Kurti i bën ofertë të re PDK-së: Na i siguroni gjysmën e votave për Bekim Sejdiun, ejani e kalojmë ligjin për Specialen
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë një ofertë të re ndaj Partisë Demokratike të Kosovës për tejkalimin e ngërçit rreth zgjedhjes së presidentit.
Në konferencën për media, Kurti tha se, duke qenë se afati për zgjedhjen e presidentit është në orët e fundit, Vetëvendosje po i propozon PDK-së një marrëveshje konkrete.
Ai kërkoi që PDK-ja të deklarohet publikisht se do të sigurojë së paku gjysmën e votave të deputetëve të saj për kandidatin e propozuar për president, Bekim Sejdiu.
“Meqë ne jemi në orët e fundit kur kalon afati, ne po e bëjmë edhe një ofertë shtesë e konkrete. Nëse PDK zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për profesor Bekim Sejdiun, meqë pjesën tjetër e kemi me LDK-në, atëherë ne po procedojmë me votimin në lexim të dytë”, tha Kurti.
Zhvillimet e fundit, Kurti konferencë në ora 15:00
Kreu në detyrë i Qeverisë kërkoi që ky zotim të bëhet publik para qytetarëve, duke theksuar se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër kandidatit.
“Po kërkojmë nga PDK publikisht që të zotohet para jush, para qytetarëve, se së paku gjysmën mund të na i sjellin në seancë të votojnë, qoftë edhe kundër Bekim Sejdiut”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se situata aktuale paraqet një mundësi për tejkalimin e krizës politike.
“Kemi një shans unik përpara”, tha ai. /Telegrafi/


