UBT

Nga përndjekja serbe tek DWS

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Tony Dovolani nga Prishtina, është pa diskutim një nga shqiptaret më të suksesshëm për vitin 2012.

Ai fitoi spektaklin më të shikueshëm të Amerikës “Dancing with the Stars”, ku shikueshmëria në natën finale kishte kapur rekordin e 32 milionë teleshikuesve. Kështu ai bëhet shqiptari i parë që fiton një trofe të tillë në shtetin më të fuqishëm të botës me një popullsi mbi 300 milionë banorë.

Dovolani arriti të trajnojë me vallëzimin e tij artistë të mëdhenj, si Richard Gere, Jenifer Lopez, Ëill Smith, Sara Evans, Suzan Luci, e sa e sa të tjerë deri te Melissa Recroft me të cilën ndau edhe trofeun e fundit të këtij viti.

Ai është kampioni absolut, i rritur me ndjenja të larta patriotike në sajë të edukimit të familjes së tij që dhanë gjithçka për pavarësinë e Kosovës
Në Amerikë ka shkuar në prill të vitit 1989, për shkak të azilit politik, ngaqë babai dhe xhaxhallarët e tij ishin të aktivizuar në politikë. Dhe për arsye të përndjekjes dhe zhdukjes si familje nga serbët u larguan nga Kosova.

Fundamenti

“Ishte prilli i vitit 1989 dhe situata ishte shumë e rëndë, në prag të luftës. Ardhja e Millosheviçit nisi të eliminonte politikanë që nxisnin ndarjen e Kosovës në republikë të vetme. Dhe një shënjestër ishte edhe familja e jonë e madhe e Dovolanëve, ku me xhaxhain në krye Muharrem Dovolani, dha gjithçka nga shpirti i tij duke mbledhur fonde në përkrahje të luftës së Kosovës. Atëherë kur jeta e familjes sonë ishte vënë në rrezik, vendosëm të largoheshim nga Kosova. U paraqitëm në ambasadën amerikane për vizë, por nuk na e dhanë, sepse akoma nuk bindeshin që kishim probleme në Kosovë me regjimin e Millosheviçit, sepse ky regjim sapo kishte nisur të nxiste konfliktin etnik në Jugosllavi. Por, ne nuk u dorëzuam me kaq, morëm rrugën e arratisë duke përshkuar disa shtete europiane si Austri, Zvicër, Gjermani dhe Meksikë. Pastaj nga Kalkuna e Meksikës kemi mbërritur në anën tjetër ku na priste babai ynë. Jemi dorëzuar në një kamp refugjatësh, në kufirin amerikan dhe që aty na sollën për t’u regjistruar në zyrat e emigracionit në Nju Jork. Falë disa shkrimeve në gazetat e asaj kohe, ku shtjellohej historia e përndjekjes së babait tonë nga regjimi millosheviçian, autoritetet amerikane u bindën për të pranuar azilin politik të familjes sonë,” ka rrëfyer Dovolani për gazetën ”Shqip”.

Ai ka rrëfyer se në moshën 15 vjeç ka filluar të kërkoj punë:
“Në fillim punova si pjatalarës në restorant. Dhe një ditë në restorantin tonë kalon një shpërndarës i fletushkave me reklama i një shkolle vallëzimi, që promovonte talente për karrierë brilante. Pashë kuzhinierin që tërhoqi një fletushkë dhe unë nga kureshtja e pyeta se për çfarë ishte dhe ai më sqaroi se është një shkollë që prodhon talente. I thashë se jam i interesuar për këtë dhe ai më dërgoi te studioja ku u regjistrova. Që aty pasioni im nisi të marrë udhë. ”

E ka filluar jetën emigrante që pjatalarës dhe për të përfunduar në ëndrrën e gjithsecilit, në jetën hollivudiane vetëm në sajë të pasionit të tij të madh për vallëzimin.
Dy herë kampion bote e bën pa diskutim si rekordmenin e parë shqiptar që njeh një sukses të tillë. Megjithëse me gjithë këto trofe dhe famë botërore ai asnjëherë nuk u kujtua nga autoritetet shqiptare dhe kosovare, të cilët janë më të interesuar për performancën e artistëve komercialë shqiptarë.

Përkundër padrejtësive, ai kurrë nuk mban mëri për askënd, sepse thotë e bëj për shpirtin tim kuqezi dhe për gjakun e heronjve shqiptarë, me të cilët krenohet kudo. /Indeksonline/