Eko Higjiena

Pse këto ndasi kaq të thella dhe kjo urrejtje kaq e madhe

/ 11 minuta lexim
Hidromorava

Ese nga Demush Mehmeti – E vendosa ta bëj këtë shkrim modest, jo me pretendimin se do të them diçka që nuk është thënë apo se po e zbuloj Amerikën, as për të pritur duartrokitje apo aprovim, në këtë fushë të minuar dhe kontraverze. Thjesht dua të jap kontributin tim, me mundësitë e mia shoqërore dhe intelektuale.

Për kundër zhvillimit të pandalshëm, të gjithanshëm, ka diçka thellësisht paradoksale mes nesh që nuk po shkon. Jemi përpjekur dhe po përpiqemi të ecim përpara: kemi ndryshuar sisteme, institucione, mënyra komunikimi e forma të jetës shoqërore. Disa pyetje vazhdojnë të mbetet pezull mbi ne: Pse, krahas zhvilimeve pozitive, kaq shumë ndasi dhe urrejtje, përçarje dhe mosdurim edhe për temat dhe dukuri të cilat si komb veç i kemi quajtur të kaluara? Pse divergjenca, e cila në një shoqëri demokratike do të duhej të ishte pasuri, shpesh shndërrohet në hendek? Pse mendimi ndryshe nuk pranohet si e drejtë e tjetrit, por interpretohet si kërcënim? Pse dallimi, në vend që të na mësojë ta njohim më mirë njëri-tjetrin, bëhet shkak për përjashtim? Ndoshta këtu qëndron një prej paradokseve më të mëdha të kohës sonë: kemi mësuar të kërkojmë të drejtën për të qenë ndryshe, por ende nuk kemi mësuar sa duhet ta respektojmë të drejtën e tjetrit për të qenë ndryshe nga ne.

  1. Nga monizmi i sistemit te monizmi i mendësisë

Po të fillojmë nga politika. Pothuajse të gjithë, pa dallim bindjesh politike, e gjykuam, gjykojmë sistemin monist dhe mungesën e dikurshme të pluralizmit. E konsiderojmë të arritur dhe shumë të drejtë kalimin nga një sistem politik ku dominonte një forcë e vetme, në një shoqëri ku ekzistojnë shumë parti, ide dhe alternativa. Por këtu lind paradoksi. Nëse e kemi kundërshtuar monizmin politik, pse po kultivojmë një lloj monizmi të mendimit? Sot kemi shumë parti, por shpesh secila prej tyre sillet sikur vetëm ajo e posedon të vërtetën. Kundërshtari politik nuk shihet si bashkëqytetar me një vizion tjetër, por si tradhtar, armik, i shitur, i paditur apo pengesë për të mirën e vendit. E ditur se gjatë kemi jetuar me armikun dhe të rrethuar nga armiqtë, jo patjetër duhet të shpikim armiq aty ku nuk gjenden, edhe në mesin tonë. Kështu, siç po sillemi, pluralizmi ekziston vetëm si emër, ndërsa në mendësi shpesh mbetet i cunguar.
Demokracia nuk është vetëm e drejta për të folur; është edhe aftësia për ta dëgjuar tjetrin pa e urryer. Një shoqëri demokratike nuk kërkon që të gjithë të mendojnë njësoj. Përkundrazi, ajo ndërtohet mbi pranimin se e vërteta shoqërore mund të shihet nga shumë kënde. Prandaj pyetja mbetet: A e rrëzuam monizmin si sistem, por ende nuk e kemi rrëzuar monizmin si mentalitet?

  1. Paradoksi rreth dallimeve dhe tolerancës fetare

Me plot arsye historike e kombëtare krenohemi me traditën e tolerancës ndërfetare. Bashkëjetesa fetare është një nga vlerat tona që duhet ruajtur dhe kultivuar vazhdimisht. Por edhe këtu po na shfaqen kontradikta të papëlqyeshme dhe mjaft shqetësuese. Në të njëjtën shoqëri ku krenohemi me tolerancën, dëgjojmë e shohim se si disa individë apo grupe krijojnë dhe thellojnë ndarjet mbi baza fetare, ushqejnë paragjykime dhe u japin hapësirë mendësive radikale. Radikalizmi, cilido qoftë burimi i tij, edhe ai fetar, është i rrezikshëm, sepse e zëvendëson dialogun me absolutizmin dhe njeriun me doktrinën. Në Kosovë, por edhe në gjithë hapësirën shqiptare, radikalizmi islamik, për shkak të përmasave dhe rrethanave konkrete, si dhe të kontekstit botëror, kontinental e rajonal, mund të përbëjë një rrezik të veçantë, kjo nuk e bën më pak të rrezikshme asnjë formë tjetër të radikalizmit fetar, ideologjik apo shoqëror. Problemi nuk qëndron vetëm te emri i fesë apo i ideologjisë; qëndron te mendësia që e shpall veten si të vetmen të drejtë dhe tjetrin si të gabuar vetëm pse është ndryshe. A nuk është kjo një tjetër formë monizmi?

  1. Ndarjet tjera të shfaqura dhe të heshtura mes nesh

Ndarjet nuk janë vetëm politike e fetare. Ato janë futur thellë në strukturën e jetës sonë shoqërore. Ekziston një konflikt i heshtur dhe, herë-herë, publik ndërmjet kategorive sociale, brezave, gjinive, orientimeve seksuale, kategorive ekonomike e profesionale dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. I riu shpesh e sheh të moshuarin si të kaluarën; i moshuari të riun si të papjekurin. Ai që ka pasuri shpesh gjykohet nga ai që nuk e ka, ndërsa ai që nuk e ka, gjykohet nga ai që e ka. Profesioni, prejardhja, statusi ekonomik, vendbanimi, mënyra e jetesës, gjinia, madje edhe mënyra e të menduarit, mund të shndërrohen në burime konfliktesh të padukshme. Dhe këtu lind një pyetje: Pse kemi kaq nevojë ta përcaktojmë veten duke e ulur tjetrin? Ndoshta sepse, kur nuk jemi të sigurt për vlerën tonë, përpiqemi ta ndërtojmë atë mbi dobësinë e tjetrit.

Mobi Casa
  1. Paradoksi i kohve të fundit, krijimi i dallimeve mes mërgimtarit dhe rezidentit

Thuhet me shumë të drejtë, se mërgimtarët janë një faktor kyq e me rëndësi kombtare e shoqërore. Më kryesorjs ata janë prindërit, vëllezërit, motrat, bijtë, bijat, të afërmit dhe miqtë tanë. Janë njerëzit tanë që janë larguar fizikisht, por jo domosdoshmërisht edhe shpirtërisht. Punojnë e jetojnë larg, ndërtojnë jetën jashtë, por familjet, kujtimet dhe rrënjët i mbajnë këtu. Ne qe jetojmë e punojmë këtu në atdhe, jetojmë me mërzin e mungesën e tyre, me mallin që djeg për ta. Atëherë, pse ky kategorizim i padëshiruar që krijon, paragjykime e etiketime? Pse mërgimtari, kur dërgon ndihmë, quhet i devotshëm, ndërsa kur mendon ndryshe, voton ndryshe apo jeton ndryshe, mund të bëhet objekt përçmimi? Pse e duam dhe e qmojmë për kontributin e tij, por jo gjithmonë për mendimin e tij? Të gjithë mërgimtarët nuk mund të llogariten si pjesë e një ideologjie apo orientimi politik. Kjo është një prej divergjencave më të dhimbshme: e pranojmë dorën e tyre, jo mendimin. Por edhe nga ana tjetër, tek një pjesë e mërgimtarëve mund të vërehen paragjykime ndaj jetës dhe punës së njerëzve që jetojme e punojme ne atdhe. Ndonjëherë sillen dhe flasin sikur asgjë e mirë nuk po krijohet në Kosovë, sikur asgjë nuk funksionon siç duhet, sikur çdo mirëqenie e krijuar këtu duhet të shpjegohet patjetër me burime të dyshimta. Edhe kjo është një formë paragjykimi që nuk i përket realitetit. Mjafton të shohim qytetet dhe fshatrat tona, objektet shumëkatëshe, bizneset, shtëpitë, veprimtaritë profesionale e ekonomike dhe gjithë atë punë të përditshme që bëjnë njerëzit që jetojnë e punojnë në Kosovë. Puna e tyre fizike dhe intelektuale nuk mund të mohohet vetëm pse ekziston një pjesë e madhe e kapitalit dhe ndihmës që vjen nga mërgata.
Mërgimtari dhe rezidenti nuk duhet të shihen si dy kategori që konkurrojnë me njëra tjetrën, por si dy pjesë të së njëjtës shoqëri, që në rrethana të ndryshme kontribuojnë në mënyra të ndryshme. Njëri mund të jetojë jashtë dhe të investojë këtu; tjetri mund të jetojë këtu dhe ta ndërtojë përditë këtë vend me punën e tij. Të dyja kanë vlerë.

  1. Divergjenca përtej arsyes

Dallimi është pjesë e natyrshme e njeriut. Por kur humb arsyen dhe shndërrohet në teprime e armiqësi, kalon një kufi tjetër. Atëherë nuk kemi më divergjencë mendimesh, por përplasje identitetesh. Njeriu nuk thotë më: “Unë mendoj ndryshe nga ti”, por: “Ti je i gabuar pse je ndryshe nga unë.” Kjo është shumë më e rrezikshme. Sepse debati nuk zhvillohet më ndërmjet dy ideve, por ndërmjet dy identiteteve që kërkojnë ta përjashtojnë njëri tjetrin.
Kështu kultivohet ndasia dhe urrejtja. Urrejtja rrallë fillon me një krim të madh. Ajo mundë të nis me një fjalë, një etiketim, një përbuzje, një paragjykim, një tallje, një “ne” kundër “atyre”. Pastaj kufiri zgjerohet. Ajo që sot është vetëm një fjalë, nesër mund të bëhet sjellje dhe pasnesër normë shoqërore. Prandaj, kur divergjenca humb arsyen, ajo nuk është më thjesht dallim. Ajo bëhet terren ku mund të rritet përçarja dhe, në rrethana të caktuara, edhe konflikti.

  1. Pse të urrehemi

Ndoshta sepse ende nuk kemi arritur ta kuptojmë plotësisht një të vërtetë të thjeshtë:
Tjetri nuk është kërcënim vetëm pse është tjetër. Një parti tjetër nuk e rrezikon demokracinë vetëm pse ka program tjetër. Një besim tjetër nuk e rrezikon identitetin tim vetëm pse është i ndryshëm. Një brez tjetër nuk është armiku im vetëm pse nuk mendon si brezi im.
Një kategori sociale nuk është më pak njerëzore vetëm pse ka një status tjetër. Mërgimtari nuk është më pak i yni vetëm pse jeton përtej kufirit.
Në fund të fundit, problemi nuk është se kemi dallime. Problemi është se jo rrallë nuk dimë çfarë të bëjmë me to. Kur nuk dimë të bashkëjetojmë me dallimet, ato shndërrohen në mure.

  1. A mund të jetojmë me të larmishmen

Shoqëria moderne nuk mund të ndërtohet mbi uniformitetin. Asnjë shoqëri nuk mund t’i bëjë të të gjitha dhe te gjithë njësoj. Sfida nuk është t’i zhdukim divergjencat, por t’i bëjmë ato të bashkëjetojnë duke na sjellur progres dhe prosperitet. Duhet ta kuptojmë, uniteti nuk është uniform, njëtrajtshmëri. Mund të vazhdojmë të jemi të ndryshëm dhe përsëri të jemi bashkë. Mund të votojmë ndryshe dhe ta duam të njëjtin vend. Mund të kemi bindje të ndryshme fetare dhe të respektojmë të njëjtin njeri, duke respektuar dhe besuar të njëjtin Zot. Mund të jemi të brezave të ndryshëm dhe të mësojmë nga njëri tjetri. Mund të jetojmë jashtë vendit dhe të mbetemi pjesë e së njëjtës shoqëri. Kjo është pjekuria e vërtetë shoqërore: jo ta eliminojmë tjetrin, por të mësojmë të jetojmë me të.

  1. Dhe pyetjet mbeten të hapura

Nëse kemi dalë nga një kohë kur mendimi i vetëm ishte normë, pse ende e kërkojmë mendimin e vetëm? Nëse krenohemi me tolerancën, pse kemi vështirësi ta tolerojmë tjetrin? Nëse e duam demokracinë, pse kundërshtarin, thën me but konkurenti e shndërrojmë në armik?
Nëse e çmojmë mërgimtarin si njeriun tonë shumë te dobishëm, pse e ndajmë sipas bindjeve dhe ne bazë te asaj pse jeton e punon jasht ?! Nëse flasim kaq shumë për bashkim, pse prodhojmë kaq shumë arsye për ndarje? Ndoshta përgjigjja është më e thellë se politika, fejs, ekonomia. Duke krijuar frik, urrejtje shprehim dobësi: kur nuk kemi argument për ta bindur tjetrin, përpiqemi ta poshtërojmë; kur nuk kemi forcë ta kuptojmë, përpiqemi ta përjashtojmë; kur nuk kemi durim ta dëgjojmë, fillojmë ta urrejmë. Pyetja “Pse kjo urrejtje?” nuk duhet t’u drejtohet vetëm politikanëve, partive, feve apo kategorive të caktuara. Duhet t’ia drejtojmë secili vetes. Shoqëria nuk është dikush tjetër, ajo jemi ne. Nëse duam më pak mosdurim dhe urrejtje në shoqëri, duhet të fillojmë nga mënyra se si e shohim njeriun që nuk mendon apo nuk është si ne. Atëherë do të kuptojmë se divergjenca nuk është domosdoshmërisht përçarje. Ajo mund të jetë edhe një mënyrë më njerëzore për të qenë bashkë, për ta zhvilluar mendimin dhe për ta zhvilluar gjithë shoqërinë. Krejt në fund, mbetemi optimistë të pandryshueshëm se do të dimë t’i tejkalojmë edhe këto dobësi individuale dhe grupore, që nuk janë domosdoshmërisht dobësi të gjithë shoqërisë. Nuk duhet të lejojmë që ato të shndërrohen në dukuri fatale e të padëshiruara. Duhet të mësojmë të njohim, të kuptojmë dhe të respektojmë më mirë njëri tjetrin. Sepse dallimi nuk është armik i bashkimit. Armik me pasoj fatale i unitetit e i bashkimit bëhet vetëm moskuptimi dhe urrejtja ndaj dallimit!/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.