MASHT-i skandaloz – greva, përjashtim nga ENQA, dështim në PISA

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Viti 2019 e ka përcjellur me dështime edhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Në janar u ndërpre viti shkollor dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës hyri në grevë, për shkak të paknaqësisë me paga.

Greva zgjati një muaj dersia SBASHK-u bëri marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.

Në shtator, Agjencia e Kosovës për Akreditim u largua nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë së Arsimin e Lartë – ENQA.

“Mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet e AKA”, u përmendën se janë disa nga arsyet e largimit.

Ndërkohë, arsye kryesore u thanë të jenë ndërhyrjet politike në arsim. Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, fajësoi qeverinë dhe politikën për këtë situatë.

Zyra e BE-së kujtoi vendimin e ministrit në detyrë të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, të marrë me kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj, për ta shkarkuar Këshillin Shtetëror të Cilësisë në vitin 2017.

“Të qenët anëtar i kësaj organizate nuk ishte vetëm një arritje e madhe për institucionet e Kosovës, por edhe shumë e rëndësishme për të lehtësuar mobilitetin për studentët dhe të rinjtë e kualifikuar të Kosovës. Ndërprerja e anëtarësimit është një kthim prapa dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikave jo të shëndosha në të kaluarën, siç ishte vendimi i qeverisë në shtator të vitit 2017 për të shkarkuar të gjithë Bordin e Agjencisë pa arsyetimin e duhur”, thuhej në reagimin e Zyrës së BE-së.

Ndërsa, MASHT-i u mjaftua duke thënë se e kanë pranuar me shqetësim lajmin se ENQA, ka konstatuar që Agjencia e Kosovës për Akreditim nuk i përmbushë rregullat evropiane për të qenë pjesë e Asociacionit dhe si e tillë nuk mund të jetë pjesë e ENQA-s.

Mobi Casa

Edhe organizatat joqeveritare në Kosovë, që merren me arsimin, fajësuan politikën dhe keqmenaxhimin e vetë Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Pas kësaj, lajmi i hidhur për arsimin kosovar erdhi edhe pas publikimit të rezultateve të testit PISA.

PISA e rangoi Kosovën të katërtën në listën mes 79 vendeve të botës. Për këtë rezultat zhgënjyes, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci tha për lajmi.net se problem kryesor në sistemin tonë arsimor është mungesa e përgjegjësisë dhe llogaridhënies.

Ndërsa, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha se të gjithë janë fajtor për këtë dështim. Sipas tij, duke filluar nga Akademia e Shkencave të Kosovës bashkë me Institutin Pedagogjik dhe të tjerët, duhet të uën dhe të bëjnë një platformë për arsimin në Kosovë.

Por, ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi nuk pranoi të ishte pjesë e këtij dështimi. Ai u arsyetua duke thënë se nuk kishin kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.

“Nga çka kemi thënë se ne presim rezultate më të mira dhe sot ka disa përmirësime më të mira. Dhe ketë e kemi thënë sepse organizimi ka qenë më i mirë. Tani se kush është përgjegjës ne duhet të diskutojmë në tërësi sepse më së pakti jemi ne, sepse e kemi marrë në kohën vetëm tre muaj para testit. Ne duhet ta shikojmë sistemin arsimor, sepse ky test bëhet në shkollë. Duhet të shikojmë të merremi me kurrikula”, theksoi Bytyqi.

Mirëpo, as kurrikula e re nuk është monitoruar nga askush i MASHT-it edhe pse ka kohë që ka nisur të zbatohet. Madje, askush nuk e di se si punohet në shkolla e as çfarë performance kanë mësimdhënësit.

Që nga viti 2011 ekziston ligji i cili parasheh se të gjithë mësimdhënësit duhet të licensohen, por deri sot ka mbetur vetëm formalitet pasi askush nga MASHT-i nuk ka bërë ndonjë përpjekje që të bëhet vlerësimi i tyre. Skandal i kësaj ministre ishin edhe tekstet shkollore.

Për më shumë se tri javë më parë, lajmi.net ka dërguar pyetje në drejtim të MASHT-it për të gjitha këto çështje, por këta të fundit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje. /Lajmi.net/