RCCOLA

Prodhimi drejt shuarjes

/ 5 minuta lexim

Gjatë dhjetë viteve të fundit Kosova karakterizohet nga një rritje ekonomike relativisht e lehtë, e shoqëruar edhe me një inflacion të cilin ka arritur ta mbajë nën kontroll.

Pavarësisht kësaj, këtë vit Kosova raporton 44.8% të papunë, e që i bie se vendi ynë nuk qëndron mirë me prodhimin.

Krejt çka po prodhohet në vendin tonë, janë disa produkte bujqësore, uji dhe pije freskuese.

Kjo gamë e ngushtë e prodhimeve ka bërë që hekuri mbeturinë të renditet si produkti i parë në listën e eksporteve.

Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vendi ynë gjatë vitit të kaluar ka arritur që të eksportojë hekur për skrap në sasi prej 109,884,714 kilogram.

Nga ky eksport i hekurit mbeturinë në Kosovë kanë hyrë 36,410,864 euro. Po ashtu, sipas Doganës diku edhe rreth 60 milionë euro tjera nga eksporti kanë hyrë në Kosovë nga produktet minerale, produkte bimore, ushqimet e përgatitura,pijet dhe duhani, plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, tekstil dhe artikuj tekstili.

Ndryshe, në vitet e paraluftës, Kosova kishte eksportues shumë më të lartë se sa tani. Industria ishte në funksion të ekonomisë së Kosovës dhe kjo bënte që vendi të kishte çfarë të eksportonte. Por, sot është krejt ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për muajin Shtator 2013 prej 185,5 milion euro krahasuar me deficitin prej 234,9 milion euro me periudhën e njëjtë të vitit 2012. Eksporti mbulon importin vetëm 11.8%.

Eksporti në muajin shtator 2013 kishte vlerën 24,8 milion euro, ndërsa importi 210,4 milion euro. Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partner kryesor tregtar janë vendet e BE-së të cilat marrin pjesë me 31.9% për eksport dhe 42.7% për import, ndërsa vendet e CEFTA-së merë pjesë me 41.1% për eksport dhe 31.1% për import, në raport me totalin e muajit. Përqindja më e madhe e eksportit ishte në: Shqipëri (18.1%), Itali (17.3%), Indi (15.7%) Maqedoni (9.1%), Mali i zi (6.8%), Serbi (5.8%) etj.

Mobi Casa

Gjatë vitit 2013, Ministria e Financave ka ndërmarrë disa reforma fiskale, të cilat pritet të zbatohen në vitin 2014. Por, zbatimin e këtyre reformave po e pengon mosmiratimi i Ligjit për Lirime Doganore.

Me miratimin e këtij ligji, pritet të lirohet një pjesë e konsiderueshme e lëndëve të para dhe makinerisë nga taksa doganore prej 10 për qind.

Ndryshe, gjatë muajit të shtator të këtij viti është aprovuar Udhëzimi Administrativ për implementimin e taksës së sheshtë për prodhuesit bujqësorë. Përmes këtij udhëzimi, prodhuesve bujqësorë u mundësohet kreditimi i vlerës së TVSH-së në nivel prej 16 për qind.

Ndërkohë, nga 1 janari 2014 pritet të bëhet edhe rritja e akcizës në duhan nga 30 euro në 32 euro për njësi, pas rritjes që hyri në fuqi nga 1 tetori 2013, ku u rrit akciza në duhan nga 27euro në 30 euro për njësi. Kosova ka 577.000 ha tokë bujqësore, prej të cilave 272,040 ha janë të mbjella me kultura të ndryshme bujqësore, ndërsa pjesa tjetër është livadhe, kullosa dhe djerrina.

Sipas këtyre statistikave edhe ato familje që punojnë tokën bujqësore nuk arrijnë t’i plotësojnë nevojat e tyre të përgjithshme me produktet përkatëse. Vetëm një sasi e vogël e prodhimeve bujqësore që prodhohen në sektorin privat është e dedikuar për treg (nga 3.4 % te pemët deri në 27 % te perimet).

Sipas zëdhënësit të kësaj ministrie Adil Behramaj, MPBZHR-ja, ka ndarë një fond të mjaftueshëm për të përkrahur bujqit dhe fermerët. “Vlera e subvencioneve dhe granteve investive të planifikuara për fermerë, prodhues dhe përpunues në këtë vit ka qenë rreth 27 milionë euro, ku 14,850,000 euro janë grante investive dhe 11,700,000 euro subvencione”, ka thënë Behramaj duke shtuar se projektet për zhvillimin rural janë ende në proces të realizimit.

Sipas ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pijet kanë qenë produktet më të eksportuara në gjashtëmujorin e parë, ndër to edhe vera. “Por, produktet tjera që eksportohet janë edhe gruri dhe perimet e ngrënshme”, ka thënë Behramaj. Por, pse Kosova ende nuk po mundet të mbuloj as nevojat e veta me grurë ? Fermeri nga Lipjani Valon Vehapi thotë se shkaqet e një gjendjeje të tillë janë të shumta dhe sillen prej rendimenteve të ulëta dhe politikave ekonomike joadekuate që ndikojnë në aftësinë e pamjaftueshme konkurruese, deri te organizimi jo i mirë institucional dhe i fermerëve. “Edhe për kundër subvencionimit 125 euro për hektar për fermerët e grurit, Kosova po vazhdon te mos përmbush as 20 për qind të nevojave te tregut te brendshëm”, ka shtuar Vehapi, i cili ka të mbjellë mbi 80 hektarë tokë me grurë./zeri/