Uji Dea

Moderniteti i poezisë së Sabit Rrustemit

/ 34 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Timo Mërkuri – Për vëllimin e III-të të kryeveprës në katër vëllime të Sabit Rrustemit, HYJNORJA IME JE TI, edituar nga Shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë, tetor 2023.

I-
Sa herë që kemi folur për poezinë e Sabit Rrustemit, sidomos për poezinë e tij të dashurisë jemi shprehur se ajo është një poezi moderne, madje kemi cekur disa elementë që shfaqin këtë tipar të saj, por pa u thelluar më tej te elementët që e përcaktojnë atë. Duhet të theksojmë se moderniteti i poezisë nuk lidhet me periudhën kohore të krijimit të poezisë, siç nënkuptohet në disa raste çdo krijim i kohëve modern (të sotme), pasi jo çdo poezi e shkruar në kohën tonë automatikisht është poezi moderne, pasi letërsia ka dëshmuar se dhe në kohën tonë vijojnë të shkruhen poezi tradicionale me tema, ide dhe stile që s’kanë asnjë qasje me modernitetin. Moderniteti nuk ka të bëjë me sfondin modern (industrial etj) poetik, pasi sfondi është jashtë saj, sepse poezia moderne ka primare ndjenjat e njeriut të shprehura me art.

Poezia moderne përdor stilin metaforik, simbolik, imazhit për t’i shprehur ndjenjat e njeriut sa më artistikisht, madje dhe në rastet kur kemi të bëjmë me poezi realiste, përsëri ndjenjat dhe arti poetik janë në qendër të poezisë dhe këto të shprehura me një stil modern, me vargje metaforike, simbolike apo imazhiste sepse poezia moderne konkuron me art poetik ndjesor dhe jo me rregulla të ngurta vargjesh me rimë e ritëm, pasi këto (rima dhe ritmi) janë elementë që shfrytëzohen nga poezia moderne, por ato nuk janë as baza dhe as thelbi i saj.

Të cilësosh moderne poezinë e dashurisë të Rrustemit është jo e lehtë në dukje, për arsyen se kjo poezi sfondin poetik të dashurisë e ka në malin e Çepurit, pranë lëndinave, pemëve dhe burimeve, “truall” që i “përket”poezisë tradicionale: me vasha që shkojnë shtegut e trima që u zënë pritë te burimet për të nisur idilin e tyre romantik. T’i shtojmë kësaj faktin se tema e dashurisë është lëvruar për një periudhë të gjatë kohore në artet gojore, në letërsinë e Rilindjes dhe në poezinë e soc-realizmit ku kanë krijuar traditën dhe klishetë e tyre, të krijohet përshtypja se s’ka vend për poezi dashurie që të jetë pjesë e modernitetit.

Megjithatë, ne themi se poezia e dashurisë e Rrustemit është një poezi moderne dhe provojmë se autori është shkëputur nga poezia tradicionale, madje mund të themi se si poet, ai s’ka patur të bënte me atë në fushën e krijimtarisë. Ajo ka qënë një “lëndinë” ku ai kaloi shpengueshëm me lexime para se të niste ngjitjen shtigjeve të poezisë moderne.

Shkëputja e Rrustemit nga poezia tradicionale, është e dukshme dhe e ndjeshme dhe në rastet kur për efekte stili ai ka patur një qasje pranë saj, të cilën nuk kemi munguar ta vemë në dukje në aspektin pozitiv të frymarrjes së thellë artistike të poezisë. Shkëputja e tij nga tradicionalja është e dukshme sidomos në vargun e tij poetik, larg vargjeve tradicionalë 9-11 rrokësh dhe poezive të gjata. Vargjet e Rrustemit te poezitë e dashurisë janë vargje të shkurtëra, gjë që i jep poezisë një pamje fotografike të një lisi të lartë, si djemtë dhe vajzat kosovare shtat’hollë e të gjatë. Ato janë plot hapësira dhe me zanore që mbajnë ekulibrin poetik nëpër vargje.

Po i ilustrojmë këto përfundime tonat me krijimet e tij përfshirë në vëllimin e III të “Hyjnorja ime je ti” botim i Faik Konicës 2023, dhe elementët poetike që shfaqin modernitetin e poezisë së tij:

II-
Poeti Rrustemi i përdor elementet e natyrës (livadhe, kullota, pyje, burime etj) si një sfond i pasur dhe simbolik për të shprehur emocionet dhe ndjenjat e tij të dashurisë, pse ato i japin poezisë një atmosferë të gjallë e plot ngjyra, thellësinë dhe pastërtinë e ndjenjave të dashurisë dhe jetës në tërësi, i japin poezisë një frymarrje të gjerë. Në këtë aspekt Rrustemi çfaq një novatorizëm poetik pasi për të krijuar poezinë e tij modern ai shfrytëzon sfondin tradicional plot ngjyra, imazhe e simbole, pa qenë nevoja ta zëvendësojë me një sfond modern qyteti apo sfond industrial si i soc-realizmit, me të cilin ai s’pati asnjë qasje. Kjo duket psh. te poezia” “Mbi barin e thinjur”, ku vargjet, “Nën kupolën e Plisit të Kaltër enden retë/ përmes një valsi të përzier”, përdorin elementë (tradicionalë) të natyrës si retë dhe plisi i kaltër, por me ato ai krijon një poezi moderne që simbolizon natyrën dhe emocionet e njeriut. Përdorimi i sfondit poetik tradicional për të ndërtuar poezi moderne, është një vlerë e madhe stili në poezinë e Sabit Rrustemit, stil që krijon një urë midis kohës së sotme dhe pasurisë së thellë kulturore shqiptare, duke sjellë në poezinë shqipe një perspektivë të re e të pasur, ku tregon aftësinë e tij për të eksploruar dhe modernizuar traditën poetike shqiptare me një qasje të freskët dhe origjinale. Le ta shohim këtë arritje të tij konkretisht te disa vargje poetike të këtij libri ku disa vargje poetike shfaqin modernizimin e simboleve tradicionale në poezi:

Nga poezia “Pushtim i ëndërrt”, në vargjet:
“Ti hyre tërësisht në mua
duke kaluar pragun e portës
pa një fjalë të vetme
Theve dhe drynat e ndryshkur
dhomave të shpirtit pa çelës më le
Çdo gjë timen të dëshirtë
të ëndërrt e pushtove”

autori përdor simbolin e pragut dhe çelësit për të përshkruar pushtimin e ëndrrave, ku simbolet e përdorura janë tradicionale, por mënyra se si ato janë përdorur dhe harmonizuar për të përshkruar një ngjarje të brendshme është karakteristikë e poezisë moderne.

Të poezia “Vjeshta nëpër trupin tënd”, në vargjet:
“Vjeshta nëpër trupin tënd
mbjell lule ngjyrë ndezura
Petaleve të tyre afroji buzët
lë pak aromë
se ua vodhi era
Mos harro që dikë e ke diku
dikush ngrohet në zjarrin që fsheh ti”
përdor simbolin e vjeshtës nëpër trupin e një personi për të përshkruar proceset e ndryshimeve dhe kalimit të kohës. Vjeshta është një simbol tradicional që është modernizuar për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e autorit. Po ashtu te poezia “Ditët që s’vinin as iknin pa ne” në vargjet:
“Kam harruar në cilën stinë e pashë
atë Ëndërr Jete
Di vetëm se u kapëm përmes një buzëqeshjeje
ngjyrës jeshile që të shpon edhe në pikë nate
përmes një pamjeje të zënë mbi një Urë
diku Grykës”

ai përdor simbolin e ëndrrës për të përshkruar një moment të rëndësishëm në jetën e tij. Ëndrra është një simbol tradicional, por që këtu shfaqet në një mënyrë të re dhe moderne. Këto vargje tregojnë se si Rrustemi modernizon mjeshtërisht simbolet tradicionale duke i përdorur ato për të shprehur ndjenja dhe ide të reja, duke krijuar kështu poezi moderne dhe të pasur me thellësi emocionale. Me këtë rast theksojmë se një arritje e veçantë e poetit është modernizimi i simboleve dhe përdorimit i tyre për të shprehur ndjenjat dhe mendimet e tij të bashkëkohshme. Ai i ngarkon ato me një lloj abstraktësie dhe metaforash që i japin një dimension të ri, duke i dhënë poezisë së tij një ndjenjë të freskët dhe të kohës.

Siç e pamë, poeti përdor simbole tradicionale për të shprehur ndjenja e mendime të thella që janë karakteristika të poezisë moderne, nëpërmjet fjalës artistike dhe jo stilit deklarativ, dhe nëpërmjet përdorimit të këtyre simboleve tradicionale të kombësisë shqiptare, ai e lidh lexuesin e sotëm me pasurinë dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Ai përdor këto simbole për të bërë poezinë e tij relevante edhe për kohën moderne.

III-
Në vështrimin e modernitetit poetik, poezitë e Rrustemit ndjekin një strukturë të lirë, ato nuk janë të krijuara me rregullat tradicionale të poezisë, ato nuk ndjekin një model të rregullt të rimave ose strofave, duke shfaqur një ndryshim të qartë nga poezia klasike e periudhës së Rilindjes, e cila ka përdorur shpesh struktura të rregullta dhe rima të thjeshta. Psh, vargjet e poezisë “Mbi barin e thinjur”: “Nën kupolën e Plisit të Kaltër enden retë / përmes një valsi të përzier / Hapat e mi lënë gjurmë / mbi barin e thinjur nga bryma” tregon një shembull të qartë të strukturës së lirë, ku fjalia është e ndërlikuar dhe imazhet janë të ndara lirshëm, duke krijuar një përshtypje moderne dhe abstrakte.

Poezia e tij është e mbushur me imazhe të ngjashme me ëndrrat dhe simbole të shumta, stil ky i të shkruarit shumë abstrakt dhe modern, ndryshe nga poezia klasike e periudhës së Rilindjes që shpesh përdorin simbole dhe metafora të kuptueshme lehtësisht apo të huazuara nga poezi të tjera. Kështu te poezia “Ditëve që s’vinin as iknin pa ne”, te vargjet:”Stina që vjen zgjat ëndrrën / rrugën time kah ajo hyjni / që banon brenda asaj zemre prej luleje / që nuk e shoh” përdorimi i fjalëve të tilla si “hyjni,” “prej luleje”, shpërfaq një gjuhë të pasur dhe një kreativitet të lartë letrar, duke i vendosur në një sfond me imazh të ëndërrt.

Poezia e Rrustemit nuk është e influencuar nga ideologjia politike, e cila ishte një element kryesor në poezinë e soc-realizmit, ai nuk shkruan për vajzat montatore të lartësive industriale apo bujkesha të rendimenteve të larta. Në vend të tyre, poezia e tij përqëndrohet në ndjenjat personale, emocionet, tema universale e dashurisë, mungesës, dhe vetërefleksionit etj.
Rrustemi përdor një gjuhë të lirë dhe ekspresive, pa u kujdesur për rregullat e rrepta të gjuhës ose rimave të rregullta. Ky lloj i përdorimit të gjuhës është shumë modern dhe shpesh bën përdorim të fjalëve dhe shprehjeve që nuk janë tipike për poezinë tradicionale. Psh: te vargjet e poezisë “Vjeshta nëpër trupin tënd”: “Petaleve të tyre afroji buzët / lë pak aromë / se ua vodhi era”, shfaq lirinë e ekspresionit, duke përdorur një imazh të fuqishëm për të përshkruar ndryshimin e aromës së luleve. Ky imazh është abstrakt dhe i ngjashëm me ëndrrat, duke e bërë atë të përshtatshme për një poezi moderne. Po ashtu vargjet nga poezia “Trupi yt mbi sipërfaqen time”: “Nuk po rrotullohet toka / rreth bushtit / sall trupi yt mbi sipërfaqen time”, shfrytëzon një gjuhë të lirë dhe përdor fjali të shkurtra për të shprehur një mendim ose ndjenjë të thellë. Ky lloj i shprehjes është karakteristikë e poezisë moderne dhe lejon poetin të përdorë fjalët në mënyrë kreative për të ndikuar tek lexuesi.

Moderniteti në poezinë e Rrustemit shfaqet dukshëm në përdorimin e fjalëve dhe gjuhës, ku poeti përdor një gjuhë të pastër dhe të lirë, të pasur me imazhe dhe metafora të fuqishme. Poezitë e tij karakterizohen nga një gjuhë emocionale dhe personale, ai përdor fjalë e shprehje që shfaqin ndjenjat dhe emocionet e tij personale, duke krijuar një lidhje të thellë me lexuesin. “Gjuha emocionale dhe personale” në kontekstin e poezisë përcakton përdorimin e një gjuhe të ngrohtë, që shpreh ndjenjat dhe emocionet e autorit në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe intime. Kjo shprehje tregon se poeti shfaq ndjenjat, mendimet, dhe emocionet e tij personale në poezi, dhe krijoj një lidhje të ngushtë me lexuesin duke i bërë atij të ndjehet tërhequr drejt poezisë së tij.

Përdorimi i gjuhës emocionale dhe personale në poezi do të thotë që autorin e ndjekim me thjeshtësinë dhe ndjeshmërinë e gjuhës së tij, kjo bën që poezia të reflektojë më mirë thellësinë e ndjenjave dhe përvojave personale të autorit, dhe në të njëjtën kohë, e bën poezinë më të qasshme për lexuesin, duke e lejuar atë të lidhet me emocionet dhe mendimet e autorit.

Në shembujt e poezive të Sabit Rrustemit, gjuha emocionale dhe personale shfaqet përmes përdorimit të fjalëve dhe imazheve që ndihmojnë në shprehjen e ndjenjave të thella dhe ndjenjave personale të poetit. Kjo bën që lexuesi të ndihet më afër dhe të lidhet më mirë me poezinë dhe mesazhin që ajo përcjell. Psh vargje: “Vjeshta nëpër trupin tend / mbjell lule ngjyrë ndezura” nga poezia “Vjeshta nëpër trupin tënd” ku përdorimi i fjalëve si “mbjell,” “lule,” dhe “ngjyrë ndezura” krijon imazhe të forta dhe të ngjashme me ëndrrat, modernitet i gjuhës ky që ndihmon lexuesin të krijojë imazhe mentale të pasura dhe të ndjeshme, të cilat përforcojnë thellësinë e poezisë.

Po ashtu te poezia “Aty ku dashuria la emër” vargjet: “Bjeshkët e Nemuna ma fshehin pas shpine / atë rriskë dielli / që kuqëlon ato copëza qielli pa re”, përdorin fjalë të fuqishme dhe imazhe të ngjashme me ëndrrat për të përshkruar natyrën dhe kuptimin e dashurisë. Gjuha e lirë dhe moderne e përdorur këtu krijon një ndjenjë të pasurisë së poezisë.

Poezia e Sabit Rrustemi nuk idealizon hiret e vashës si në poezinë tradicionale, por i kushton rëndësi ndjenjave shpirtërore të saj. Psh. te poezia “Vjeshta nëpër trupin tënd” kemi vargjet:”Petaleve të tyre afroji buzët / lë pak aromë / se ua vodhi era” vargje që përcjellin një imazh të ndryshuar të vajzës, pse ajo nuk është e përshkruar si një ideal i përkryer, por si një individ me aromat e saj, të cilat ndikohen nga mungesa e të dashurit. Kjo sepse vajza që dashuron Rrustemi nuk është ideali i ndonjë vajze naive tradicionale që kullot qingjat e kecat në lëndinë, ajo është një vajzë bashkëkohore, me një vizion kulturor e jetësor bashkëkohor ndaj poeti i drejtohet asaj me fjalë të zgjedhura dhe ajo që ka rëndësi është se kuptimi i tyre është metaforik, simbolik ose imazhist, të cilat vajza i kupton dhe i ndjen, gjë që tregon se ajo është një vajzë e arsimuar. Këtu duhet të theksojmë se stili i folur në poezinë e Rrustemit është i ngjashëm me një bisedë personale, duke e bërë atë të lidhet më ngushtë me lexuesin, ku përdorimi i fjalisë së drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë ndihmon të shpërndahet thellësia e poezisë në mënyrë të qartë.

Te poezia “Ditëve që s’vinin as iknin pa ne”, vargjet: “Puthjen e saj e kam pritur / si atë pikë shiu n’Saharë” ku, puthja e vashës nuk është e përshkruar si një triumf, por si një pritje e gjatë për një moment të dashurisë. Përmbajtja e këtyre vargjeve tregon një përqasje më të ndryshme ndaj rolit tradicional të vashës në poezi. Rrustemi tregon një vashë me ndjenja dhe emocione të saj të veçanta, duke i dhënë një thellësi dhe kompleksitet që nuk është e zakonshme në poezinë tradicionale ku vasha është shpesh ideale dhe symbol bukurie më shumë se njeri me ndjenja. Kjo shkëputje është një manifestim i modernizmit në poezinë e Rrustemit dhe thellon përshkrimin e ndjenjave njerëzore më shumë se idealizmi tradicional i vashës. Po kështu vargjet e poezisë “ Duke vrojtuar yjet”: “Duke vrojtuar yjet / pas asaj Ëndrre të Fshehur / më mashtron gjumi” tregojnë një ndjenjë të thellë të emocioneve dhe përqendron vëmendjen tek mungesa e ëndrrës. Emocioni është një element domethënës i poezisë së Rrustemit.

Krahas universalitetit, poezitë e dashurisë të Rrustemit shfaqin dhe tipare të karakterit shqiptar, si besnikëria dhe dhimbshuria për femrën, ku disa prej këtyre elementëve janë të dukshëm në poezitë e tij:

Rrustemi shpreh një besnikëri ndaj dashurisë dhe vajzës që ai dashuron, ai përdor imazhe për të treguar se dashuria e tij është e pandryshueshme dhe e përhershme, kjo besnikëri në dashuri është një tipar i rëndësishëm i karakterit shqiptar. Kështu psh. në poezinë “I trandur prapë nga e njëjta ëndërr” ai shpreh dëshirën për të qëndruar besnik ndaj dashurisë së tij, edhe pse mund të ketë ndjenja trishtimi dhe pritjeje. Vargjet tregojnë përkushtimin e tij ndaj femrës së dashur: “i trandur prapë nga e njëjta Ëndërr/askënd tjetër si Ty s’e desha Zemër”. Në poezinë “Ditëve që s’vinin as iknin pa ne,” ai përdor vargje që shprehin ndjenjën e thellë të përkushtimit që ka për të. Ai ndjehet i hutuar në dashurinë e saj, dhe shfaq një besnikëri të palëkundur ndaj saj kur shkruan:”Puthjen e saj e kam pritur/si atë pikë shiu n’Saharë”.

Në poezitë e tij ndeshemi me elemente të dhimbshurisë e të ndjeshmërisë ndaj femrës, ku poeti përshkruan emocionet e veta ndaj saj si një fuqi e përjetshme dhe e mrekullueshme. Kjo ndjenjë dhimbshurie për femrën është tepër e zakonshme në artet gojore dhe në poezinë shqipe, ajo reflekton një tipar të rëndësishëm të karakterit shqiptar, ku respekti dhe ndjeshmëria ndaj femrës kanë një vend të veçantë. Kështu psh në poezinë “Aty ku dashuria la emër,” ai shpreh ndjenjat e vlerësimit për vajzën e dashur dhe dashurinë e tij ndaj saj. Vargjet e tij zbulojnë një përkushtim të fortë; “Aty ku dashuria lë emër/kurrë s’më shihni të zbrazur”, botë shpirtërore e poetit që gjendet në gjithë krijimtarinë e tij poetike.

Poeti përdor me finesë kombinimin e elementeve të ndryshme, psh vargjet e poezisë “Rigoj prajshëm trupin tënd”: “Rigoj prajshëm trupit tend / sipërfaqes së lagur / prehje kërkoj” kombinon elemente të natyrës (“Rigoj prajshëm,”, “sipërfaqes së lagur”) me ndjenja dhe kërkesa personale (“prehje kërkoj”), kombinim i elementeve të ndryshme që është një tjetër karakteristikë e poezisë moderne..
Sabit Rrustemi vazhdon të eksplorojë ndjenjat, mendimet dhe emocionet në një mënyrë moderne dhe të personalizuar.

Stili i tij tërheq lexuesit duke e bërë atë të ndjehet dhe të reflektojë mbi thellësinë e poezisë së tij modern, e cila është një kontribut i rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe shpreh një mënyrë të ndryshme të të shkruarit e poezisë në epokën moderne. “Nëpër çdo pore / hyr e dil pa frikë” shkruan poeti te “Trupi yt mbi sipërfaqen time” duke dhënë një pamje vizuale “çdo pore” dhe “hyr e dil pa frikë” që të mbetet në mendje edhe për kontrastin fin midis fjalës dhe heshtjes, kontrast që është një element modern në poezinë e Rrustemit dhe ku përdorimi i imazheve të tilla si “çdo pore” dhe “hyr e dil pa frikë” krijon një përjetim vizual të fuqishëm që ndikon në lexuesin dhe e bën poezinë më të shpërndarë.

Temat e poezisë së Sabit Rrustemit janë universale, duke përfshirë dashurinë, shpresën dhe jetën, tema që shfaqen më gjerë në poezinë moderne dhe ndihmo-jnë lexuesin të identifikohet me poezinë. Kështu psh vargjet “Hajt gëzuar dashuria ime / për shpresën që rron edhe pas vdekjes” shpreh një universalitet në hapësirë dhe kohë. “Aty ku dashuria lë emër / kurrë s’më shihni të zbrazur / e pa një mal ëndrrash të reja” shkruan ai te “Duke vështruar yjet”, varg që shpreh se dashuria i jep një identitet dhe një qëllim poetit, duke e përmbushur atë në mënyrë thelbësore, pse dashuria është premtuar si një fuqi që i jep kuptim jetës dhe sjell të ardhme të lumtur.
Duhet të qartësojmë se: ndërsa temat e poezive të Rrustemit janë universale, stili poetik është tipik i tij, stil që ndikon te poeti që universalen ta plotësojë me të përvetshmen, të përhershmen e mbush mjeshtërisht me përditshmëri.

Siç e shohim, moderniteti poetik i Rrustemit është një kostelacion elementësh që e dritësojnë poezinë dhe ta drithërojnë shpirtin gjatë leximit të saj në çdo varg dhe në secilin krijim. Poezia e tij është një kontribut i rëndësishëm në letërsinë shqipe dhe shërben si shembull i poezisë moderne që eksploron thellësinë e shpirtit dhe emocionet njerëzore në një mënyrë tjetet kreative dhe shprehëse. Poezia e tij flet me art poetik modern ashtu si trëndafili flet me bukurinë dhe aromën e tij.

IV-
Opusi poetik i Sabit Rrustemit ka tituj të pasur me konotacione simbolike, metaforike, imazhiste dhe realiste, duke filluar qysh me titullin e opusit dhe duke vazhduar me titujt e poezive të veçanta të tij, disa prej tyre janë shumë simbolike dhe metaforike, ndërsa disa të tjerë janë më realiste. Te titulli “Hyjnorja ime je ti” Rrustemi përdor një gamë të gjerë mjetesh artistike për të krijuar një atmosferë të thellë dhe të pasur, ku ne mund të identifikojmë disa tipare të rëndësishme:

Uji Dea

Ai është një titull i kompozuar artistikisht dhe ka një strukturë eufonike që bën përshtatje të këndshme. Përdorimi i fjalës “Hyjnorja” i jep një dimension të lartë dhe mistik, ndërsa “ime je ti” krijon një lidhje personale dhe emocionale që përcjell thellësinë e ndjenjave të autorit.
Përdorimi i fjalës “Hyjnorja” sugjeron një dimension mistik e shpirtëror, ku ky titull mund të interpretohet si një kërkesë për të zbuluar thellësinë e shpirtit dhe lidhjen me një fuqi më të madhe ose të paqartë.
Titulli është i pasur me metafora e simbole që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, ku “Hyjnorja ime” mund të jetë një simbol i dashurisë së madhe, ndërsa “ti” mund të jetë personi i dashur, vajza që ai dashuron apo dhe ëndërron.

Ky titull ka një ndikim psikologjik që e lidh lexuesin me ndjenjat e thella të autorit, pasi pas kësaj ai mund të shfaqë një kërkim për identitetin, dashurinë, dhe kuptimin e jetës.
Dukshëm titulli krijon efektin e shtimit të kuriozitetit dhe interesit të lexuesit, pasi ai është i veçantë, misterioz, dhe ka një ndjenjë të thellësisë së mendimit. Përdorimi i një gjuhe poetike dhe fjalëve të forta, si “Hyjnorja” dhe “ti,” nxitin lexuesin të pyesë se çfarë mund të kujtojë ky titull dhe të kërkojë më tej për kuptimin e tij në kontekstin e librit ose poezisë. Ky efekt i shtimit të kuriozitetit është një element i rëndësishëm i krijimit letrar, pasi e bën librin ose poezinë më tërheqëse për lexuesin. Lexuesit shpesh janë tërhequr nga titujt që janë të ngjashëm me një enigmë ose që ngjallin ndjenjën e një pasurie të fshehur thellë në tekstin që do të lexojnë. Për autorët dhe poetët, përdorimi i titujve të tillë të ngjashëm me “Hyjnorja ime je ti” është një mjet efektiv për të ndikuar në interesin e publikut dhe për të përcjellë thellësinë dhe misterin e veprës së tyre. Ky titull është një thirrje për lexim dhe për të zbuluar më shumë për botën dhe mendimet e autorit në poezinë e tij.

Sigurisht që edhe titujt e poezive të këtij opusi kanë të njëjtën natyrë p.sh. titulli i poezisë “Ato faqe stinësh që blerojnë” përdor mjetet artistike për të krijuar një imazh të pasur dhe misterioz që nxit kuresthjen e lexuesit, ku disa nga mjetet artistike të përdorura në këtë titull janë:
Ky titull përdor metaforën e “faqe stinësh” për të përshkruar diçka që “bleron” ose sjell një përvojë të caktuar. Kjo metaforë tregon se titulli nuk është rastësor, por ka një kuptim më të thellë dhe simbolikë që do të zbulohen në përmbajtjen e poezisë.

Përdorimi i metaforës, “faqe stinësh” krijon një imazh poetik që e lidh poezinë me natyrën dhe stinët, duke sjellur një atmosferë të veçantë dhe krijon pritshmëri për të lexuar mbi temën e poezisë.

Përdor mjeshtërisht elementin e misterit dhe kuriozitetit për të tërhequr lexuesin te “Ato faqe stinësh që blerojnë” nxit shpërbërjen e misterit dhe dëshirën e lexuesit për të kuptuar më shumë. Titulli ka një mbingarkesë semantike, pasi përfshin koncepte të ndryshme, duke e bërë atë më intrigues dhe thellë.

Po kështu titulli “Mbi barin e thinjur” i një poezie tjetër përdor mjetet artistike për të krijuar një imazh të fuqishëm dhe simbolik që përcjell thellësinë e poezisë ku:

Përdorimi i metaforës së “barit të thinjur” për të shfaqur diçka që është në një gjendje të pashpërthyeshme, të plakur ose të pashpresë, duke nxitur kureshtjen e lexuesit dhe e udhëzon atë drejtë një teme të rëndësishme dhe simbolike që do të trajtohet në poezi.

Vetë shprehja “barin e thinjur” krijon një imazh poetik që tregon për një gjendje të vështirë dhe sfiduese. Ky imazh vë në dukje një pamje të “plakur” dhe thellësinë e situatës që do të shpaloset në poezi.

Titulli përdor një simbolizëm të qartë që e lidh me temën më të gjerë të poezisë. Bari i thinjur mund të interpretohet si simbol i vështirësive të jetës, sfidave, momenteve të vështira në jetën e njeriut. “U thinja brenda një ore” thotë një shprehje popullore. Së fundi ky titull nxit lexuesin të lexojë më tej për të zbuluar se çfarë ndodh në poezi dhe për të kuptuar thellësinë e kësaj gjendjeje të barit të thinjur. Përdorimi i këtyre mjeteve artistike në titull ndihmon në krijimin e një atmosfere zhbiruese në përcjelljen e një teme të rëndësishme dhe simbolike..

Si përfundim, titujt e përdorur nga Rrustemi si në libra ashtu dhe në poezi, janë tituj me konotacione simbolike, metaforike, imazhiste dhe realiste, janë një paraqitje artistike e “portës” hyrëse në poezinë e tij, duke qenë njëkohësisht dhe një ftesë e fuqishme për të lexuar poezinë dhe për të eksploruar temat, imazhet, dhe ndjenjat që do të shpalosen. Autori krijon një atmosferë misterioze dhe sugjeron se poezia do të shkojë përtej realitetit dhe do të hedhë dritë mbi një dimension tjetër të jetës ose eksistencës. Ky tipar i titujve poetikë te Rrustemi shfaqet si një element tipik i modernitetit të poezisë së tij.

V-
Poezia e Sabit Rrustemit shfaq tipare psikologjike dhe filozofike që theksojnë ndjenjat dhe mendimet e thella të autorit duke e shpalosur modernitetin e poezisë së tij në mënyrë të ndjeshme. Realisht tema e dashurisë ka një ndikim të thellë psikologjik në poezitë e tij, ku ai eksploron ndjenjat, emocionet dhe misterin e dashurisë në një nivel personal dhe emocional.
Në vargjet e tij, poeti shpreh një ndjenjë të thellë nostalgjie për kohët e kaluara dhe dashurinë e humbur, aspekt psikologjik ky që përcillet nëpërmjet imazheve poetike. Nostalgjia e tij shfaqet në vargjet që përforcojnë mungesën dhe dëshirën për të kaluarën e ëndrruar: “Kam harruar në cilën stinë e pashë / atë Ëndërr Jete”

Rrustemi shpreh një ndjenjë të vetmisë dhe ndarjes në poezitë e tij, kur trajton dashurinë si një përvojë e thellë dhe ngjarje që ndryshon shpirtin. Ky aspekt psikologjik përcillet nëpërmjet vargjeve që përforcojnë ndjenjën e vetmisë, psh.: “Për kokën e më të shenjtit / as që mund të dëboj më”.

Në aspektin filozofik poeti shfaq vetë refleksionin dhe kërkimin e thellë të kuptimit të jetës dhe dashurisë në poezitë e tij, duke përdorur vargje filozofike që shprehin pyetje mbi kuptimin e jetës dhe dashurisë, psh te vargjet “Aty ku dashuria lë emër / kurrë s’më shihni të zbrazur”.

Poeti përdor një lloj ekzistencializmi (një lloj filozofie që thekson rëndësinë e ekzistencës së individit dhe të lirive të tij, dhe shprehet nëpërmjet qëndrimit individual, absurditetit, lirisë individuale, rebelimit etj) e që shpreh ndjenjën e jetës si një rrugëtim i panjohur dhe një kërkim për kuptimin e saj. Aspekti filozofik përcillet nëpërmjet imazheve e simboleve të tij, psh vargjet: “Shtrëngojnë shpirtin tënd / e shpirtin tim”.

Në poezinë e Rrustemit gjen ndjenjën e kohës dhe eksistencës që flet për perceptimin e kohës dhe ndikimin e saj në ndjenjat dhe perspektivën tonë të eksistencës, psh. vargje të tilla si “Ditëve që s’vinin as iknin pa ne” përcjellin këtë ndjenjë të pazakontë të kohës.

Aty përballesh dendur në vargje me lidhjen dhe ndikimin nëpërmjet natyrës drejt zemrës, me një ndikim të thellë filozofik mbi marrëdhënien midis njeriut dhe mjedisit të tij.
Poezia e tij paraqet një qasje mistike ndaj frymës dhe jetës, duke eksploruar misterin dhe thellësinë e qenies së njeriut. Meqenëse kjo qasje shfaq interes për t’u trajtuar më gjerësisht sqarojmë se në poezitë e Rrustemit shfaqen tipare të konceptit dhe mendimit mistik për jetën, ku poeti eksploron thellësinë, misterin e ekzistencës dhe frymën njerëzore. Le ta shohim më konkretisht në disa vargje poetike këtë element mistik, në kontekstin e modernitetit të poezisë së tij:

Në poezi të tilla si “Duke vrojtuar yjet “poeti paraqet ekzistencën si diçka të pazakontë dhe misterioze, duke e krahasuar me yjet që janë vëzhgues të jetës së tij dhe qenies së tij, psh. vargu: “Duke vrojtuar yjet / pas asaj Ëndrre të Fshehur / më mashtron gjumi” i cili paraqet misterin e ekzistencës dhe perceptimin e tij si një ëndërr e fshehur që i mbulon sytë dhe mendjen.

Poezitë e tij shpesh përdorin imazhe nga natyra për të përshkruar misterin dhe lidhjen midis njeriut, natyrës dhe frymës së tij, psh. vargjet: “Nën hijen e fluturimit të saj / përgjumet mali / deri në agun e ri” nga poezia “Duke vrojtuar yjet” ku natyra dhe fluturimi shfaqen si simbole të frymës së njeriut dhe lidhjes së tij me natyrën dhe misterin.

Në poezi të tilla si “Ditët që s’vinin as iknin pa ne” nëpërmjet vargjeve : “Kam harruar në cilën stinë e pashë / atë Ëndërr Jete” poeti shpreh refleksionin mbi ngjarjet e jetës dhe humbjen e kohës apo ngjarjeve të rëndësishme, duke kërkuar kuptim dhe mënyra për t’i interpretuar ato në një nivel më të thellë.

Poezitë e tij shpesh ndërthurin misterin dhe transcendentalizmit, e cila është një lloj filozofie dhe lëvizje letrare e zhvilluar në shek. XIX në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizje që ka theksuar rëndësinë e ndjenjës së misterit dhe të “transcendentalit” ( tejkalimin e të zakonëshmes, përtej asaj që është e dukshme apo materiale). Transcendentalistët besonin se njerëzit kishin aftësinë për të arritur nivelin më të lartë të vërtetësisë ose dijes përmes mendimit dhe reflektimit thellësor, duke sugjeruar një marrëdhënie të veçantë midis qenies njerëzore dhe një bote më të madhe ose më të lartë. Vargjet: “Stina që vjen zgjat ëndërrën / rrugën time kah ajo hyjni / që banon brenda asaj zemre prej luleje / që nuk e shoh” (nga poezia “Duke Vrojtuar Yjete”) paraqet një ndjenjë të misterit dhe lidhjen me diçka më të lartë ose transcendentale.

Këto elemente paraqesin një qasje mistike ndaj jetës dhe ekzistencës në poezitë e Rrustemit, duke e bërë atë një poet të veçantë që eksploron mendime të thella dhe koncepte mistike në poezinë moderne të tij.
Është interesante se edhe titujt e poezive të Rrustemit shfaqin tipare filozofike dhe psikologjike, psh:
Titulli “Ditët që s’vinin as iknin pa ne” shpreh ndjenjën e kohës si diçka e padefinueshme dhe ndikimin e saj në eksistencën tonë.
“Pushtimi i ëndërrt ” paraqet dashurinë si një pushtim misterioz, të ëndërrt.
“Trupi yt mbi sipërfaqen time ” shpreh mendimin filozofik të lidhjes midis trupit dhe ekzistencës, dhe ndikimin e kohës në jetën tonë.
Titulli “Duke vrojtuat yjet ” flet për vëmendjen ndaj natyrës dhe frymës, duke reflektuar mbi misterin e jetës dhe ekzistencës së njeriut, etj.
Këto tituj, ndërsa tregojnë se poezitë e Sabit Rrustemit trajtojnë temat filozofike dhe psikologjike në mënyrë thellë e reflektuese, shfaqin pasurinë e mendimeve dhe ndjenjave të thella psikologjike dhe filozofike, duke shpërndarë mesazhe të thella për jetën, dashurinë, kohën dhe ekzistencën, dhe shfaqin refleksione të thella mbi të vërtetat dhe misteret e qenies njerëzore, duke plotësuar portretin e tyre modern.

VI-
Një aspekt i modernitetit poetik të Sabit Rrustemit shfaqet te krijimi i poezive simbolike, metaforike, dhe imazhiste, ku shprehet simbolilikisht, metaforikisht dhe imazhisht për ndjenjat dhe mendimet e tij, duke krijuar një lloj lirshmërie artistike dhe interpretimi të thellë për lexuesin. Poezitë nuk janë të orientuara drejt një realiteti të thjeshtë, por shfaqin një ndjenjë më të thellë dhe ndjeshmëri emocionale nëpërmjet një niveli të epërm artistik. Në krijimtarinë poetike të tij përgjithësisht dhe te opusi“Hyjnorja ime je ti” në veçanti do të gjeni:

Shumë prej poezive të tij janë simbolike pasi ai përdor simbole që përfaqësojnë ndjenjat e thella dhe ide të përgjithshme, psh.poezitë: “Male të panumërta dogja, “Oxhakun e shpirtit nxiva”, “Kështjella e dridhur mbi kodra të thata” etj. Vargjet “Në qelinë e zemrës time, ti je kurorë e shtrenjtë.” (Poezia: “Dashuria ime”),”Toka lehtësohet nën hapat e tu, si një shteg i shpërbërur në dritën e mëngjesit.” (Poezia: “Dashuria ime”) etj shfaqin tiparin simbolik të poezisë të cilës i përkasin.

Sabit Rrustemi ka krijuar poezi metaforike duke përdorur metafora të pasura për të përshkruar ndjenjat dhe emocionet, psh. “mali i shpirtit” është një metaforë që tregon për gjendjen shpirtërore dhe thellësinë e shpirtit, sidomos përmes vargjeve, “Male të panumërta dogja / oxhakun e shpirtit nxiva “, të cilat dëshmojnë forcën metaforike të poezisë.

Poezitë e tij imazhiste dhe vizuale ndihmojnë lexuesin të krijojë pamje momenti të thella, psh vargjet: “Vjeshta nëpër trupin tënd / mbjell lule ngjyrë ndezura.” (Poezia: “Lulet e vjeshtës ), Poezia “Rigoj prajshëm’” përdor imazhe të prirura drejt natyrës për të përshkruar gjendjen emocionale të autorit, si vargjet “Rigoj prajshëm trupit tënd”,”prajshëm rigoj në natën që hesht” . Po kështu te poezia “Dejve që zjarrmojnë dashuri” përdor një imazh të udhës dhe mbylljes së dyerve dhe dritareve për të përshkruar udhëtimin e dashurisë dhe mbylljen e ndjenjavete vargjet: “Kot thyej udhën të mos ndeshem me ty” dhe “aromë shpirti dejve që zjarrmojnë dashni” dhe shumë të tjera. Duhet të kuptojmë se metaforat, simbolet dhe imazhet nuk janë shartesa në trungun poetik , ato janë degët ku çelin lulet dhe lidhen frutat.

Përtej simboleve dhe metaforave, disa prej poezive të tij përmbajnë elemente realiste, por ato gjithmonë ndërtohen në një kontekst poetik që nuk është tërësisht realist dhe me vargje plot metafora, simbole dhe imazhe. Ky kombinim i stileve të ndryshme në poezinë e Sabit Rrustemit, e bën atë një poet modern që eksploron emocionet dhe mendimet në mënyra të thella dhe të pasura dhe sjell një risi poetike në letërsinë shqipe.

VII
Duke analizuar figurat artistike në poezinë e Sabit Rrustemit vërejmë se ato janë më shumë të pranishme në sferën e natyrës, emocioneve, dhe ndjenjave të poetit dhe për faktin se këto shpesh shfaqin emocionet, dashurinë, reflektimin dhe lidhjen me natyrën në një mënyrë të veçantë e të pasur artistike. Ambienti që përdoret për të paraqitur këto figura artistike është më së shumti ambienti natyror dhe ai i ndjenjave të thella të individit. Jo vetëm Rrustemi por gjithë poetët e kësaj kategorie kanë tendencën të shfrytëzojnë natyrën, emocionet, dhe mendjet e tyre për të shprehur idetë dhe ndjenjat e tyre, gjë që është pothuajse gjithmonë e pranishme në poezi.
Theksojmë se tipike për poezinë e Rrustemit është fakti që, figurat artistike të tija janë shpesh të shoqëruara me një qasje më të përgjithshme dhe filozofike ndaj jetës, dashurisë, dhe eksistencës, duke përdorur imazhe dhe metafora për të paraqitur ide dhe mendime të thella mbi këto tema. Kjo i jep poezive të tij një karakter të veçantë dhe të thellë artistik. Psh poezia “Vjeshta nëpër trupin tënd“ përdor figurën e vjeshtës në trupin e vajzës për të paraqitur ide mbi ndryshimet, kohën, dhe shpërndarjen e frymës, duke shprehur në këtë mënyrë një qasje filozofike ndaj jetës dhe ngjarjeve, dhe përdor metafora të pasura për të paraqitur mendime dhe emocione të thella mbi eksistencën dhe ndjenjat. Po kështu disa vargje nga poezia “Dashni jete” e shoqërojnë me qasjen filozofike ndaj dashurisë dhe jetës: “Shka me i ba le t’ kënaqet qysh ka dashtë/ dashnia kapet edhe për nji fije kashtë/Mjegull nuk ra as qiella nuk u vrejt/kurdo dhimta mue me m’ mejtë/u shfaq si dritë e shejtë” duke treguar se dashuria është një ndjenjë që mund të kapet në momente të papritura dhe se ajo mund të shfaqet si diçka e shenjtë dhe e pazakontë në jetën tonë. Poeti përdor imazhet e natyrës për të përshkruar ndjenjat e thella dhe të pasura që shoqërojnë dashurinë dhe eksistencën.

IX
Të shëtisësh mes elementëve të modernitetit në poezinë e dashurisë të Sabit Rrustemit është si të bësh një shëtitje nëpër yllësi, të vrojtosh e të flasësh për një nga yjet ku ndalesh, me mendimin se po studion tërësisht këtë dukuri është një iluzion, ndonëse i bukur, sepse sa mbaron me një yll sheh i mahnitur se ke parë vetëm një faqe të tij dhe se yllësia shtrihet më tutje. Sigurisht që njohja e yllësisë nis me eksplorimin e njërit prej tyre, por mjafton vetëm drita e një ylli për ta thyer errësirën e xhamtë të natës e për të kërkuar dritën në gjithësi.
Do flitet shumë për poezinë e dashurisë që shkrimtari Sabit Rrustemi e solli përmes kësaj kryevepre.

( Sarandë, më Tetor 2023 )