Mobi Casa

Për vete e kemi, për vendin tonë

/ 8 minuta lexim
KKVITI

Nga Hysen Kqiku – Dielli lind e perëndon, perëndon e lind dhe përkundër asaj rruge të gjatë asnjëherë nuk bie në gjumë, as ëndrra nuk sheh as kurrë nuk e harron rrugën e vet aq të gjatë. As hëna nuk do të dukej pa dritën që ia fal dielli. Po, edhe hëna nuk është treguar asnjëherë koprrace, sepse nga ajo dritë, që e merr prej dielli e shtrinë gjithandej dhe e bën natën aq të bukur.

Babai im, ndjesë pastë thoshte: “Lindi dielli me i dhanë jetës jetë”.
Unë nuk e kuptoja ishte e vërtetë ajo që ndodhte natyrshëm apo kërkonte një diell tjetër që kurrë nuk na ngrohu si dëshironim se as nuk e kishim as nuk e patëm fatin të ngroheshim nga rrezet e tij. Po e mbaj mend, edhe kur merrnim nuse e krahasonim me bukurinë e hënës, sepse e deshtëm të bukurën, e lakmonim dhe luteshim për të, ta kemi në mbështjelljen tonë fizike e shpirtërore.

Saherë, kur nga malli e parafytyroj babain tim, më bie ndërmend thënia “lindi dielli…” të gjitha më dalin përpara, agu, vesa, lagështia, riglimi, shfaqja e rrezeve të para të kuqrremta, të cilat vinin duke u shndritur dhe madhërueshëm shfaqej aurora aq madhështore mbi vendlindjen time të bukur me kodra veshur me drunjë të lartë e të mbushur me gjethe që rregullisht lëviznin nga një erë e lehtë, e butë dhe freskuese.
Me këtë lindte një ditë e re. Dielli i jepte jetë e gjallëri. Rrëmetit ngrohtësi dhe shpresë për një ditë me fat, për një ditë më të mirë se e kaluara.

Sakaq, shoqëruar me cicërimat e zogjve, dëgjohej një melodi fyelli. Ishte e bariut më të hershëm, me zërin e bukur të atij komponimi me nota e melodi vendore, me fyell i grishte edhe barinjtë e tjerë të vegjël t’i bashkoheshin. Një nga një mbushej lugina, mes dy bjeshkëve të dendura, me dele e qengja që shpesh sulmoheshin nga ujqër që fshehurazi dilnin nga brendia e pyllit të dendur. E rrëmbenin ndonjë qengj apo dele dhe futeshin në errësirën e pyllit e barinjtë e ndrëprenin melodinë dhe kënaqësinë që nuk u zgjatte gjatë.

Ata mbetnin me psherëtimë, me brengë. Kjo dukuri përsëritej shpesh e shpesh. Brengat nuk hiqeshin as psherëtimat nuk shteroheshin. Dhimbja ngjallej si për ndonjë njeri shpirtmirë që nuk është më.

Në këto momente barinjtë e dinin se përballë atyre dukurive e ndodhive janë shumë të vegjël, të dobët dhe jo të zotët ta pengonin. Urrejtja dhe inati u shtohej dhe u dëftohej në ëndrra të shpeshta. Shpesh ngriteshin trembshëm nga gjumi dhe, të dëshpëruar përsëri shtriheshin, për ta pritur lindjen e sërishme të diellit që i do të gjithë njësoj, të mëdhenjtë e të vegjël, të varfër e pasanikë, të bardhë e të zi, të largët e të afërm dhe, për çudi pakkush i merr lakmi për këtë dhunti madhështore e diellore.

E… ç’t’i bënim mjegullës kur shtrihej edhe çeltinat, edhe luginat, edhe kodrinat i mbulonte. Kësaj dukurie të ndjeshme i gëzoheshin bishat dhe ujku se ai, do mjegull.- thonë.
Të veshur holl, me tlina kërpi që nuk e ndalte as erën sa do e dobët që ishe. Ne e recitonim një lutje me shpresë që do të na ndëgjonte ndonjë frymë bamirëse për ta larguar renë që lëshonte shi e, shpesh edhe breshër mbi trupin tonë që dridhej nga të ftohtit:
“Lësho-je re-jo diellin
Thera ta zëntë shpirtin!”
Kur nuk zgjatte më gjatë ajo gjendje e dilte dielli brohoritja e gëzimit tonë dëgjohej largë përtej kodrave e maleve.

ARKATANA

Lutja na bëhej ngushëllim për ta thënë edhe herave të tjera për të shpëtuar nga të ftohtit dhe lagia nga shiu i ftohtë.

Që atëherë filluam të thurnim vargje të tilla. Ato na shërbenin si mjet i mirë për të nxjerrë diçka nga shpirti, për ta luftuar “atë diçka” që nuk e shihnim e ne na mundonte, që na grryente e nuk dinim se me çka ta luftonim. Lutja “Lësho-je re-jo diellin” nuk shkrepte suksesshëm. Kot për së koti, kalonin vitet.

Tek sa lëshuam shtat e kuptuam se “ai diçkahu” që nuk e shihnim” nuk i donte lutjet, nëmët, as inatet; nuk i donte as këngët, as vallet as melodinë e fyellit. Nuk i donte as blegëlrimat e deleve bardhoka kuse dhitë na i morën. Na donin vetëm si iriq pa thera.
Një ditë kur babai u kthye nga diku, mezi u kërrus që të na përqafonte, na shikoi dhimbshëm. Ne nuk e dinim se kishin ardhur njerëz të pushtetit veshur me pelerina të rrypta, me armë e me qenë. Kishin marrë çka kishin gjetur që na duhet. Nuk kishin lënë as një grusht miell në magje. Njërin ka e kishin vrarë derisa Laleja lëvronte te Ara e Rrafshit.

Babai bashkë me ne hyri mbrenda. Lodhshëm u ul në rrogoz duke u mbshtetur për muri:
Psherëtiu haptaz, lodhshëm e mundimshëm:
“Me shkue në mal
Po na ze pylltari
Me shkue në fushë
Po na ze rojtari
Me shkue në qytet
Po na rreh xhandari
Eh, kurkund si ka mbet vend
këtij shqiptari.
E tha dhimbshëm për të na u dhimbsur.
-Çka kemi me ba o burrë, muri nuk shtyhet me shpindë. Ndoshta Zoti nuk i ka lënë pa fat këta fëmijë që na i ka falë Ai. – e ngushëlloi nëna e brengosur.
-Po oj grua po. Na ka mbet veç një rrugë e hapur po me thera e gjarpërinjë e shtruar. – sqaroi babai.
-Ka rrugë për shpëtim ka. –sikur i erdhi një forcë nënës për ta ngushëlluar burrin e saj – trarin e shtëpisë.
-Edhe hoxha e kishte treguar atë rrugë që duhet ta marrim.- e tha babai si me urrejtje të madhe e inati.
-Po thuaje o burrë cila është ajo rrugë që duhet ta marrim për të shpëtuar. –e luti bindshëm nëna.
-“Në atë ditë që këmba e shqiptarit shkel në Turki krejt mëkatet që i ka ba në këtë botë, këtu ku jetojmë, Zoti po na i falka”. – e përsëriti fjalën e hoxhës që ua kishte thënë falësve të vaktit.
-Kuku për ne, Zot mos e bën! – u lut nëna me lotë nëpër faqe.
Filluan të qanin edhe fëmijët.
Për herë të parë e pamë babain duke qajtur me dënesë. Iu afruam, iu ulëm në prehër, e ngushëlluam.

Nuk do të shkojmë askund. Këtu do të rrijmë, këtu ku lindëm. Livdhi ka lakëra, ufulla, rreth livadhi ka hithër, ka pemë, bëjmë edhe perime. Jesim gjallë si që moti.
Ky vend na njeh e na do, këtu i kemi krejt kë duam e na do. Do të bëhet mirë. Do të durojmë sa nuk duron as guri as druri e këtë vend nuk do ta lëshojmë. Nuk kemi bërë mëkate. Të tjerët kanë bërë mëkate ndaj nesh. Hoxha çka të dojë le të thotë. Ai është vetë mëkatar që trillon për të shkuar atje. Këtu na njeh edhe guri e druri. Babë nuk duam të të shohim me lot. –iu lutëm të gjithë bashkë edhe me nënën.
Babai e mori veten.

Me mëngën e këmishës e fshiu fytyrën e lagur nga lotët. Psherëtiu dhimbshëm dhe ato psherëtima që atëherë jetojnë bashkë me ne. Ato janë mbjellë në zemrat tona dhe nuk zhduken dot. I gjejmë edhe në arat e mbjella, edhe në rrugët e bardha, edhe në bisedat e përshpirtshme. Ato janë ngjyra ngjyra, të idhëta e të ndjeshme. Ecin bashkë me brengat dhe bëhen përditshmëri, pjesë e jetës.

E dhimbshme kjo jetë, që kalëron mbi urat e lotëve, mbi krijimet e shpirtit e thënë me “njëmijë ngjyra të bukura që kurrë nuk vdesin”.
Megjithatë jetës i këndojmë. Thurim e thurim – le t’i quajmë psherëtima; edhe këndojmë, edhe vallëzojmë…
Për vete e kemi, për vendin tonë./rajonipress/