UBT

Latifi: Mos përgjegjësia është kthyer në një epidemi në Luginë

/ 10 minuta lexim

Publicisti, gazetari, analisti e romancieri Skender Latifi nga Presheva, i cili jeton dhe vepron në Belgjikë nga viti 2006, ka arritur ta ngrejë bibliotekën e shtëpisë dhe ka rreth 3 000 tituj. Prej librave të vjetër, më tepër i ka siguruar librat që janë botuar nga fundi i shekullit XIX. Si fëmijë, në moshën dyvjeçare nga jeta i është ndarë nëna dhe është rritur jetim. Jetimi kërkon drejtësi dhe padrejtësia e godet keq. Por, ai nuk ndalet, e sot e kësaj dite nuk kalon ditë pa lexuar e shkruar. Bashkëbisedimi ynë besoj se do të jetë interesant, sepse është realizuar pas një takimi që ia bëmë në shtëpinë e tij, jo në atdhe, por madje shumë larg, në Belgjikë. E kur është krijuesi në kurbet, atëherë është edhe më ndryshe, prandaj po u lë në shoqëri të kësaj bisede pa dorëza e pa asnjë kozmetikë të të shkruarit.

Ju kujtohet dita e parë kur e morët rrugën e kurbetit?

Latifi:Së pari shpresoj që ky bashkëbisedim yni të jetë origjinal dhe të bart te lexuesit emocionet që ne sot i përjetojmë, duke u ndeshur me sfidat e jetës së përditshme që tashmë është shumë më dinamike se më parë dhe nganjëherë konstatimin që njerëzit më së shpeshti e shtrojnë kohëve të fundit është: Sa shpejt është duke kaluar koha! Është interesante se në periudhën para marrjes së rrugës së kurbetit po bisedoja me njërin prej miqve të mi në Preshevë, që ishte pjesëmarrës i luftës së Kosovës dhe asaj në Luginë të Preshevës, dhe që nuk arriti kurrsesi ta gjejë një vend pune. Në ftesën time që të shkonim në shtëpinë time për të pirë kafe dhe për të biseduar, ai m’u përgjigj se nuk kishte kohë dhe se ajo nuk i mjaftonte fare. Menjëherë ia shtrova pyetjen tjetër konkrete se çfarë pune kishte të bënte që e pengonte të vinte tek unë, e ai më tha: ‘Jo, nuk kam asnjë punë!’ Pikërisht kohën kur e vendosa ta marr rrugën e kurbetit mund ta quaj kohë që s’bënim gjë dhe kohë që na ikte shpejt! Ishte vendim i rëndë për shumë arsye. Së pari, përkundër dëshpërimeve dhe situatës së rëndë ekonomike, mungesa e perspektivës, gjëja e cila më së shumti më ka munduar ka qenë lufta e paepur kundër atyre që për ngjarjet aktuale në Luginë të Preshevës tentonin ta kishin opinionin personal, e jo uniform. Pra, mendimi i pavarur nuk durohej dot dhe kjo të çonte në banalitet, jo vetëm ta zëmë mua që luftoja për një mendim timin, por e rrezikonte edhe perspektivën e vetë shoqërisë preshevare. Ishte vendim i rëndë edhe për faktin se jam bir kurbetçiu, pasi im atë ishte ndër gurbetçarët e parë të atyre viseve, i cili bashkë me bashkëvendësit tjerë në vitin 1969 erdhi në Gjermani, duke e sakrifikuar jetën e tij për një të ardhme më të mirë të familjes së vet dhe i cili vdiq shumë i ri, në moshën 41-vjeçare. Nuk e besoj se atë ditë që unë bashkë me familjen time kam marrë rrugën e kurbetit, atij të mos i janë rrotulluar eshtrat në varr. Ai iku nga kjo botë duke besuar se atë që ai ishte detyruar ta bënte nga varfëria, të njëjtën rrugë nuk do ta merre kurrë ndonjëri nga fëmijët e tij.

Keni menduar se do të qëndroni gjatë?

Latifi:Po, e dija dhe isha i bindur se nuk do të kthehesha në vendlindje për një kohë të gjatë. Dihet se gjithherë është folur se kur njeriu e ndërron vendin e jetës, vetë adaptimi dhe përshtatja në rrethana të reja merr mjaft kohë. Shpesh më ndodh që ta lexoj një tekst të shkurtër të Faik bej Konicës, që e mban titullin “Malli i Atdheut”, e që natyrisht është i shkruar me atë frymën dhe stilin e veçantë ndër letrat shqipe, e që unë e quaj stili i veçantë i të shprehurit faikian. Pikërisht në këtë shkrim në pak rreshta përmblidhet i gjithë ndryshimi që ndodh në jetën e njeriut, kur ai largohet nga vendlindja dhe vendoset për të jetuar në rrethana të reja.

Para se të fillojmë me pyetje tjera, i ke thënë vetes se këtë vit do të kthehem, apo ka mbetur enigmë kthimi?

Latifi:Thënë të drejtën, edhe pse kthimi gjithnjë qëndron mbi mua si Shpata e Demokleut, unë megjithatë e kam lënë si enigmë. Më pastaj kuptohet që, siç thotë populli, derisa një ditë të kthehem në vendlindje «atje do të ketë rrjedhë shumë ujë», prandaj tashmë pas kaq vitesh të ndërprerjes së kontakteve me atje, natyrisht se krijohet njëfarë diskontinutiteti dhe e di që gjithnjë dhe gjithherë do të funksionojnë shoqëritë dhe kontaktet e dikurshme me njerëzit, e jo ripërtëritje e kontakteve të reja. Pra, thjesht kam frikë se kontaktet e bisedat do të jenë më tepër të orientuara në rikujtimin e asaj siç ka qenë dikur, se sa guximi për të gjykuar për ndonjë fenomen aktual çfarë ndodh atje, apo për ndonjë ngjarje ku njerëzit atje janë më tepër në rrjedhat aktuale. Edhe sot, pas tetë vjetësh që jam larguar atje, e di dhe i them vetes se do të kthehem një ditë, por sa herë që marr ndonjë lajm nga Presheva se ndonjëri nga miqtë e mi e ka lënë këtë botë, atëherë pushtohem nga një ndjenjë trishtuese se largimi i atij të njohuri për mua e largon edhe kthimin, edhe e bën të pakuptueshëm. Thjesht, vdekja e ndonjë miku më kthehet si vdekje edhe e një pjese të jetës sime. E kam fjalën për miqtë e mi që kur u largova unë u ishin afruar viteve të gjashtëdhjeta të moshës së tyre, por edhe më të moshuar.

Megjithatë, me të ardhur në Belgjikë, nuk je ndalur në punën tuaj profesionale. Sa e ke pasur vështirë të inkuadrohesh në shoqërinë belge?

RCCOLA

Latifi:Së pari, i falënderoj të gjithë ata që në këto vite më kanë vizituar duke u nisur nga familjarët dhe miqtë, dhe kuptohet se gjatë tërë këtyre vizitave assesi të na mjaftonte koha të çmallemi. E dyta, te të gjithë ata që më kanë vizituar e kam vërejtur ndjenjën e pandryshueshme të bashkëbisedimit, humorit, bashkëndjesisë, gjë që më duhet ta pranoj për herë të parë publikisht se tek ne që jemi në mërgim e kam bindjen se që nga ditë e parë kur vendosemi këtu këto ndjenja fillojnë të veniten. Nuk e di, ndoshta gaboj, por ne këtu fillojmë të sillemi sikur kryepersonazhi i romani të Kamysë, «I huaji».

Tjetër, të gjithë ata që vijnë këtu, kur shohin se në çfarë rrethanash jetoj, thonë hapur se e shohin një përmirësim të jetës në të gjitha aspektet, gjë që është ashtu, por të gjithëve u kam thënë vazhdimisht, sikur të kërkohej prej meje që edhe një herë të kthehesha dhe t’i kaloja të gjitha ato që i kam përjetuar, do të luhatesha nëse do të pranoja, apo jo!

Në punën profesionale nuk jam ndaluar, ngase janë disa çështje apo aktivitete në jetë që mjafton një herë të të mbërthejnë dhe kurrë më nuk do të lëshojnë, duke të mbajtur gjithnjë zgjuar. Megjithatë, edhe pse kam shkruar, kam botuar shumë pak dhe shpresoj se një ditë do të arrijë ajo kohë shkrimet që tanimë janë të gatshme. Sa i përket inkuadrimit në shoqërinë belge, nuk e kam pasur edhe aq vështirë. Ne shqiptarët jemi të njohur për atë se shpejt inkuadrohemi në shoqëri, më pastaj edhe jemi evropianë nga ata të vjetrit.

Në kujtesën time, mërgimtari më karakteristik që e kam takuar ishte, siç quhet tani zakonisht rilindësi ynë i fundit, Thoma Kacori, i cili jetoi në kryeqendrën bullgare, Sofje

Cili ishte mërgimtari i parë që e takove dhe cila ishte fjala e tij e parë?

Latifi:Mërgimtari i parë që e takova ishte bashkëvendësi im Mustafë Mustafa, që tashmë ka ikur nga kjo botë. Ai ishte nga ata që unë i quaj mërgimtarë të dyfishtë, ngase familja e tij së pari në vitet e pesëdhjeta ishte larguar për në Turqi, e me sa më kujtohet, në vitin 1964, ai kishte arritur këtu në Belgjikë. Ishte një pasdite e pranverës në vitin 2007, kur u takuam në Kështjellën që ndodhet mbi qytetin e Namyrit. Kuptohet se Mustafa e kundërshtonte largimin prej vendlindjes dhe e kuptoja, sepse një gjë të tillë ia kishte thënë edhe të atit të vet, kur ata ishin vendosur në Turqi dhe me të vërtetë se rrëfimi për jetën që e kishte kaluar në Turqi ishte rrëqethës, sidomos pasi e kishte bërë shërbimin ushtarak dhe e kishte kaluar një pjesë të rinisë rrugëve të qytetit ku kishte jetuar duke kërkuar punë. Rrëfimi i tij për ardhjen në Belgjikë ishte rrëqethës, por akti kur ai e kishte shitur shtëpinë për ta ndihmuar çlirimin e Kosovës ishte një akt që të bënte për t’u krenuar të gjithë shqiptarët që jetojnë në viset e Luginës së Preshevës.

Dhe, në fund të bisedës tre orësh që e pata, edhe pas mërgimit të dyfishtë dhe pas gjithë asaj që kishte përjetuar i mallëngjyer thellë, më tha: edhe pse kurrë nuk munda ta vizitoja vendlindjen, nuk më ka ndodhur asnjëherë që të shoh ndonjë ëndërr në ndonjë vend tjetër, por gjithnjë në ëndrrat e mia më është shfaqur vendlindja ime! Mustafa ishte mërgimtari i dytë që e takoja në jetën time dhe i cili kurrë, ama kurrë s’kishte hequr dorë ta ndihmonte dhe të ëndërronte për një të ardhme më të mirë të vendit të tij, edhe pse në jetën e tij nuk mungonte asgjë. Por, kujtesën time, mërgimtari më karakteristik që e kam takuar ishte, siç quhet tani zakonisht rilindësi ynë i fundit, Thoma Kacori, i cili jetoi në kryeqendrën bullgare, Sofje. Si gazetar e kam vizituar disa herë. Por, gjithnjë kur lëvizte në shtëpinë që e ka në qendër të Sofjes, nën zë, sikur vajtonte dhe një herë nuk u durova pa e pyetur pse, si qëndron puna? «E sheh se këtu i kam të gjitha, por nuk kam asgjë, prandaj kështu vajtoj nën zë vendlindjen që e braktisa!/titulii/