UBT

Ibrahim Rexhepi: Me këtë rritje ekonomike s’ka logjikë ngritja e pagave për 25 përqind

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Për shkak të bllokadës politike, vendi hyn këto ditë në krizën buxhetore. Ngërçi politik është mesazh i keq për investitorët e jashtëm. Rritja e pagave për 25 përqind është gabimi i dytë i kësaj Qeverie brenda një viti. Sa ka logjikë që pagat të rriten 25 për qind, kurse rritja ekonomike do të jetë vetëm 2,5 për qind. Kjo qeveri nuk ka dëshmuar se ka vizion zhvillimor. Investimet do të duhej të ishin orientuar kah energjetika e jo te shiritat e asfaltit.

Eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, flet për Express.
Express: Ka pasur vlerësime të ndryshme sa i përket thellimit të krizës financiare në Kosovë. Zyrtarët e Qeverisë kanë thënë se Shteti nuk rrezikohet deri në mars, e analistë të ndryshëm kanë përmendur 1 shkurtin si datë të fundit kur Kosova duhet të ketë buxhet të miratuar në Kuvend. Cili është shpjegimi juaj për këtë çështje?

I. Rexhepi: Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë e definon qartë këtë çështje. Nëse zgjedhjet janë mbajtur katër muaj para fillimit të vitit të ri fiskal, atëherë, pagesa nga buxheti mund të bëhen vetëm për një muaj – do të thotë, deri në fund të janarit. Ndërkaq, për zgjatjen e Ligjit për ndarjet buxhetore, por jo më shumë se tre muaj, mund të vendosë Kuvendi i Kosovës, e askush tjetër. Në rrethanat aktuale dhe me supozim se buxheti nuk do të miratohet brenda afatit të caktuar, deri më 31 dhjetor, atëherë nuk do të ketë pagesa duke filluar që nga dita e parë e shkurtit. Kjo do të thotë se, vendi në këtë ditë hyn në krizë buxhetore.

Express: Nëse bllokada vazhdon edhe përtej afateve të përcaktuara, atëherë çka ndodh me buxhetin, me njësitë buxhetore dhe me planifikimet e agjencive, komunave?

I. Rexhepi: Të gjitha mbeten në pritje të miratimit të buxhetit të ri. Në momentin kur ai miratohet, pushojnë të gjitha kufizimet që imponon Ligji për menaxhimin financave publike.

Express: Me këtë trend të zhvillimit ekonomik, a rrezikon Kosova të futet në krizë financiare qysh janë futur disa shtete të tjera, të cilat pastaj kanë shpëtuar me ndihmën e fondeve të BE’së?

I. Rexhepi: Jo, kriza e Kosovës është e një natyre tjetër. Kosova nuk është e goditur nga kriza e pamundësisë për pagesën e borxhit publik, apo se ai ka arritur kufijtë kur rrezikon qëndrueshmërinë makro-fiskale, Po ashtu, ajo nuk është e goditur as nga kriza financiare që para 5-6 vjetësh preku gati tërë botën. Kosova ka krizë institucionale, një paralizim të tërë mekanizmit shtetëror. Kjo situatë tejkalohet në momentin kur konstituohet Qeveria dhe Kuvendi, sado që mund të ketë edhe vështirësi, ta zëmë rreth rritjes ekonomie, punësimit, apo uljes së varfërisë, por ato janë probleme të përditshme dhe me të cilat vendi po ballafaqohet me dekada. Mirëpo, ngërçi i këtij viti është një mesazh shumë i keq për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm, meqenëse u dëshmua se sa të brishta janë institucionet shtetërore dhe sa të papërgjegjshëm janë liderët politikë.

KKVITI

Express: Është përmendur se do të ketë përsëri rritje të pagave për 25 përqind. Edhe për rritjen e parë ju keni pasur rezerva. Realisht, a ka Shteti i Kosovës kapacitete ekonomike dhe buxhetore për një rritje të tillë?

I. Rexhepi: Ky është gabimi i dytë me radhë që mund ta bëjë Qeveria brenda një viti. Është e kuptueshme se njerëzit kanë nevojë për paga më të larta dhe për standard më të mirë, por kjo nuk është arsye e mjaftueshme. Pse duhet të rriten pagat, madje në masën 25%? Vetëm pse është premtuar gjatë fushatës?! Gabim shumë i rëndë. Rritja e pagave duhet të ketë një arsye ekonomike, po edhe të analizohet ndikimi i tyre në zhvillimet e tjera makroekonomike. Një analizë e tillë nuk është bërë. Po ashtu, rritja e pagave do të kishte arsye nëse ajo bëhet për shkak të rritjes së performancës. Por, tregues të këtillë nuk kemi. Dhe krejt në fund, sa ka logjikë që pagat të rriten 25%, kurse rritja ekonomike do të jetë vetëm 2,5% (pritjet për 2014), kurse inflacioni do të jetë rreth 1%.

Express: Qeveria Thaçi I dhe II kanë pasur prioritet, në bazë të punëve, ndërtimin e rrugëve, objekteve shkollore, por shumë pak është investuar në fusha të tjera. Cili duhet të jetë prioriteti kryesor i Qeverisë së re?

I. Rexhepi: Kjo Qeveri nuk ka dëshmuar se ka vizion zhvillimor. Sivjet shpenzimet kapitale ishin planifikuar të jenë mbi 15 % më të ulëta se vjet. Ndërkaq, deri në fund të gushtit, pagesat për këtë kategori ishin mbi 30 % më të ulëta se një vit më parë. Prioritet i qeverisë, në rend të parë, duhet të jetë funksionalizimi i shtetit ligjor, krijimi i një ambienti të sigurt dhe atraktiv për biznes, të ofrojë përkrahje për punësim dhe për rritje të eksportit. Ajo nuk duhet të mashtrohet, por as të krenohet me raportin e Bankës Botërore, meqenëse aty vetëm numërohen ligjet e miratuara, por jo edhe zbatimi i tyre, apo vlerësimi i ambientit të përgjithshëm për biznes. Nëse flasim për projekte konkrete, atëherë më e logjikshme do të ishte të investohej në tejkalimin krizës energjetike, se sa për zgjatjen e shiritave të asfaltit.

Express: Sa vende të reja punës mund të hapen nga një Qeveri e re në katër vitet e ardhshme, gjithnjë duke u bazuar në kapacitetet e ekonomisë kosovare?

I. Rexhepi: Vështirë është të përmendet një shifër, meqenëse krejt do të varet nga shkalla e zhvillimit ekonomik. Por, duhet ta kemi parasysh një fakt – Qeveria nuk është ajo që punëson njerëz. Përgjegjësia e saj qëndron në faktin se duhet të krijojë një ambient të volitshëm për zhvillim, të nxisë investimin e kapitalit privat – të jashtëm dhe të brendshëm – dhe kjo sjell zhvillim e punësim.