Një klub francez e kishte refuzuar Edon Zhegrovën para 5 vjetësh, zbulohen prapaskenat

Nominimi i Edon Zhegrovës për titullin e lojtarit më të mirë të sezonit në Ligue 1 nxjerr në pah mundësinë e humbur nga Nantes në vitin 2019.
Të hënën mbrëma, ylli kosovar ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga UNFP, pasi ishte i nominuar për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit, përkrah Kylian Mbappe, Ousmane Dembele, Pierre-Emerick Aubameyang dhe Pierre Lees-Melou, transmeton Gazeta Express.
Zhegrova shkëlqeu gjatë këtij sezoni me Lille, duke qenë autor i 12 golave dhe nëntë asistimeve. Prandaj, nominimi i tij ishte i merituar.
Megjithatë, ngritja e jashtëzakonshme e 25-vjeçarit lë një shije të hidhur te FC Nantes, që dikur pati rastin ta rekrutonte atë.
Sipas “Foot01”, në gusht të vitit 2019, reprezentuesi i Kosovës iu propozua stafit të “Kanarinave”. Në atë kohë sulmuesi anësor ishte i huazuar nga Genku te Baseli dhe nuk kishte kohë të konsiderueshme për të luajtur.
Pavarësisht cilësive të dukshme teknike, drejtuesit e Nantes kishin zgjedhur të mos nënshkruanin me Zhegrovën, vendim i cili tani padyshim se mund të vlerësohet si i gabuar.
Më pas, Zhegrova u transferua për vetëm 3 milionë euro në Basel, ku bëri përshtypje me paraqitjet e tij, deri në atë pikë sa tërhoqi vëmendjen e Lille, që e transferoi për 7 milionë euro në janar të vitit 2022.
Që atëherë, rrugëtimi i tij ka qenë spektakolar. Pas një sezoni përshtatjeje në veri të Francës, Edon Zhegrova vërtetë shpërtheu gjatë sezonit aktual (2023/24).
34 herë reprezentuesi i Kosovës momentalisht në tregun e transferimeve vlerësohet me 15 milionë euro, sipas “Transfermarkt”.
Falë formës së tij në këtë sezon, Zhegrova ka tërhequr interesimin e disa klubeve të mëdha evropiane, përfshirë gjigantët nga Italia; Juventusin, Napolin dhe Romën. /Gazeta Express/