RCCOLA

Musliu: Një ligj për zbatim të ligjeve

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

Në Kosovë kemi numër simbolik të aktgjykimeve për krim të organizuar dhe korrupsion. Pra, nëse shihen statistikat, i bie që Kosova është Zvicër, ku sundimi i ligjit është në nivel të kënaqshëm. Kështu është shprehur Betim Musliu, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, në një intervistë dhënë për “Zërin”

Zëri: Cili është niveli i korrupsionit në Kosovë dhe sa shqetësues paraqitet ?

Musliu: Raportet vendore dhe ndërkombëtare vazhdimisht adresojnë nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë dhe kjo padyshim se paraqet shqetësim, sepse ky fenomen sikurse në çdo vend e stagnon zhvillimin e shoqërisë dhe institucioneve në të gjitha sferat e jetës. Kosova si vend i dalë nga lufta është përballur me sfida të shumta në ndërtimin e institucioneve të saj.

Këtu duhet theksuar pushtetin suprem të cilin e ka pasur UNMIK-u dhe kompetencat e rezervuara sidomos në fushën e drejtësisë. Në këtë kontekst, Kosova si vend në transicion, krahas ndërtimit të institucioneve bashkërisht është zhvilluar fenomeni i korrupsionit. Anatemimi i sistemit të drejtësisë vendore dhe funksionimi i brishtë i drejtësisë ndërkombëtare kanë ndihmuar zhvillimin e fenomenit të korrupsionit në Kosovë.

Madje, pikërisht institucionet e drejtësisë janë përballur më së shumti me këtë fenomen, sepse kanë qenë në fokus, për shkak të rëndësisë që kanë pasur dhe për shkak se kanë qenë adresa e vetme për ta luftuar korrupsionin. Kjo pra ka qenë paradoks.

Zëri: Sa po dëmtohet Kosova nga fenomeni i korrupsionit ?

Musliu: Dëmet sikurse në secilin vend, sidomos ato në transicion janë të shumta dhe shpesh të pariparueshme. Fillimisht po ndërlidhem me rrjedhat aktuale politike në vend dhe rrugëtimin e Kosovës, drejtë Evropës. E para qytetarët e Republikës së Kosovës jetojnë një jetë, të cilën nuk e meritojnë, me probleme të shumta në aspektin e sigurisë, drejtësisë dhe mungesë të kushteve elementare.

Dhe së dyti, integrimi i Kosovës në Evropë nuk mund të bëhet pa pasur rezultate në luftimin e krimi të organizuar dhe korrupsionit, të cilët janë paraqitur tashmë si faktorët kyç dhe ku priten rezultate për të zhvilluar vendin dhe për t’ia mësyrë integrimit evropian. Prandaj, dëmet e fenomenit të paluftuar të korrupsionit janë tepër të mëdha për Kosovën, andaj duhen hapa konkretë për luftimin e këtij fenomeni.

Zëri: Në Kosovë ka shumë adresa për luftimin e korrupsionit. Kush janë mekanizmat, cili është mandati i tyre dhe a duhet të jenë të gjithë këta mekanizma në Kosovë?

Musliu: Mekanizmat për luftimin e korrupsionit në Kosovë janë mjegulluar për qytetarët që duan ta luftojnë këtë dukuri. Dhe, kjo nuk ka ndodhur rastësisht, por është bërë me qëllim nga vetë politikëbërësit në Kosovë. Në një vend ku mungon vullneti politik për t’i zgjidhur problemet, krijohet situata sikurse në Kosovë, ku hapen shumë adresa, sikurse ka ndodhur me korrupsionin.

Sot një qytetar i thjeshtë, nëse e ka një rast të korrupsionit për ta denoncuar, nuk e di saktë se ku duhet ta adresojë. A duhet të drejtohet në polici, prokurori, gjykata, Agjencionin kundër Korrupsionit, Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit të Presidencës, apo edhe në linja të shumta të organizatave të shoqërisë civile, të cilat ia huqin shpesh mandatit të vet.

Të gjithë këta mekanizma nuk është se janë bërë pa qëllim, por prapa tyre ekziston qëllimi i mjegullimit të adresës së vërtetë për luftimin e korrupsionit, pra bëhet qëllimisht që mos të luftohet korrupsioni, dhe që në fund të mos kemi një institucion që mbahet përgjegjës.

Thjeshtë kur dikush nuk dëshiron të zgjidh problemin e përgjithëson e mjegullon dhe kështu askush nuk mbahet përgjegjës për dështimin. Kjo po ndodh në Kosovë. Sepse po të shihet legjislacioni ai gjithnjë synon të përshtatet me direktivat e Bashkimit Evropian, por në raste të caktuara këto ligje nuk i përgjigjen kontekstit të Kosovës. Kemi bërë aq shumë ligje, saqë duket se ka ardhur koha, që ta nxjerrim një ligj, për t’i zbatuar ligjet.

Zëri: Sa janë të efektshme këto institucione për luftimin e korrupsionit në Kosovë?

Musliu: Në Kosovë problemi më i madh është sundimi i ligjit, pra te zbatimi i ligjeve. Askush nuk mund t’ia lërë fajin vetëm legjislacionit, i cili mund të ketë mangësi. Po e zëmë në fushën e luftimit të korrupsionit, ka munguar vullneti politik i politikëbërësve që të krijojnë një ligj, i cili ua mundëson sistemit të drejtësisë, luftimin e pasurisë së paligjshme.

RCCOLA

Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale, i cili tashmë është në fuqi, ne si IKD kemi vlerësuar se pothuajse i tëri ka ekzistuar në dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Pra, ky ligj nuk ka sjellë diçka përmbajtjesore në aspektin ligjor, për t’ia lehtësuar punën ta zëmë një prokurori, për ta konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Sikur barra e provës, do të kalonte në këtë ligj, tek i pandehuri, atëherë situata do të ishte ndryshe, kështu si është nuk ka asnjë risi për luftim. Pra, sot pasuria e paligjshme, e cila nuk vërtetohet se buron prej aktiviteteve kriminale, përmes një aktgjykimi të formës, të prerë, assesi nuk mund të konfiskohet. Ky është defekti, i cili vlerësoj se është bërë qëllimisht që mos të preket pasuria e paligjshme e individëve të fuqishëm.

Në Kosovë kemi numër simbolik të aktgjykimeve për krim të organizuar dhe korrupsion, pra nëse shihen statistikat, i bien që Kosova është Zvicër, ku sundimi i ligjit është në nivel të kënaqshëm. Sipas kësaj logjike të politikëbërësve, i bie që shumë pak pasuri e paligjshme të jetë krijuar në Kosovë, bazuar në aktgjykime, por të vërtetën e dimë të gjithë.

Zëri: Çka duhet të bëhet konkretisht që të ketë një qartësi ndërmjet këtyre mekanizmave dhe që të ketë rezultate dhe efikasitet në luftën, kundër korrupsionit?

Musliu: Fillimisht duhet të bëhet qartësimi i institucioneve, të cilat kanë mandate për ta luftuar korrupsionin. Duhet të ekzistoj vullneti i politikëbërësve për të hartuar një kornizë ligjore, edhe më të mirë në fushën e korrupsionit, e cila ua mundëson sistemit të drejtësisë, luftimin e efektshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Duhet të shuhen disa mekanizma të tepërt për ta luftuar korrupsionin, ndërsa duhet të investohet në fuqizimin e sistemit të drejtësisë që të jetë efikas dhe efektiv në punën e vet. Natyrisht, kjo assesi nuk e arsyeton nivelin e korrupsionit në Kosovë. Në fakt, për këtë situatë, kanë kontribuar edhe përgjegjësitë e rezervuara të ndërkombëtarëve.

Mandat ekskluziv për të luftuar korrupsionin në Kosovë, ka EULEX-i. Prandaj, fatura të dështimeve, duhet t’i bartë edhe EULEX-i. Ndërsa, sa i përket sistemit të drejtësisë vendore, ky sistem duhet të përkrahet, duhet të fuqizohet, dhe duhet të lihet rehat nga politika.

Sikundër, që vetë sistemi i drejtësisë, nuk duhet të nënshtrohet dhe duhet ta ruajë pavarësinë e vet, të cilën ia garanton Kushtetuta. Ja dy tabllo kundërthënëse të shtetit ligjor në Kosovë. Zgjedhjet e vitit 2010 u përshkuan me vjedhje dhe manipulime masive të votave dhe derisa kanë ndodhur këto krime, prokurorët kanë ndenjur në shtëpitë e tyre.

Ndryshe, ishte situata me zgjedhjet e 3 nëntorit 2013, ku të njëjta institucione ishin proaktive dhe nuk lejuan vjedhje dhe manipulime të votave. Pra, nëse mund të funksionoj sistemi i drejtësisë dhe t’i jap përgjigje një makinerie të vjedhjes së votave, pse atëherë nuk mund të funksionoj për luftimin e krimeve tjera, si korrupsioni.

Kjo e ngritë nevojën e llogaridhënies së gjykatësve dhe prokurorëve në Kosovë. Pra, kemi të tillë që kur duan e bëjnë punën, por kjo nuk duhet të lihet në vullnetin e tyre, por ata duhet të mbahen përgjegjës. Sa i përket korrupsionit, së fundi vërehen disa hapa formal nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, por të cilët duhet të zbatohen në praktikë.

Zëri: Çfarë hapash janë këta dhe çka pritni konkretisht?

Musliu: Këshilli Prokurorial i Kosovës ka miratuar Planin Strategjik për Bashkëpunim Ndër-institucional në Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa më pas është miratuar Plani i Veprimit për Rritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit. Ky plan në letër duket tejet ambicioz, por planet nuk kanë munguar asnjëherë në Kosovë, por ka munguar zbatimi i tyre.

Prandaj, ashtu siç kërkohet në Plan të Veprimit që të mbahen përgjegjës prokurorët dhe kryeprokurorët, për moskryerjen e rasteve të korrupsionit, duhet të zbatohet me përpikëri. Nëse kjo zbatohet si duhet, besoj se do të ketë zgjidhje të rasteve dhe do të ketë llogaridhënie më të madhe të bartësve të funksioneve gjyqësore. Një hap pozitiv është se së fundi është definuar se çka është korrupsion i lartë në Kosovë, dhe se cilat kategori përfshihen, duke nisur nga Presidenti i vendit e deri tek pozitat e Sekretarëve të Përhershëm.

Por, në fund, më lejoni të përsërisë se pa vullnet politik nuk mund të ketë rezultate në luftimin e korrupsionit. Rezultatet kundër korrupsionit nuk mund të kërkohen vetëm nga Gjykatat dhe Prokuroritë, por ato duhet të kërkohen nga Policia, Dogana, Administrata Tatimore e Kosovës, Inspeksioni dhe EULEX-i. Pa ndihmën e të gjithë këtyre mekanizmave është e pamundur të luftohet korrupsioni./zeri/