Mobi Casa

Mbetëm edhe pa një profesor e shok të mirë

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Bahtijar Kryeziu – Nehati ishte profesor i dalluar, pedagog i shkëlqyeshëm, një penë e mendje e hollë, bujar e atdhetar, i urtë e i dashur si rrallëkush, respektues e i respektuar nga të gjithë, dashamirë i së drejtës, por edhe i pa kompromis ndaj të padrejtës.

Dr. Nehat Rrudhani (1962 – 2018). Dje, më 24 shkurt 2018, në orën 6:20 të mëngjesit, kur hapa netin, si zakonisht, për të lexuar të rejat nga Kosova, Shqipëria e bota, me zemër të thyer, pikëllim të thellë e me lot në sy, lexova kumtin e zi të vajzës së Nehatit, Fitores, se ndahet nga kjo botë babai i saj, i Valdetes dhe i djalit, Shefketit, bashkëshorti i zonjës Xhemile, vëllai, xhaxhai, gjyshi i nipave e mbesave të familjes së tij. U tmerruam se Iku në amshim ish-nxënësi, studenti e tani edhe kolegu im i punës, bashkëvendësi e intelektuali ynë i shquar, dr. Nehat Rrudhani.

Është një shtysë e brendshme imja dhe një detyrim moral të them 2-3 fjalë njoftimi e lamtumire për të gjithë ata që nuk e kanë njohur ose pak e kanë njohur profesor Nehatin, këtë roganas, i cili nuk iku nga këtu, si meteor, pa lënë gjurmët e veprat e tija të mira e të pashlyeshme, të cilat i bëjnë nder përgjithmonë, jo vetëm familjes, roganasve, dardanasve, po edhe popullit të Kosovës e shqiptarisë në përgjithësi.

Nehati u lind më 29 mars 1962 në Roganë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse SHLP, me sukses të shkëlqyeshëm e kreu në Gjilan. Me hapjen e Fakultetit të Mësuesisë në Prishtinë, ishte ndër të parët e brezit të tij që regjistrohet në atë fakultet dhe i pari që diplomoi me notë të shkëlqyeshme. I etur për studime e duke ndjerë edhe nevojën për kuadro, Nehati regjistroi në Tetovë studimet pasuniversitare, në degën e Psikologjisë të cilat studime i përfundoi, po ashtu, me sukses të plotë dhe në aftin optimal.

Pa humbur shumë kohë, krahas punës së tij të palodhshme, në fillim mësimdhënës në SHF “Metush Krasniqi” të Roganës (1986-1999) e pastaj edhe drejtor i kësaj shkolle (1999 – 2003), si dhe këshilltar komunal në Kuvendin e Dardanës (2007-2009), udhëheqës i sektorit të arsimit në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Dardanë dhe paralelisht me ligjëratat që mbante në UP, Fakulteti i Edukimit – Qendra në Gjilan, angazhimit të tij me ligjërata edhe në Programin për Avancimin dhe Kualifikimin e Mësimdhënësve – në këtë qendër (2010-2011), si dhe mbajtjes së ligjëratave në Universitetin Publik “Kadri Zeka” të Gjilanit (nga viti 2003 e deri kur i pushoi së rrahuri zemra), ku para pak ditësh ishte nominuar edhe anëtar Këshilli në këtë universitet dhe, po ashtu, mbajtjes së ligjëratave edhe në Kolegjin universitar “FAMA” në Gjilan e në Prishtinë, para 3 vitesh përfundoi edhe disertacionin e doktoratës Universitetin e Strugës të Republikës së Maqedonisë.

Nehati ishte profesor i dalluar, pedagog i shkëlqyeshëm, një penë e mendje e hollë, bujar e atdhetar, i urtë e i dashur si rrallëkush, respektues e i respektuar nga të gjithë, dashamirë i së drejtës, por edhe i pa kompromis ndaj të padrejtës.

Ai na iku, edhe pse sikur nuk u besoja syve të mi se ç’lexova atë mëngjes shkurti. Shkoi në atë botë në moshë relativisht të re, ashtu heshtas, siç ishte i heshtur edhe vetë, kur familjes e vendit iu desh e i duhej më së shumti, kur kishim nevojë ende për punën e këshillat e Tij, kur gati ishte ngjitur në majat e të arriturave të tij, kur posa shtiu në xhep doktoratën, kur më dha librin e tij të fundit për vlerësim e botim e kur pritnim edhe më së shumti prej tij.

Uji Dea

Para 5 ditësh, në kabinetin tim të UKZ-së, biseduam për punën tonë, jetën, për të mirat e të këqijat e kësaj bote. E biseduam të pimë këto ditë nga një kafe, me ngadalë e zotnillëk, siç edhe e kishte zakon, por ja se jeta nuk na pyeti, e bëri të vetën e mori pa na thënë as lamtumirën e fundit! Na shkoi në atë botë, ku do të shkojmë një ditë edhe ne (patjetër se po), por goxha si herët, madje shumë herët na la me mall e zemra të thyera.

Dhe, çka na mbetet tjetër të bëjmë në këto çaste ankthi e tmerri, kur para Zotit jemi aq të pafuqishëm, sa të bëjmë diçka më shumë, pos të pranojmë atë që duhet pranuar, se nga sot nuk e kemi në mesin tonë Nehatin e dashur, atë burrë të pashëm e të dijshëm. Na mbetet, sipas zakonit tonë, të shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, farefisin , bashkëvendësit, ish-nxënësit, studentët, kolegët e punës, shokët e miqtë e Tij të shumtë!

Lamtumirë Nehat! Lamtumirë bashkëvendësi im, nxënësi im, studenti im e në fund edhe kolegu im i shtrenjtë i punës!

Buzëqeshjen tënde të ëmbël dhe kurrë pa nervozë, që u shua sot, do ta ndjejmë gjatë, shumë gjatë, për të gjithë ne që i doje dhe të donim.
Lamtumirë e faleminderit Nehat për punën, zotimin e mirëkuptimin që pate deri në minutat e fundit të rrahzemrës sate!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ty, i dashuri ynë dhe kurrë i paharruari Nehat! U prehsh në amshim në tokën e Kosovës martire. Parajsa pastë vendin e merituar për shpirtin tënd të dlirë. (foto Afrim Kqiku)

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu