ARKATANA

Këmbëngulja e Berishes dhe lodhja e Tiranës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lutfi Dervishi – Çdokush tjetër do ta kishte pranuar fatin e tij. Kur Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli “non grata” në vitin 2021, shumëkush mendoi se karriera politike e Sali Berishës kishte marrë fund. Në politikën shqiptare, pak vendime janë parë si më përfundimtare se ai.

Por Berisha zgjodhi një rrugë tjetër. Nuk pranoi të tërhiqej. Nuk pranoi të dilte në pension. Nuk pranoi as rolin e viktimës dhe as atë të ish-politikanit që pret me nostalgji ditët e lavdisë.

Ai zgjodhi betejën.

Për pesë vjet me radhë luftoi kundër izolimit politik, kundër kundërshtarëve, kundër aleatëve që e braktisën, kundër drejtësisë, kundër kohës dhe, mbi të gjitha, kundër idesë se nuk bëhet betejë me fatin pasi fati tij ishte vulosur.

Nëse sot rezulton se statusi i tij është hequr, mësimi më i madh nuk është për Berishën. Është për politikën shqiptare. Historia e Berishës tregon se në politikë asgjë nuk është përfundimtare. As fitorja, as humbja, as ngritja, as rënia, as nekrologjia politike. (Old soldiers never die)

Shumë liderë janë rrëzuar nga pushteti, por pak prej tyre janë ngritur pasi janë shpallur politikisht të vdekur.

Berisha e bëri këtë më shumë se një herë. Në vitin 1997 u konsiderua i mbaruar. U rikthye.
Në vitin 2013 u konsiderua në pension . U rikthye. Në vitin 2021 u konsiderua i izoluar përfundimisht. Dhe sërish mbeti aktori kryesor i opozitës.

Ky është paradoksi i tij politik: sa herë që shpallet i mbaruar, fillon një kapitull i ri.

Po çfarë ndryshon tani?

Uji Dea

Për vetë Berishën, pak gjëra. Në moshën 81-vjeçare ai nuk ka më nevojë të provojë se mund të mbijetojë politikisht. Këtë e ka provuar.

Pyetja e vërtetë është për Partinë Demokratike.

Për më shumë se tri dekada, PD ka jetuar në orbitën e Berishës. Edhe kur largohej, ai mbetej qendra e gravitetit. Edhe kur humbte, vazhdonte të ishte pika e referimit.

Me heqjen e “non grata”, Berisha fitoi një betejë personale dhe morale.

Por sfida e PD-së mbetet e njëjta: si të ndërtojë të ardhmen pa e pasur gjithmonë të ardhmen të lidhur me të shkuarën.

Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse Berisha mund të fitojë edhe një betejë.

Pyetja është nëse pas fitores së tij të fundit do të fillojë më në fund beteja për epokën pas Berishës.

Historia e liderëve nuk matet vetëm nga aftësia për t’u rikthyer, por edhe nga aftësia për të hapur rrugën. Dhe sot, rrugët e Tiranës po kërkojnë fillimin e një epoke që nuk përcaktohet më nga emrat e vitit 1991, 1998, por nga nevojat e vitit 2026.