Uji Dea

Bllokada energjetike

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Projektet e mëdha të Kosovës po dështojnë si rezultat i interesave të grupeve të caktuara. Ish ministri Fatmir Limaj, ka përmendur se lobues të ndryshëm po e pengojnë edhe projektin – Kosova e Re. Në Qeveri nuk i komentojnë këto deklarata. Ekonomistët thonë se institucionet e vendit, duke mos e pasur të qartë çfarë po duan, po bien nën ndikim të lloj-lloj interesave.

Po të shkonte gjithçka siç duhej, tashmë do të ishin parë themelet e termocentralit Kosova e Re. Madje edhe më herët, sikur të mos ishin bërë ndryshime në këtë projekt që nga viti 2006. Kështu mund të pritej që Kosova të zgjidhte problemin e energjisë elektrike kah fundi i vitit 2017.

Por, gurë-themeli i këtij projekti nuk duket se do të vihet shpejt dhe telashet me energji elektrike ka rrezik t’i përcjellin kosovarët edhe për një kohë të gjatë.

Ish ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj e tha në një emision televiziv të premten se po ndodh për shkak të interesave të caktuara të grupeve të ndryshme.

“Lobingjet e ndryshme po i pengojnë projektet e mëdha të vendit”, u shpreh pak a shumë kështu Limaj, duke treguar se personalisht ishte përballur me presione të tilla në kohën sa ishte ministër.

Për të është e pa kuptimtë që vendi me rezervat më të mëdha të thëngjillit të mos ketë mundësi të plotësojë as nevojat e veta me rrymë, por të varet nga importi i energjisë.

Limaj ka pranuar se ka qenë dëshmitar kur lobime të ndryshme kanë ndikuar që të ndalin projektin e Postë Bankës ende pa filluar.

Krejt këto, sipas tij, ndikojnë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se nënshtrimi ndaj presionit të grupeve të caktuara të interesit është mungesë e planeve të qarta të institucioneve vendëse.

“Qeveria duhet me lobu për vetveten dhe duhet me ditë a i duhet Kosova e re a Kosova C. A duhen 2000 megavate apo 600 megavate. Pra, fillimisht me pas të qartë çka po do”, thekson Rexhepi.

Eco Higjiena

Sipas tij, kur institucionet nuk e kanë të qartë çfarë po duan, atëherë bien nën ndikim të lloj-lloj interesave, e më së paku interesave të vendit.

E në ministrinë e Zhvillimit Ekonomik nuk flasin për këtë çështje.

Gëzim Baxhaku, këshilltar për media në këtë ministri, thotë se nuk i komentojnë deklaratat e politikanëve.

Ndërkaq, për projektin e Kosovës së Re, ai thotë se nuk ka ende ndonjë vendim konkret, pasi po shqyrtohet nga komisioni ndërministror si të veprohet pas tërheqjes së termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese.

“Me nxjerrjen e Kosovës B nga pakoja e tenderit është duke u rishqyrtuar edhe njëherë projekti”, thotë Baxhaku.

Tërheqja e termocentralit Kosova B nga pakoja tenderuese pati ardhur si kërkesë nga vetë investuesit për shkak të krizës ekonomike botërore, e cila ka prekur vendet prej nga vijnë investuesi potencialë në projektin Kosova e Re.

Në garë tashmë janë katër konzorciumet e kualifikuara për të marrë pjesë në termocentralin Kosova e Re: Konzorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konzorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-ja dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konzorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania.

Mësohet se të gjitha kompanitë kanë kërkuar që nga pakoja të tërhiqet Kosova B, të cilën Qeveria me shumë mund dhe kritika e pati futur atë në pako për ta bërë sa më shumë tërheqëse për investuesit.

Protagonistët kryesorë të këtij procesi thonë se hapi i radhës i Qeverisë është që këtë çështje ta kthejë edhe një herë në Kuvend. E në rast të mosmiratimit të projektit nga ana e Kuvendit, gjithçka kthehet në pikën zero. Kjo edhe mund të ndodhë pasi që edhe institucionet vendëse janë të interesuara t’i rikthejnë investuesit e mëhershëm në garën për projektin e termocentralit Kosova e Re.(express)