Bujar Nevzati: “Kur politika hyn në çdo institucion, ligji mbetet në plan të dytë – Gjilani meriton institucione profesionale”
Gjilan – Shefi i grupit nga radhët e PDK-së në Gjilan, Bujar Nevzati, ka ngritur shqetësime lidhur me, siç e cilëson ai, politizimin e institucioneve publike dhe moszbatimin e njëtrajtshëm të ligjit ndaj punonjësve në institucionet komunale.
Në një reagim publik, Nevzati ka kritikuar mënyrën e funksionimit të administratës komunale, duke kërkuar që punonjësit të vlerësohen mbi bazën e profesionalizmit, punës dhe përgjegjësisë, e jo në bazë të përkatësisë politike apo lidhjeve familjare.
Sipas tij, politika nuk duhet të ketë ndikim në administratë, arsim, shëndetësi apo institucione të tjera publike, pasi këto institucione, siç thekson ai, duhet t’u shërbejnë të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë.
Nevzati pretendon gjithashtu se në disa drejtori komunale janë krijuar marrëdhënie të tensionuara ndërmjet punonjësve, mungesë bashkëpunimi dhe një atmosferë jo e shëndetshme pune. Ai e konsideron këtë situatë si pasojë të asaj që e cilëson “udhëheqje komunale jokompetente”, duke kërkuar ndryshim në mënyrën e menaxhimit të institucioneve.
“Institucionet publike janë të qytetarëve, jo të partive politike dhe as të individëve”, shprehet Nevzati, duke kërkuar zbatimin e ligjit për të gjithë pa dallim, meritokraci, profesionalizëm dhe përgjegjësi institucionale.
Në reagimin e tij, Nevzati ka bërë thirrje për ndalimin e, siç e quan ai, politizimit dhe padrejtësive në institucionet publike, duke vënë theksin te nevoja për krijimin e një administrate profesionale dhe të barabartë.
Reagimin e tij, Nevzati e përmbyll me një mesazh politik drejtuar institucioneve komunale:
“Mjaft më me politizim! Mjaft më me padrejtësi! Gjilani meriton institucione profesionale dhe të barabarta për të gjithë! Ndalni padrejtësitë dhe shkatërrimin e institucioneve! Gjilani meriton më shumë se kaq.”/rajonipress/


