Prodhuesit në krizë

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Organizimet tashmë tradicionale “Javët e Biznesit Kosovar”po ndikojnë në rritjen e konsumit të prodhimeve vendore në Kosovë. Kryetari i AKB-së Agim Shahini në një intervistë për gazetën “Zëri” thotë se çdo ditë e më shumë prodhimet vendore po janë të pranishme në tryezat e familjeve kosovare.

Zëri: Sa po ndikojnë aktivitetet e Aleancës Kosovare të Bizneseve në rritjen e konsumit të prodhimeve vendore ?

Shahini: Aktivitetet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, në promovimin e vlerave ekonomike të Kosovës, të bizneseve, prodhimtarisë që nga viti 2003 e këndej ka ndikuar shumë pozitivisht. Për herë të parë AKB-ja e ka promovuar këtë industri, e cila është befasuese për tregun e Kosovës, siç janë “Javët e Biznesit Kosovar”, të cilat kanë ndryshuar edhe organizimin. Po ashtu, ne po tentojmë ta ndryshojmë edhe mentalitetin konsumues të prodhimeve vendore.

Zëri: Sa po rritet shitja e prodhimeve vendore gjatë fushatës?

Shahini: Shitja dhe marketingu si dhe vetë aktiviteti ka për qëllim që ta rrisë konsumin dhe të rritë shitjen e prodhimeve vendore. Kjo deri në një masë të madhe po ndikon shumë pozitivisht. Mirëpo, vlerësimet e sakta ne nuk mund t’i japim tash, por ata mund t’i japim pas aktiviteteve të cilat ne do t’i marrim përmes anketave me bizneset.

Zëri: Konsumimi i produkteve vendore, a vazhdon edhe pas fushatës?

Shahini: Patjetër që konsumi i produkteve vendore vazhdon edhe pas fushatës dhe ka qenë edhe para fushatës edhe tash në fushatë. Mirëpo, ne do të dëshironim që qytetarët të konsumojnë produkte vendore 365 ditë, ngjashëm sikurse në fushatë, meqë po rritet konsumi i produkteve gjatë fushatës.

Zëri: Si është gjendja e prodhueseve vendorë. A ka rënie, apo rritje të prodhimit vendore?

RCCOLA

Shahini: Gjendja e prodhueseve vendorë është tejet e rëndë, shumë e pa volitshme dhe në një treg të pa harmonizuar me forca konkurruese që vijnë nga jashtë. Ata ballafaqohen me një treg ku ballafaqohen me konkurrencën e padrejtë. Kur them konkurrenca e padrejtë e them ngase politikat fiskale, ato tregtare ato financiare janë aspak të përballueshme. Ngase në Kosovë janë nga më të shtrenjtat në regjion dhe si të tilla edhe mund të duken produktet jokonkurruese në krahasim me produktet e huaja që vijnë në Kosovë me kushte dukshëm më të mira dhe me subvencione shumë më të mira se sa prodhuesit në Kosovë.

Zëri: Prodhuesit vendorë, a po arrijnë të eksportojnë jashtë vendit?

Shahini: Rreth 90 për qind importojmë produkte nga jashtë, ndërkaq vetëm me 10 për qind e mbulojmë importin me eksport dhe kjo natyrisht që është shumë shqetësim i madh për ne. Nga i gjithë konsumi që kemi në nivel vjetor 90 për qind ne eksportojmë para të gatshme, për të blerë produktet e gatshme. Dhe qëllimi ynë është që të zëvendësohen në një masë këto produkte të shtrenjta siç është paraja të eksportojmë ne produkte të gatshme siç është malli.

Zëri: Çka duhet bërë që të vetëdijesohen konsumatorët për të përdorur produkte vendore?

Shahini: Projekti “Javët e Biznesit Kosovarë” ka për qëllim jo vetëm të ngre vetëdijen e konsumatorëve, mirëpo ka për qëllim edhe rritjen e bizneseve për prodhim cilësor, për prodhim konkurrues dhe për prodhim kualitativ. Shpesh këto produkte, të cilat përdoren nga konsumatorët. Politikat tregtare të vendeve të tjera dhe ato fiskale janë më të volitshme se sa në Kosovë. Prandaj kjo është arsyeja se pse ata janë më të lirë në treg se sa prodhimet vendore. Ende është e pakuptimtë politikat e aplikuara në tregun e Kosovës, ku paguhen taksa të ndryshme gjatë importit të pajisjeve teknologjike dhe të lëndës së parë. Deri sa në vendet e tjera janë të liruara dhe gjithashtu të subvencionuara, e ndërsa tek ne këto mungojnë dhe pikërisht kjo është arsyeja se pse disa produkte dalin më të lira se sa prodhimet vendore krahasim me ato që importohen.

Zëri: Institucionet e vendit, a kanë bërë aq sa duhet për prodhuesit vendorë?

Shahini: Institucionet e vendit mund të bëjnë më shumë se sa kanë bërë deri më tash. Në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, AKB-ja e ka ngritur një çështje shumë të rëndësishme që nga viti 2003 e këndej për prioritet të prodhimtarisë vendore. Në kuadër të kësaj, Ministria e Tregtisë, e ka sponzoruar këtë propozim tonin në Këshillin Ndërkombëtar, në Qeveri dhe tash është në Parlament./zeri/