Nazimja: Ja si e vrava Fiqiriun
Nuk e vrava Fiqiriun se më përdhunonte, e vrava se më ndau nga i fejuari. Tani në gusht unë do isha martuar, kisha bërë gati edhe pajën”, thotë pa i lëvizur asnjë muskul fytyre Nazime Visha, vajza që po gjykohet për vrasjen e 45-vjeçarit Fiqiri Muça.
Edhe pse kanë kaluar 10 ditë, vajza ende pa mbushur të 18-tat, thotë se nuk është penduar, duke preferuar më mirë burgun se sa atë jetë që bënte në shtëpi.
Nazimja është vajzë trupvogël, por muskuloze, simpatike akoma më shumë kur qesh dhe, paksa e rritur para kohe nga qëndrimi i pandryshueshëm. Ajo di se çfarë është interneti, por nuk di kush është presidenti i vendit. Thotë se di të mbajë një kallashnikov në dorë, por nuk di efektet e helmit…
Më poshtë po japim pjesën e parë të intervistës me Nazime Vishën të realizuar nga “Gazeta Shqiptare” në Burgun 313.
Kur çoheni në mëngjes?
Ngrihemi në 06.30.
Çfarë bëni, fiskulturë?
Unë tani kam ardhur. Po, bëjmë fiskulturë.
Po shoqet si janë?
Të mira.
Çfarë kanë bërë ato, çfarë vepre penale?
S’e di.
Të pyetën përse ke ardhur këtu?
Jo.
Ka ardhur t’ju takojë njeri?
Vetëm psikologia.
Po nga familja?
Xhaja, gjyshja. Babin dhe mamin e pres sot, (e martë, 21 gusht).
A je penduar?
Jo, nuk jam bërë fare pishman. (Qesh) Më vjen keq vetëm se më ka ndarë me të fejuarin, se ai dhe familja e tij më kishte hyrë shumë në zemër.
Sa vjeçe je?
Më 3 mars mbush 18.
Kur shkove në Krrabë?
Mbasi më kishte marrë peng. Kur më ktheu Fiqiriu në Tiranë më mori gjyshja. Polici i Burrelit, i tha “ik dërgoje në Tiranë dhe shko në shtëpi. Njerëzit e vet mezi po e presin, do ta marrin”.
Ku të la Fiqiriu?
Te komisariati nr.4. brenda në rajon. Hodhi një firmë gjyshja.
Të dorëzoi te policët?
Po, e ndihmoi ai polici tjetër nga Burreli. I tha “ik pa merak, do të të ndihmoj me telefonata”. Ai nuk erdhi. Pas kësaj, Fiqiriu merrte njerëzit e mi dhe u thoshte “do ta vras”, i thoshte dhe të fejuarit “do ta vras”. Nga i fejuari më ndau. U lidha prapë me të, e prapë më ndau. Do vij ta vras sot, do vij ta vras nesër, nuk kisha ç’bëja. Te gjyshja isha e mbyllur në shtëpi. Më gjeti dhe atje. Thosha, jeta ime u mbyll. Nuk kisha rrugë tjetër.
Kur e mori vesh kunati yt që të kishte marrë Fiqiriu, çfarë ndodhi?
S’e di çfarë kanë bërë ata. Burri i motrës, që kur më mori mua, s’ka fol me të. Motrën e ka sjellë të rrijë te shtëpia.
Lexoni gazeta në burg?
Jo, nuk lexojmë. Unë mbrëmë kam dalë në dhomë, se kam qenë vetëm tri ditë.
Ka armë babi në shtëpi?
Jo, në shtëpi të babit nuk kishim armë. Te gjyshja kam gjetur armën. Isha me gjyshen me dele. Ishte pyll. Po binte shi dhe u futëm në një tunel të mos lageshim. Aty gjeta armën. E mora në shtëpi.
Ai kallashi që gjete ne pyll, kishte plumba?
Po, kishte.
Po pse, armët gjenden rrugëve në Krrabë?
Nuk e di, dikush e kishte fshehur dhe unë e gjeta.
Te shtëpia e gjyshes nuk kishte armë?
Jo, jo, e gjeta në pyll.
Ku mësove të gjuaje, ku bëre prova?
Ma mësoi gjyshja.
Po ku dinte gjyshja ta përdorte kallashin?
S’e di, dinte.
Nëse të japin tani një kallash, di ta mbushësh?
Po, di ta mbush.
Gjyshja të mbushi armën dhe të tha dil e vrite?
Jo, e kisha ndarë mendjen vetë ta vrisja.
Natën e ngjarjes çfarë ndodhi, ku e more vesh që erdhi Fiqiriu?
Erdhi dhe i ra portës. Ishte vonë. Unë isha vetëm me gjyshin e gjyshen në shtëpi. Xhaja i vogël pati ikur me nusen te njerëzit e nuses. Unë dola dhe më tha “hajde, se do të të vras nëse nuk vjen ku dua unë”.
Ishte me makinë Fiqiriu?
Ishte me taksi. Më tha “o do të vish të të çoj për ku të kam nis, (Kosovë) o të vrava”. I thashë “më prit një minutë”. I dola me automatik dhe e vrava.
Ku e vrave?
E gjurmova mbrapa dhe e gjuajta. Ai po priste, se kujtoi se po merrja rrobat. Unë mora automatikun. Ai po priste te dera e jashtme.
Taksisti ka thënë që dolën tre veta dhe e gjurmuan nga mbrapa Fiqiriun…
Aty kam qenë vetëm unë që e gjurmova dhe e vrava. Mbrapa ka ardhur gjyshja dhe shoferi i taksisë. Unë dola nga porta e vëllait, se janë dy porta, dhe Fiqiriu ishte duke lëvizur drejt taksisë që të hapte derën. Ai po priste që unë të shkoja.
Donte të ikte taksisti?
Po, donte të ikte dhe unë i thashë të mos lëvizte se do e vrisja. S’doja të ikte pa ardhur policia. Dhe, ai më tha që Fiqiriu i kishte thënë se do të shkonte te shtëpia e një miku, e po ta dinte taksisti këtë, s’do kishte ardhur.
E dije që kishte lekë në xhep?
S’e dija.
Të ka dhënë ndonjëherë lekë Fiqiriu?
Jo, asnjëherë.
Si e mbajte kallashin, se është i rëndë?
Jam marrë me punë bujqësie, e mbajta kollaj. M’u duk i lehtë, se i kam krahët të fortë.
Sa kohë kishte që e mbanit kallashin në shtëpi?
Pak kohë.
Nëse policia ju kërkon ta çoni te vendi ku e gjetët armën, e gjeni dot?
Po, e gjej. I dërgoj. E mbaj mend, edhe pse është pyll i madh.
Kur i ra derës Fiqiriu, s’e dëgjoi gjyshja?
S’e dëgjuan, se ishin lodhur bashkë me gjyshin, ishin dhe me agjërim.
Kur erdhi policia në fshat?
Shumë shpejt erdhi.
Në telefon, s’ke folur rrugës me Fiqiriun?
Jo, s’kam fol.
Ku e more celularin, që more policinë në telefon?
Mora telefonin e gjyshit, se vetëm gjyshi kishte telefon.
Po policinë në çfarë numri e telefonove?
Te ai numri 128.
Çfarë i the policisë?
I tregova çfarë kisha bërë.
Armën ku e le?
E mbajta në dorë, derisa e mori policia.
E lëvize Fiqiriun?
Jo.
Tha ndonjë gjë Fiqiriu kur po e qëlloje?
Asnjë fjalë nuk tha.
Po gjyshja kur e pa, të tha “çfarë bëre”?
Jo, s’më tha asgjë.
Rrobat, i ndërrove?
I ndërrova dhe i mori policia. I kam ndërruar pasi erdhi policia. Më dërguan, më thanë ndërrohu dhe morën rrobat.
Çfarë kishe veshur?
Pantallona treçerekëshe dhe një bluzë të gjatë.
Në 12 të natës me pantallona?
Po, vishesha ashtu, se më hanin mushkonjat.
Nëse policia arreston gjyshen dhe xhaxhain, çfarë do bësh?
Nuk është e drejtë. Fiqiriun e vrava unë. Unë e bëra vetë, e mbaj vetë vrasjen. Ku të ketë të drejtë policia le të veprojë.
Po nëse nga hetimet del që ata kanë gisht?
Është dora ime, e askujt tjetër.
E pastrove armën?
Jo, asgjë, vetëm e kam mbajtur në dorë.
Ke frikë mos të arrestojnë gjyshen?
Jo, s’kam frikë. E kam bërë unë vrasjen.
Të pyeste gjyshja se çfarë të kishte bërë Fiqiriu?
E shante Fiqiriun, se e kanë respektuar.
Vinte Fiqiriu të gjyshja?
Jo, e mori vesh vonë.
Nga e mori vesh?
S’e di.
Taksisti ka thënë që Fiqiriu fliste me një femër?
Nuk di ç’ka thënë taksixhiu, unë s’kam folur me të. Kur ishim në pyll ai ka folur me vajza të tjera që s’i numëroheshin. Ai fliste me dashnoret e tjera.
E ka marrë vesh i fejuari që e ke vrarë ti Fiqiriun?
Po, besoj e ka marrë vesh.
Di gjë ku është?
S’kam asnjë lajm për të fejuarin.
Tani ti duhet të ishe martuar?
Po, do bënim dhe martesën.
Plane për martese me Saimirin kishit bërë?
Po, do martoheshim në gusht.
Po pajë kishe bërë?
Po, kam bërë. Kam qëndisur çentro, kam bërë çorape leshi.
Të ka pyetur ndonjëherë Saimiri se çfarë kishte ndodhur mes teje dhe Fiqiriut?
Nuk më kishte pyetur asnjëherë se çfarë kishte ndodhur. Te vajzat e fshatit kanë besim.
Si ishte vjehrra?
Shumë e mirë. Të gjithë ishin shumë të mirë (vë buzën në gaz).
Kur erdhe nga pylli, s’erdhi të të shihte?
Fola në telefon, po më ndau shumë shpejt ky legeni (Fiqiriu), bëri shumë presione. Kisha frikë të shkoja te vjehrra, se mos më shihte në Tiranë Fiqiriu e më vriste.
Po ti, kishe vërtet frikë?
Po, e mendoja se mund të më vriste, se ma thoshte gjithmonë.
A të vjen keq që u prish fejesa?
Shumë.
Për gruan e Fiqiriut të vjen keq?
Jo, fare.
Po e le pa burrë…
Po çfarë më bëri mua burri i asaj.
Po për motrën, ke frikë mos i bëjnë ndonjë gjë?
Nuk di çfarë do bëjnë. Nuk kam frikë. Burrin e vet e ka shumë të mirë. Që kur më mori mua Fiqiriu, ai (kunati) s’i ka fol të vëllait.
Ke frikë mos ta ndan motrën?
Jo, s’e besoj.
Nëse ndodh, të vjen keq që u bëre ti shkak?
Keq më vjen, se unë e provova vetë, se u ndava me të fejuarin.
Nëse kthehesh mbrapa në kohë, do ta bëjë të njëjtin veprim, do ta vrisje Fiqiriun?
Mos të më kishte prishur me të fejuarin s’do ta bëja.
Çfarë bëje te shtëpia e të fejuarit?
Punët e shtëpisë me vjehrrën.
Ia ke uruar ndonjëherë vdekjen?
Po, nën zë ia kam uruar gjithmonë, me gjithë zemër ia uroja vdekjen. Thoja brenda vetes, “O Zot, merrja jetën”.
Si ndihesh tani?
E çliruar. Më mirë them, rri në burg, sesa ashtu siç isha.
Qave kur e vrave Fiqiriun?
Fare.
As këtu në burg s’ke qarë për fatin tënd, që përfundove këtu?
Jo, s’kam qarë. Këtu jam më mirë sesa në shtëpi.
Të erdhi keq që e pe të shtrirë Fiqiriun?
Jo, fare. Nuk ndjeva asgjë.
Në shtëpi, kush gatuante?
Unë gatuaja. Hante dhe Fiqiriu.
E ke menduar ndonjëherë t’i hidhje helm në ushqim?
Jo, s’e dija si do shkonte jeta ime. Pse, çfarë të bën helmi?
Kur flinte gjumë Fiqiriu në pyll, të ka shkuar në me-ndje t’i merrje pistoletën?
Unë isha e lidhur nga duart.
Edhe kur haje bukë?
Ai e mbante armën në dorë kur haja bukë. Ai armën e fshihte, s’e linte asgjëkundi.
Fiqiriu, e kishte menduar se mund ta vrisje?
S’i shkonte mendja te unë.
Në fshat, si e kaloje kohën?
Si ta kalosh kur ke gjithë këto të këqija?!
Ezeli, të pëlqente?
Nuk shoh fare televizor. S’kemi fare televizor në shtëpi.
Sa dhoma keni në shtëpi?
Dy dhoma.
Sa fëmijë ishit?
Pesë.
Kishit lopë?
Kemi lopë, i rregulloja unë. Vëllai i ruante.
Do e kishe blerë një armë për të vrarë Fiqiriun nëse do kishe lekë?
Derisa më ndau nga i fejuari, po.
Po mos të të kishte ndarë, s’do e vrisje?
Do ikja te i fejuari im dhe s’do e vrisja.
Çfarë të tha i fejuari?
S’dua bela me të. Fiqiriu i thoshte se është e imja, do ju vras, e ndaj më ndau.
Po në shkollë, të ngacmonte ndonjëri?
Jo, tetë klasë mbarova dhe u largova nga shkolla.
Pse s’e nise gjimnazin?
S’kisha mundësi.
Kush lëndë të pëlqente më shumë në shkollë?
Lexoja pak nga të gjitha. Isha nxënëse jo shumë e mirë.
Kush ka qenë shoqja jote më e ngushtë?
Me të gjitha shkoja mirë, po s’u besoja.
Babai, e rrihte ndonjëherë mamin?
Jo, asnjëherë.
Po juve?
As ne.
Të pëlqente të jetoje në Tiranë?
Po, shumë.
Kur ishe e vogël, çfarë doje të bëheshe?
S’e kam menduar. Doja të nisja shkollën po s’e nisa dot se jemi të varfër. Mendoja të gjeja një burrë dhe të martohesha.
Kishe dëshirë të bëje fëmijë?
Po, shumë dëshirë kisha.
Djalë apo vajzë?
Çfarë të më falte zoti.
Beson te zoti?
Besoj shumë, shumë. Zoti thotë mos vrit… Unë s’kisha zgjidhje tjetër.
E di kush është kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Jo, s’e di.
Po kryeministër?
Jo.
Po president?
Më duket se është ai, Saliu (Sali Berisha).
Ke votuar ndonjëherë?
Jo, s’kam mbushur ende moshën.
Ke pasaportë apo kartë identiteti?
Jo, s’kam.
Ke pasur dëshirë të shkoje në ndonjë vend jashtë Shqipërisë?
Po, doja të shkoja në Itali, se atje kisha të fejuarin. /Telegrafi/