Uji Dea

Zëvendëskryeministri i premtimeve të mëdha

/ 10 minuta lexim
Fundamenti

Po të ishte kryeministër buxheti i shtetit do të ishte 3-4 miliardë euro, për autostradën nuk do të investoheshin mbi 10 milionë euro për një kilometër, por 3,5-4 milionë euro,se do të bënte një privatizim tjetër,do ta aktivizonte “Trepçën”, në aeroport do ta ndërtonte një terminal me 100 milionë më pak investime… A janë premtime reale të Behgjet Pacollit, zëvendëskryeministrit të pakënaqur me punën e qeverisë, apo edhe ato janë në vazhdën e shumë të tjerave që kurrë nuk u realizuan. Ende ka shumë kontradikta që lidhen me emrin e Behgjet Pacollit, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës. Ato po mbajnë gjallë dilemat te një pjesë e opinionit, sado që Pacolli disa herë është rrëfyer për to.

Behgjeti nuk ka para. Krejt ato janë të biznesit rus, ndërsa ai shërben vetëm si ndërmjetës për manjatët rusë në Zvicër dhe në vende të tjera. Pacolli ka shumë para. Ai prej 30 vjetësh bën biznes që ka hyrë në botën globale, përfshirë dhe rinovimin e Kremlinit dhe ndërtesave të tjera simbol në Rusi. Ka ndërtuar gjithë Kazakistanin.

Pacolli është kthyer në Kosovë për të përfituar nga privatizimet dhe tenderët publikë. Secilën punë ai e bën për të rritur pasurinë e vet. Ai nuk ka nevojë për paratë e Kosovës, ai fiton jashtë vendit. Qëllim i tij është që Kosovë të zhvillohet ekonomikisht.

Pacolli ia ka vënë syrin “Trepçës” dhe pasurive të tjera të vendit. Po synon t’i përvetësojë ato. Ai nuk ka nevojë t’ia marrë Kosovës këtë shpresë. Është i interesuar të bëjë vepra bamirësie, si shumica e të pasurve që, kur arrijnë këtë moshë, pësojnë një metamorfozë dhe priren drejt veprimeve altruiste, për realizimin e vetes dhe lënien e gjurmëve.
Këto janë vetëm disa kundërthëniet që qarkullojnë në opinion për shqiptarin më të pasur Behgjet Pacollin, të cilat janë shtuar pas hyrjes së tij në politikë, marrjes së postit të presidentit për vetëm 30 ditë dhe emërimi i tij në pozitën e zëvendëskryeministrit.

Prej se ka marrë këtë post akuzohet se është vënë në shërbim të kryeministrit Hahsim Thaçi, ndërsa prezantimi i planit të tij për Trepçën, bëri që të kthehet në objekt sulmi me arsyetimin se po përgatitet të marrë edhe këtë ish-gjigant.
“Ju e keni parë projektin tim për ‘Trepçën’. Unë po kërkoj që ajo të kthehet në një kompani publike. Nuk po kërkoj që ajo të privatizohet dhe ta marr unë. Le të fillojë puna, le të punësohen njerëzit”, thotë Pacolli në lidhje me akuzat se ai dëshiron të marrë për vete minierën më të madhe në vend.

Kthimi i (pa) fuqishëm në Kosovë

Por, ai nuk ka treguar sa para ka personalisht. “Unë jam mjaft i pasur, por nuk mund të them shifrën se sa para kam. Nuk do të ishte modeste”, i përgjigjet Behgjet Pacolli pyetjes se a është shqiptari më i pasur.

Zakonisht në Agjencinë Antikorrupsion, secilin vit ka paraqitur shumën prej 300 milionë eurosh, si pasuri të tij personalen – në kesh dhe patundshmëri, ku hyn edhe shtëpia e 20 milionë eurove që e ka ndërtuar në Hajvali. “Mabetex Internacional vjet ka pasur qarkullim 2.3 miliardë euro. Ky bilanc është certifikuar nga kompanitë audituese. Jam shumë i kënaqur se kompania ka mbi 32 partnerë, mijëra punëtorë dhe shtrihet në mbi 70 vende të botës”, tha për revistën Ekonomia, Behgjet Pacolli.
Pavarësisht ecurisë së mirë që ka pasur Mabetex në vendet e jashtme, në Kosovë Behgjet Pacolli nuk është prezent fuqishëm. Ky argument përdoret shumë nga kundërshtarët e tij, për ta akuzuar se ai më shumë spekulon se është realisht industrialist i fuqishëm. Mosshfrytëzimin e potencialit të Mabetex-it e pranon edhe vetë, duke theksuar që ka mundësi edhe më shumë, por ai drejton gishtin drejt personave të ndryshëm për të treguar se e pengojnë për t’u shtrirë më fuqishëm në Kosovë.

‘Në Kosovë, nëpër kompanitë e mia janë të punësuar rreth 2.500 persona. Këtu hyjnë punëtorët e bankës, kompanitë e sigurimeve, hoteli, prodhimi i dyerve dritareve etj. Por, këta janë shumë pak. Sikur të mos pengohesha apo të më hapej rruga, unë do të kisha minimum 10 mijë të punësuar në Kosovë”, tregon Pacolli duke shtuar se ka shumë njerëz që dëshirojnë edhe shkatërrimin e Mabetex-it, pasi vetë nuk janë të aftë të krijojnë një kompani të tillë.
Ai tregon se që nga tenderi për rikonstruktimin e Pallatit të Rilindjes, u ka ndaluar familjarëve të tij dhe njerëzve të tjerë të kompanisë, që të marrin pjesë në tenderë publikë.

Për këtë tender pati marrë kritika me arsyetimin se ka qenë çmimi më i shtrenjtë dhe i është dhënë kompanisë së tij për shkak të ndikimeve që ka pasur ai. Por, ai tregon se për punët e kryera ende i kanë mbetur borxh 800 mijë euro.
“Sikur të merrja pjesë në ndërtimin e veprave publike që po bëhen në vendin tonë, kompania ime do t’i punonte me çmim shumë herë më të lirë. Mabetex është duke punuar një autostradë të elektrifikuar 600-kilometërshe, por në Kosovë nuk mund të konkurrojmë, sepse është një ambient i helmuar. Unë nuk hyj në konspiracione, sepse ka kushtuar ndërtimi i autostradës 10 milionë euro për kilometër, por them se Mabetex-i do ta ndërtonte me çmim 3.5 -4 milionë euro për kilometër”, thotë Pacolli.
Edhe për ndërtimin e terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, për të cilin kompania turke thotë se ka investuar 140 milionë euro, Pacolli pohon se nuk do të duheshin më shumë se 40 milionë euro.

“Kompania franceze që konkurroi në tender për të fituar të drejtën e koncesionit pati kërkuar nga ne që të kryejmë studimin dhe planin për ndërtimin e terminalit të ri. E bëmë gjithë studimin dhe projektin duke parë të gjitha çmimet e ndërtimit në botë dhe ne nxorëm çmimin se një terminal edhe më i madh se ky që është ndërtuar tani kushton 38 milionë euro”, tregon ai.

Privatizimi i heshtur

Uji Dea

Pjesëmarrja e Behgjet Pacollit në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë shpesh është bërë e qartë pas problemeve që ka pasur, duke filluar nga Fabrika e Tullave në Skenderaj, Farmedi, grand-hotel “Prishtina”, Fabrika e Tubave në Ferizaj, “Yumko”… Apo, aty u paraqit si blerës, pasi që ato ishin transformuar në pronë private. Ndërkaq, te grand hotel “Prishtina” problemi shpërtheu kur ai që kishte nënshkruar kontratë me AKM-në i tha se këtu nuk ka hise.

“Hoteli është pronë imja 60 për qind. I kam paguar gati rreth 6 milionë euro dhe ata që kanë anuluar blerjen dhe pengesat që i kanë bërë prej 6-7 vjetësh, vetëm po e humbin fytyrën. Pronën tënde askush nuk mund ta marrë, ky është rregull universal. U munduan të më detyrojnë të paguajë haraç, por nuk hyj në rrugë të tilla”, potencon zëvendëskryeministri.

Për hotelin është akuzuar se në kundërshtim me rregulloret e privatizimit ka bërë marrëveshje të fshehtë, duke mos u paraqitur si blerësi, por duke pretenduar se blerësve të vërtetë u ka huazuar para, meqë ata nuk kishin. Kundërshtarët e zëvendëskryeministrit thonë se shumica e blerjeve nga ana e z. Pacolli është bërë në këtë mënyrë.

Polemikat që ka pasur ndër vite me ish-AKM-në dhe tash me AKP-në, kanë çuar në krijimin e një opinioni paksa të egër për një zëvendëskryeministër. “AKP-ja është qendër e krimit të organizuar. Këtë jam në gjendje ta dëshmoj në gjykatë dhe para çdo organi. Dihen dhe njerëzit e kriminalizuar, të cilët vazhdojnë të merren me krim të organizuar. Unë që në fillim kam kërkuar të ndryshohet ligji dhe të shuhet kjo organizatë, për shkak se ka shkatërruar ekonominë e Kosovës. Disa parlamentarë kanë thënë se unë po e bëj këtë për interesa personale, por tani po e shohin se ku na ka çuar ky privatizim”, thotë ai.

Puna që nuk po duket

Ai nuk pranon se ka shërbyer për të ndihmuar agjendën e kryeministrit Thaçi, duke thënë se ka arritur që dy ministri t’i kthejë në binarë të normalitetit. Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe atë të Zhvillimi Ekonomik, ku punohet realisht dhe puna dallon komplet nga ministritë e tjera.

“Kemi arritur që ta kalojmë strategjinë e zonave të lira, të cilat shpejt do të bëhen realitet në Gjakovë dhe në Mitrovicë. Brezovicën arritëm ta heqim nga kthetrat e AKP-së dhe atje do të nisë ndërtimi i kompleksit dhe i qendrës për skijim. Por, ju të gjithë e dini që nuk është qeveria imja dhe shpeshherë jemi keqkuptuar për idetë që kemi plasuar. Shpesh me këmbëngulje të madhe na është dashur t’i çojmë përpara idetë tona”, potencon ai.

Mirëpo, pikërisht këta sektorë nuk kanë arritur të bëjnë diçka që t’ia ndryshojnë cilësinë e jetës kosovarëve. Nuk u arrit punësimi i premtuar, nuk erdhën investitorët e huaj që të sjellin kapital në Kosovë, energjetika po ngec, privatizimi i ndërmarrjeve publike është bllokuar dhe vështrohet si një proces i korruptuar.

Ndërkaq, Pacolli thotë se ka pasur shumë iniciativa që është munduar t’i sjellë në Kosovë – disa kanë mbetur, e disa janë realizuar. Ai parasheh që në kuadër të “Metalikut” në Gjakovë të ngrihet fabrika për montimin e traktorëve, pastaj edhe një fabrikë e mobilieve vetëm për eksport.

Ndërsa në Mitrovicë parashihet ndërtimi i një fabrike të madhe për prodhimin e kërpudhave. “Investitorët po kërkojnë tokë për ta kryer investimin, ndërsa qeveria tallet. Investitori është shprehur se nëse nuk realizohet shpejt, do të ikë në Serbi. Ju keni parë që Serbia ofron 10 mijë euro për çdo të punësuar. Duhet të tregohemi më fleksibël”, thotë Pacolli.

Në lidhje me investimet e huaja në Kosovë, që çdo vit kanë ardhur duke u zvogëluar ai përmend një varg arsyesh se pse po ndodh kjo. “As unë, e as investitorët nuk jemi të kënaqur me ambientin në vend. Dy inspektorë tatimorë janë në gjendje të shqetësojnë një biznes, i cili ka audituar krejt financat. Kjo po na dëmton, sepse kemi informata të tilla”.

Sipas tij, sikur të qeveriste AKR-ja në këto dy mandate, buxheti i Kosovës do të ishte 3-4 miliardë euro. “Nuk kemi asnjë veprim në drejtim të ekonomizimit të vendit. Qeveria nuk ka bërë asnjë veprim të tillë”. /Revista Ekonomia/