përgjegjësitë e saj.

“Rregulla”, gjegjësisht “reforma” e pushtetit gjilanas, për regjistrimin e nxënësve në klasën e parë të fillores, është një rregull tipike e një pushteti totalitar, i cili e shtrinë pushtetin e tij deri edhe te mosha më e re, e cila, pothuajse, për herë të parë ka rast t’i njohë e provojë institucionet e shtetit. Ato “rregulla” dhe “reforma” fëmija nuk do t’i ndjejë ndryshe përveçse si një leksion se pushteti qenka diçka kundër dëshirës së tij, diçka që pengon e kufizon njeriun dhe që duhet kundërshtuar.

“Rregulla” dhe “reforma” e pushtetit gjilanas, si u provua në fillim të këtij viti shkollor, nuk i jep nxënësit të klasës së parë asnjë alternativë: ai duhet të mësojë vetëm me mësuesin-en dhe në klasën që i ka caktuar pushteti!

Po, çka nëse fëmija nuk do të shkojë aty ku i është caktuar?!
Fëmija ka të drejtën e pamohueshme që të zgjedhë mësuesin-en dhe paralelen.
Po, por kjo vlen dhe ndodh në vendet në të cilat institucionet i udhëheqin njerëzit e ditur e të ndërgjegjshëm. Në një vend ku respektohen të drejtat e njeriut, pra edhe të drejtat fëmijës, fëmija ka të drejtë të vendosë se ku dhe më kë të mësojë!

Veç, këtu, te ne, jo, ndonëse, si edhe në çdo vend tjetër të përparuar, edhe këtu, fëmija ka dëshirë dhe do të mundë të zgjedhte vetë mësuesin-en dhe paralelen .

Pushteti gjilanas, duke vendosur “rregullat” dhe duke bërë “reformat” e tij, nuk e ka vërejtur dot edhe mundësinë e pengimit të formimit të paraleleve të pazakonshme dhe të papranueshme në pikëpamje shoqërore edhe mundësinë e regjistrimit të nxënësit në paralelen e mësuesit-es, që ai do, gjë e cila nuk është e pamundshme dhe e vështirë.

Duke qenë se ajo që po bën pushteti gjilanas me fëmijët, duke i penguar ata që të zgjedhin mësuesin-en dhe paralelen, mund të bëhet vetëm nga një pushtet totalitar, është e nevojshme që sa më parë të braktiset një mënyrë e tillë e udhëheqjes së pushtetit.
Në këtë realitet pushtetar, tejet çnjerëzor, ku me “rregulla” e “reforma” shkelen të drejtat e njeriut, së paku, fëmijët nuk duhet të jenë viktimë e injorancës dhe e arrogancës së pushtetarëve!