UBT

Haraçi tremb investitorët e diasporës

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Remitencat shtohen, por përfundojnë në konsum të mallrave të importit

Jo vetëm gjatë kohës së okupimit serb në vitet e 90-ta, por edhe që nga pas lufta e deri më sot, janë remitencat e bashkatdhetarëve tanë që kanë qenë e mbesin infuzioni që po i mbajnë gjallë qytetarët e këtij shteti. E veçanta e remitencave është se përderisa investimet e huaja në Kosovë kanë rënë drastikisht, për fatin tonë të mirë shifrat na tregojnë se remitencat e bashkatdhetarëve tanë janë rritur. Vjet kjo shifër kaloi 600 milionë euro, por pjesa kryesore shkon në patundshmëri dhe konsum.

Sipas analistëve dhe deputetëve të opozitës dhe përfaqësuesve të biznesit, e tërë e keqja në këtë dërgim është se pushteti i pasluftës në Kosovë nuk e shfrytëzoi diasporën për investime, pasi shumë bashkatdhetarë janë bërë emra të mëdhenj në biznese në Evropë, në ShBA e gjetiu. Analistët thonë se secilin nga bashkatdhetarët që e pyet se përse nuk po investon në Kosovë, ata theksojnë pa hezitim se kanë tentuar që ta bëjnë këtë, por janë pushtetarët tanë ata që u kanë kërkuar haraç e ryshfet, si edhe u kanë bërë pengesa burokratike. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se përse diaspora jonë nuk duan që të afarojnë me metoda të tilla.

Hezitimi për të investuar

Ndërkaq, Salih Salihu (PSD), deputet në Kuvendin e Kosovës nga opozita, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se që nga pas lufta e deri më sot, diaspora është anashkaluar qëllimisht nga të gjitha qeveritë e deritashme. “Për paratë që i disponon diaspora duhet debatuar në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që t’u krijohen kushtet më të mira dhe lehtësime për investime në vendin tonë. Por, e tërë e keqja në këtë drejtim është se pushteti i pasluftës në Kosovë, përfshirë edhe Qeverinë aktuale nuk po e shfrytëzojnë diasporën për investime, pasi shumë bashkatdhetarë janë bërë emra të mëdhenj në biznese në Evropë, në SHBA e gjetiu”, theksoi ai.

“Nga takimet që kemi pasur me afaristë nga diaspora, kemi mësuar se secilin nga bashkatdhetarët që e pyet se përse nuk po investon në Kosovë, ata thonë pa hezitim se kanë tentuar që ta bëjnë këtë, por janë pushtetarët tanë ata që u kanë kërkuar pjesën e haraçi dhe ryshfetit, kurse edhe u janë bërë pengesa burokratike. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se përse diaspora jonë nuk duan që të afarojnë me metoda të tilla shantazhuese .Prandaj, kërkojnë nga institucionet qeverisëses aktuale që të krijojnë më shumë favore për diasporën, sidomos në aspektin e investimeve, ngase shifrat na thonë se diaspora kosovare përbën gati gjysmën e popullsisë rezidente, dhe duhet thënë troç se diaspora është e anashkaluar nga Qeveria e Kosovës, prandaj veç lehtësimeve për investime në Kosovës, do të kërkojmë që në Kuvend të ketë vende të rezervuara për diasporën”, vijoi më tej Salihu.

“Është për keqardhje se si deri më tani të gjitha qeveritë e Kosovës deri më tash vetëm se kanë shfrytëzuar diasporën për lekët, e në të njëjtën kohë e kanë margjinalizuar, sepse thuajse gjysma e qytetarëve jetojnë jashtë Kosovës, dhe diaspora është e përjashtuar nga votat, nga vendimmarrja, nuk kanë ulëse në Kuvend. Në vend se të kishin lehtësira kur vijnë në atdhe, ata kanë të kundërtën dhe priten me gjoba në pika kufitare, ndonëse diaspora është pjesë integrale e kombit, por nga pushtetet e deritashme diaspora ka qenë pjesë e përjashtuar e kombit”, potencoi ai.

Qasja e qeverisë, e gabuar

Ndërsa, deputeti i koalicionit qeverisës Enver Hoti ( “Nisma për Kosovën ) tha për gazetën Kosova Sot” se Qeveria e tashme duhet ndryshuar qasjen ndaj investimeve të diasporës, sepse Kosova ka nevojë për diasporën, sikurse që diaspora ka nevojë për Kosovën. “Prandaj, vlerësoj se çështja e remitencave të diasporës dhe mërgimtarëve tanë deri më sot është shtruar shumë mbrapsht nga të gjitha qeveritë e deritashme, ngase qasjen ndaj mundësisë së investimeve të tyre e kemi pasur totalisht të gabuar.

Konsideroj që diaspora nuk ka asnjë nevojë për neve, përkundrazi ne kemi shumë nevojë për ta. Kjo, ngase varësia ndaj dërgesave financiare, të cilat ata ua dërgojnë familjeve të tyre në Kosovë, është shumë e madhe dhe duhet krijuar kushtet që të investojnë në Kosovës dhe veç saj diaspora jonë e meritojnë që ta kenë edhe përfaqësuesin e tyre deputet në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Hoti.

Mungon oferta për investitorët

Ndërsa, eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se remitencat e bashkatdhetarëve tanë gjithmonë e kanë mbajtur ekonominë e Kosovës. “Prandaj, mos të harrojmë që edhe gjatë ish-Jugosllavisë në vitet 1990- 1998 , pra deri në luftë, bashkatdhetarët tanë, që i kemi pasur në diasporë, kanë qenë ata që kanë dërguar para për ta ndihmuar popullin shqiptar nga varfëria dhe duke bërë marrëveshje me bizneset lokale të asaj kohe për t’i vendosur vetëm shqiptaret në punë.

Eco Higjiena

Kur flitet sa i përket investimeve të huaja, këtu i ka fajet qeverisja komunale, sepse nuk po u japin hapësirë dhe as kushte për të punuar këtyre investitorëve. Prandaj, në këtë drejtim duhet ta shikojmë Serbinë dhe të marrim mësim, ngase atje një investitor, kur kërkon leje apo hapësirë për të ndërtuar ndonjë fabrikë, i jepet falas toka për 5 vjet, plus për 2 vjet e paguan rrymën dhe ujin vetëm 50 për qind, andaj përse nuk e bëjmë këtë edhe ne. Por, e keqja është se te ne u kërkojmë haraç dhe i kërcënojmë të interesuarit nga diaspora dhe të huajt, ndaj kjo është arsyeja që po i largojmë investitorët, por edhe po rrisim papunësinë në vend”, theksoi Grapci.

Mungon platforma

Eksperti i fushës së integrimeve e evropiane në fushën e ekonomisë Nëntor Shaqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se Qeveria duhet të hartojë një platformë ku mund të përfshihen kushtet atraktive për investitorët e mundshëm nga diaspora. “Tërheqja e investitorëve nga diaspora dhe bartja e përvojave të tyre në Kosovë është tejet me rëndësi për zhvillimin e ekonomik të vendit. Tanimë një pjesë e madhe e emigrantëve nga vendet e Evropës Lindore janë kthyer në vendet e tyre të origjinës, duke bartur kapitalin dhe duke zbatuar përvojat e tyre të fituara në vendet e Evropës Perëndimore. Një praktikë e tillë është shumë e nevojshme tani të ndodhë edhe në vendin tone”, theksoi ai

Shumica e dërgesave, për konsum dhe import

Ligjëruesi universitar dhe eksperti i ekonomisë Dr. Muhamet Mustafa, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se remitencat janë një infuzion i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës, por nuk mund të bëhen faktor zhvillimi, nëse 70 për qind e tyre shkojnë për import. “Shumica e dërgesave vijnë nga vendet e BE-së, ku pjesëmarrjen kryesore e zë Gjermania me 34 për qind, e përcjellë nga Zvicra me 22 për qind, pastaj Italia me 8 për qind, Austria me 6 për qind, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Franca dhe Sllovenia me nga 4 për qind” , theksoi ai. “Remitencat në Kosovë kanë ndikim të madh, sepse shërbejnë për të servisuar konsumin familjar e më pak për investime.

Kjo, ngase një pjesë e remitancave shkon për edukim dhe një pjesë tjetër, rreth 17 për qind, shkon në fushën e shëndetësisë. Si pasojë e gjendjes jo të mirë në shëndetësinë kosovare, bashkatdhetarët nuk kursejnë para që të afërmit e tyre të shërohen”, vlerëson Mustafa. “Kosova është vend, i cili importon produktet e konsumit të gjerë. Mjetet të cilat vijnë nga remitencat në Kosovë nuk ndikojnë në rritjen ekonomike të Kosovës, sepse ato kalojnë në vendet prej nga vijnë produktet e konsumit, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të atyre vendeve”, ka thënë ai. Ishdeputeti i Kuvendit, Mustafa(LDK) ka deklaruar se në ekonomi ndodh një efekt, i cili njihet si efekt i multiplikuesit, apo i shumëzuesit: një euro që konsumohet, bën një rrethxhirim të pesëfishtë në ekonominë e një vendi, e cila gjë krijon një nxitje të zhvillimit ekonomik.

“Së këndejmi, në qoftë se ajo euro nuk e bën këtë rrethxhirim në Kosovë, po në vendet prej ku importohen produktet, efektet janë atje e jo në Kosovë. Problemi të cilin e ka ekonomia kosovare është riindustrializimi. Efektet në investime, në zhvillim, do të vijnë në shprehje vetëm nëse krijojmë një strukturë ekonomike përmes riindustrializimit, për çka unë jam angazhuar disa herë gjatë seancave parlamentare në Kuvend. Prandaj, kësaj Qeverie i mbetet të bëjë shumë më tepër për të lehtësuar investimet e diasporës në Kosovë”, ka shtuar ai.

Mbijetesa me paratë e mërgatës

Lideri i AKB-së Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se është për keqardhje se si asnjëra nga qeveritë e deritashme nuk kanë bërë më shumë për investimet e parave të diasporës në Kosovë. “E keqja është se deri më tani, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar kujdesin e duhur dhe veç saj jam i mendimit se diaspora jonë e meritojnë edhe të kenë ulësen e tyre në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, duhet një përkushtim më i madh rreth investitorëve nga diaspora, ngase u duhet siguri dhe përkrahje. Ata kanë nevojë për lehtësirat për investime në nivel administrativ, e po ashtu edhe lehtësira të tjera që garantojnë investimin nga diaspora jonë”, u shpreh ai. Ndërsa, bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, tha se remitencat janë një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit në Kosovë.

“Shumë familje kosovare edhe sot burim të vetëm të mbijetesës kanë familjarët e tyre të punësuar në Perëndim. Fatkeqësisht, shumica e remitencave të diasporës edhe sot po përdoren për konsum të përditshëm e fare pak për investime”, vlerësoi ai. Sipas Abazit, diaspora kosovare vetëm në fillim të procesit të privatizimit në vitin 2002 dhe 2003 mori pjesë aktive në privatizime dhe ato privatizime ishin shumë të suksesshme. “Në vitet e tjera, e sidomos pas pavarësisë, diaspora sikurse edhe investitorët e tjerë pakësuan investimet e tyre në Kosovë. Arsye themelore pse nuk ka investime të huaja dhe as të diasporës në Kosove, është prezenca ende e lartë e korrupsionit në Administratën Publike të Kosovës, si dhe burokracia marramendëse për çdo lloj kërkese të investitorëve. Duhet ende shumë punë për të bërë për të fituar besimin e investitorëve”, shpjegoi Abazi.

(Kosova Sot)