Vepër analitiko – sintetike për onomastikën shqiptare
Nga Bahtijar Kryeziu – Akademik Gjovalin Shkurtaj, Onomastikë dhe etnolinguistikë, Botim i dytë, i rivështruar dhe i pasuruar, Albas, Tiranë, 2015, faqe 296). Akademik Gjovalin Shkurtaj, njëri ndër studiuesit më të shquar të dijes albanologjike (si në studimet dialektologjike, në ato sociolinguistike, etnolinguistike, në gjuhësinë e zbatuar dhe gjuhësinë teorike, në fushën e onomastikës etj.), në edicionin e botimeve universitare, këto ditë nxori nga shtypi edhe veprën e tij të radhës “Onomastikë dhe etnolinguistikë”, të cilin libër edhe e kemi bërë objekt trajtimi e analize këtë radhë.
Është ky një botim i rrallë analitiko-sintetik në studimet tona të onomastikës, një disiplinë gjuhësore relativisht e re por shumë e rëndësishme, deri dje, jo edhe aq e hulumtuar dhe e studiuar, ose siç shprehet akademik R. Qosja “E vonuar në përpjesëtime botërore, e cila mund të quhet aq më e vonuar tek shqiptarët”, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, apo edhe në viset e tjera të banuara me këtë popullatë, edhe pse dihet se “të dhënat e onomastikës dhe hulumtimet e shqyrtimet e hapëta rreth emrave të viseve (toponimeve) dhe emrave të njerëzve (patronimeve dhe antroponimeve)”, kanë vlera të pallogaritshme etnolinguistike, kulturore dhe historike. Se kemi të bëjmë me një vepër të mirëfilltë, të shtjelluar me një akribi të veçantë e të peshuar mirë e mirë, dëshmon, pa fije dyshimi, përzgjedhja e një materiali të rëndësishëm onomastik, sigurisht “duke “krasitur” ndonjë pjesë që nuk ishte mirëfilli e lidhur me onomastikën (në botimin e parë, 2001, B. K.) e duke plotësuar disa sytha të krerëve ekzistues, si dhe duke shtuar disa pjesë të reja” (në botimin e dytë) – siç shprehet autori në Fjalën paraprijëse të kësaj vepre.
Veprën “Onomastikë dhe etnolinguistikë” akademik Shkurtaj e ka strukturuar në XI krerë:
Kreu I – Emrat e vendeve dhe emrat e njerëzve: vijimësi, bigëzime dhe ndikime.
Kreu II – Rëndësia e onomastikës për historinë e popullit dhe të kulturës shqiptare.
Kreu III – Veçori semantike dhe strukturore të toponimisë shqiptare që dëshmojnë hershmëri dhe unitet.
Kreu IV – Shqyrtime paraprake rreth etnonimisë shqiptare: bigëzimet Albania-Shqipëria, arbën / arbër – shqiptar; Gegëria, Toskëria etj.
Kreu V – Emrat e njerëzve (antroponimet) dhe bigëzimi i tyre në forma zyrtare dhe jozyrtare.
Kreu VI – Shqyrtime sociolinguistike për emrat e farefisnisë dhe emrat vetjakë të shqipes.
Kreu VII – Bigëzimet gjuhësore në onomastikë si tregues të bigëzimeve shoqërore: rasti i toponimeve dhe antroponimeve dygjuhësore në ngulimet arbëreshe.
Kreu VIII – Probleme të onomastikës letrare: emrat e personazheve dhe të autorëve në rrjedhë të moteve.
Kreu IX – Perëndimi dhe Lindja në sociotipin shqiptar.
Kreu X – Rreth etnonimit Skutari dhe disa gegizmave në të folmen arbëreshe të Shën – Kostantinit.
Kreu XI – Vendi i emrave të kafshëve në sistemin onomastik të shqipes dhe, si një ndihmesë të mirë për studiuesit e rinj të kësaj fushe, akademik Shkurtaj ka dhënë një Mbështetje metodologjike (Pjesa e dytë), ku autori i kësaj vepre paraqet një Pyetësor për mbledhjen e toponimisë shqiptare, i cili pyetësor sigurisht se do të mirëpritet nga të gjithë ata studiues të cilët mëtojnë t’i rreken studimeve në fushën e onomastikës në përgjithësi e toponimisë në veçanti. Po ashtu, në këtë vepër gjejnë vend edhe “disa vlerësime për vepra të rëndësishme në fushën e onomastikës, që janë botuar në vëllime të ndryshme, po edhe disa vlerësime e trajtime të pabotuara, të cilat, në tërësinë e tyre, mendoj se, jo vetëm e zgjerojnë kuadrin e kundrimit të onomastikës shqiptare, por edhe mund të vlejnë si modele për hulumtime e punime të tjera në këtë fushë, dikur aq gratçore, po edhe sot e gjithë ditën, ende me rëndësi e mundësi për prurje të mirëpritshme e të vlefshme për shkencat albanologjike” – thotë autori i veprës në fjalë.
Derisa në kreun e parë: Emrat e vendeve dhe emrat e njerëzve, autori pykëzohet në disa të dhëna dhe shpjegime, qoftë në aspektin etimologjik apo strukturor për a) emrat e njerëzve apo emrat vetjakë (antroponimet: Gjin, Gjon, Gjergj, Kolë, Nikë…) dhe emrat familjarë përkatës të tyre (patronimet: Perkolgjinajt, Marlekaj, Marvukaj, Vukpalaj, Dedvukaj, Permalaj, Lulgjuraj, Ukcama, Ukgjini etj.) b) emrat e vendeve (toponimet), si: oikonimet apo emrat e vendeve të banuara (qytete, qyteza, katunde, lagje: Shkodra < Scodra), Vlora / Vlona


