Fundamenti

Krupa

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Poezi nga Meti Rexhepi

ndoshta terri i natës e shtyri rrotullimin e pandalshëm
të insektit krahëbardhë ndanë fanarit dritë-zbehtë të tryezës
herë me turre e me vrulle ritëm prishur e lehtësisht prajshëm
instinkt i ritualit por pa droje i skajshëm
mbi shelgun vajtues i kishte ikur dita e përftimit këndshëm
terri shufër e zezë i zi gjarpërues i vërvitej kudo në hapësirë
dhe rrjeti i merimangës anë e kënd i shtrirë
duke mëtuar thithjen e tërë kësaj drite të bekuar
hutaqja flutur i jepej rrotullimit të pangopur
fanari i sillej nga lëbyrja i humbet vija përplas kokën
bota nuk është e sheshtë vijave me lakadredha
grishjes së dritës krahët i shqyheshin fare lehtë
bukuri mjeshtërore e pikturuar mbi petka të reja
e drita ishte zjarr
simbolikë e pangopësisë i shporri gjumin fluturës
i dendësoi para djegies krupën

Poezi nga vëllimi më i ri “URTIANA”, Prishtinë, 2023

L U R A

Meti Rexhepi
ishte Lura
me pajën e qëndisur të floçkave
me perin e avujve
flokë-blerta deri tek e kristalta
atje kriheshin me krehër mjegullash
në sytë e çelur të malit
ishin floçkat cilave u rridhnin lotët e galdimit
ballit shkëmborë
nga njëri sy katarakteve shkallareve tjetrit
tatëpjetës liqeni-liqenit
qerpikët lisa të nën-ylbereve
si vëllezër shtat-hedhur bredha pishnaja boriga
përbri me zili u hapnin liqeve ombrella
maja gjembore të mos i përpijë
ndonjë përbindësh përralle
përbindëshit nuk do ti kesh parë ata të përrallave faniten të gjallë shajni pleksur në pilulë pilula do ti shkrijë vetëm me një gllënjkë ujë
por shtohen natën e zbardhuar me sëpata qindra somnambulë

Mobi Casa

*
doza më e lehtë pirje kokrrash për fshirje fajësie
mbushur kokrra-lakmie dollapë e sirtarë porse mëkati diku i shpie
thjesht në trajtën e dykëmbëshave të rëndomtë
mos lypen trupa shumë-krerësh në plimëra mizërie
veçse nga një kokë dhe sëpatë lis-prerje
e duken si vezullojnë ndër trungje qerpikësh
të prerë e të hedhur gjithkah
u grabiten trofe sytë zgorre vetullat në gropa
të dashurave floçka magjiplota
fotosintezën ia përzunë Lurës
nuk i qepet asnjë kostum joshje
i vardisen pigmente me ngjyrën e dunave
lot të rralluar rrokullisen vertikales
bie shi i gurëzuari shi
sot e njëqind vjet tabloja nuk qëndiset
prej dorës së loçkës është këputur peri magjik
dhe perin e kapin gishtërinj zjarr-vënës e tragjik
nuk depërton dot shkëmbin e tablosë
përbindësh dykëmbësh me sëpata
Lurës i cunguan dhuntitë treten floçkat flokë-gjata

*
dhe shikojeni secilin në ballë
pamje cungash kanë marrë

*
ishte Lura
është Cungaja
faqe-shqyerës mbi ferra
nuk ia vesh duvakun pranvera

*Poezi nga vëllimi më i ri “URTIANA”, Prishtinë, 2023