Fundamenti

Interkonjeksioni në rrugë të mbarë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Shqipëri bëri të ditur se çështja e koklavitur e projektit të ndërtimit të linjës së interkonjeksionit energjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës është vënë në rrugë të mbarë dhe se brenda këtij viti pritet përfundimi i tenderit dhe fillimi i punimeve.

Në një intervistë me “D.Welle”, gjigantin mediatik gjerman, Hoffmann tha se është i informuar që ka vërtet progres në realizimin e këtij projekti, që është shumë i rëndësishëm.

“Shqipëria është një prodhuese e kësaj energjie nga hidrocentralet. Dhe ky është një element i rëndësishëm në strategjinë e saj të ardhshme ekonomike dhe është fare e qartë që Shqipërisë i duhet kjo linjë për të importuar dhe eksportuar energji. Kam mësuar që ka pasur vështirësi me këtë projekt, por jam i kënaqur të them që OST-ja, operatori shqiptar i transmetimit të energjisë, realizoi përsëri tenderin për këtë projekt në përputhje me kriteret e bankës gjermane KFW.OST-ja ka marrë oferta nga kompanitë e interesuara të ndërtimit dhe është në fazën e vlerësimit teknik dhe presim që kontratat e ndërtimit të përfundojnë këtë vit dhe puna të fillojë menjëherë brenda këtij viti”, ka thënë ai.

Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës është një projekt i financuar nga Banka Gjermane për Rindërtim dhe Zhvillim, KfW. Projekti u bllokua vitin e kaluar, pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit në Shqipëri refuzoi të pranojë rezultatin e tenderit të zhvilluar sipas kritereve të caktuara.

UBT

Media e Kosovës hodhi akuza ndaj Qeverisë së Shqipërisë dhe Kryeministrit në ikje për tradhti kombëtare. Aktualisht Kosova, ashtu si edhe Shqipëria, janë nën varësinë e linjave të interkonjeksionit të Serbisë për të importuar sasinë e nevojshme të energjisë dhe për të shmangur errësirën, veçanërisht në periudhat e konsumit të lartë, siç është periudha e dimrit.

Ndërtimi i interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, nëse shoqërohet me masa të tjera bashkëpunimi mes dy vendeve, mund të sjellë shkurtimin e nevojave të importit të energjisë si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Efiçienca e përdorimit të termocentraleve me qymyr në Kosovë do të rritet, ndërsa sasia e energjisë së prodhuar në hidrocentralet e Shqipërisë do të përmirësohet gjithashtu.

Por interesat kundër bashkëpunimit dhe rritjes së efiçencës së prodhimit energjetik mes dy vendeve shqipfolëse janë të mëdha. Kosova dhe Shqipëria importojnë 200-300 milionë euro energji elektrike çdo vit, energji që u shitet nga pak kompanive me bazë në Serbi ose të lidhura ngushtë me një kastë biznesmenësh në Beograd.