Juventusi mëson çmimin që duhet të paguajë për transferimin e Edon Zhegrovës

/ 2 minuta lexim

Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka kontaktuar ekipin francez Lille për të eksploruar një transferim të mundshëm të yllit kosovar Edon Zhegrova.

‘Bianconerët’ po bëjnë përgatitjet e para për një afat kalimtar veror shumë të rëndësishëm, pasi është shtruar nevoja që të rindërtohet ekipi, teksa po synojnë që të lëvizin në drejtimin e duhur.

Një sulmues i ri është i domosdoshëm, veçanërisht pasi bisedimet për kontratën e Federico Chiesas kanë dështuar që të prodhojnë një rezultat.

Zhegrova në anën tjetër ka vazhduar të rritet si futbollist dhe të shkëlqejë për Lille këtë sezon, duke shënuar 11 gola dhe duke dhuruar nëntë asistime në 43 ndeshje të luajtura.

Mobi Casa

Verën e kaluar, Zhegrova ishte lidhur me një sërë klubesh, ku përfshihen emra të ekipeve të mëdha si Arsenal, Milan dhe Napoli.

Siç u raportua nga Calciomercato, Juventusi dërgoi skautë për të monitoruar nga afër Zhegrovën në disa ndeshje këtë sezon, dhe drejtori Giuntoli së fundmi bëri kontakt për të kuptuar më shumë rreth çmimit të tij, duke mësuar pra që çmimi i tij është 15 milionë euro.

Aftësitë taktike të 26-vjeçarit, aftësitë teknike dhe personaliteti i tij, e kanë bërë atë një opsion atraktiv për ‘Zonjën e Vjetër’, të cilët për të siguruar shërbimet e tij duhet të mposhtin konkurrencën nga Arsenali./Telegrafi/