Visar Ismajli kërkon hetim për fillimin e punës para përfundimit të afatit të ankesave
Gjilan – Visar Ismajli i është drejtuar me një kërkesë urgjente Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, Inspektoratit të Arsimit, organeve të tjera kompetente dhe Prokurorisë, duke kërkuar hetim dhe verifikim të respektimit të afatit ligjor të ankesave në një procedurë rekrutimi.
Në kërkesën e tij, Ismajli kërkon që të verifikohet ligjshmëria e fillimit të punës së një kandidati të përzgjedhur, për të cilin pretendon se ka nisur punën para përfundimit të afatit për ushtrimin e ankesës dhe pa kontratë pune.
Sipas Ismajlit, kjo situatë ngre pikëpyetje lidhur me respektimin e procedurave të rekrutimit dhe kërkon sqarim institucional për mënyrën se si është vepruar në këtë rast. Ai thekson se nuk kërkon që paraprakisht të konsiderohet se është kryer ndonjë vepër penale, por kërkon verifikim të pavarur të fakteve, dokumentacionit dhe përgjegjësive eventuale.
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Ismajli kërkon të përcaktohet saktësisht data e vendimit për përzgjedhjen e kandidatit, data kur kandidati është njoftuar me vendimin, afati i fundit për ankesë, data e fillimit të punës dhe nëse në momentin e fillimit të detyrës ka ekzistuar kontratë pune.
Ai kërkon gjithashtu të sqarohet, në rast se kontrata nuk ka ekzistuar, mbi çfarë baze ligjore është lejuar ushtrimi i detyrës, si dhe kush e ka autorizuar apo lejuar fillimin e punës para përfundimit të afatit të ankesave.
Një pjesë e veçantë e kërkesës së Ismajlit lidhet me Nenin 33 të Rregullores QRK Nr. 19/2024, konkretisht me paragrafin 7, për të cilin ai kërkon verifikim nëse është respektuar në raport me lidhjen e kontratës pas përmbylljes së procedurës së ankimimit.
Ismajli i kërkon Prokurorisë kompetente që, nëse gjatë shqyrtimit të dokumentacionit dhe rrethanave dalin dyshime të arsyeshme për shkelje të ligjit apo përgjegjësi eventuale penale, të ndërmarrë veprimet hetimore në përputhje me kompetencat ligjore.
Në kërkesën e tij, ai kërkon që institucionet të sigurojnë dhe shqyrtojnë dokumentacionin e konkursit, vendimin e përzgjedhjes, dëshmitë e njoftimit të kandidatit, ankesat eventuale, kontratën e punës dhe dokumentet që dëshmojnë datën e fillimit të punës.
Ismajli e ka paraqitur çështjen si kërkesë për transparencë, verifikim institucional dhe respektim të procedurave ligjore, duke ia lënë organeve kompetente përgjegjësinë për të përcaktuar nëse në rastin konkret ka pasur shkelje dhe nëse duhet të ndërmerren veprime të mëtejshme./rajonipress/


