Kadri Rahimaj: 18 rrugë të reja të asfaltuara në Topanicë, investimi mbi 347 mijë euro
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka përfunduar asfaltimin e 18 rrugëve në fshatin Topanicë, si pjesë e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i cili përmes një postimi ka prezantuar rrugët e përfshira në këtë projekt, duke e cilësuar investimin si një tjetër hap në përmirësimin e infrastrukturës lokale.
Në kuadër të projektit janë asfaltuar rrugët “Hamëz Jashari”, “Filizat” – me katër degëzime, “Mulla Jakupi” (te Xhellet), “Sefa”, “Mulla Rexhepi”, “Jakup Jakupi”, “Islam Morina” – me katër degëzime, “Fadil Zubaku” – degëzimi I, “Emin Morina”, “Kurtesh Morina”, “Asllan Topanica” – me dy degëzime, si dhe “Lug i Demës”.
Përveç asfaltimit të rrugëve, projekti ka përfshirë edhe ndërtimin e trotuarit nga shkolla deri te fillimi i rrugës së xhades së vjetër, duke synuar krijimin e një infrastrukture më të përshtatshme dhe më të sigurt për banorët, veçanërisht për nxënësit dhe këmbësorët.
Sipas njoftimit të kryetarit Rahimaj, vlera e përgjithshme e investimit është 347,314.33 euro.
Me realizimin e këtij projekti, banorëve të Topanicës u mundësohet qasje më e mirë në rrjetin rrugor, ndërsa investimi pritet të ndikojë edhe në rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit në pjesë të ndryshme të fshatit.
Kryetari Rahimaj e ka shoqëruar njoftimin me pamje nga rrugët e asfaltuara, duke e cilësuar përfundimin e punimeve si një tjetër rezultat të investimeve të komunës në infrastrukturën lokale./rajonipress/


