Thika
Nga Mehmetali Rexhepi – Gjethet e drurëve, të plepave, shelgjeve vetullvarura ndanë lumthit shkëlqenin. Sytë liqe të kodrës presin t`iu vardisen buzët, gjiri dhe kofshët e ndonjë rinoreje, pas valëzimit të ngjyrosur të shikimit… Ndoshta premtues… Joshës, sikurse valëzimi xixëllues i liqenit?…
Shkëlqim veror lëbyrës.
Flakëron.
Flakërimës ia lypa thikën për të prerë bukën në hijen e mollës.
Gjethet e drurëve, të plepave, shelgjeve vetullvarura ndanë lumthit shkëlqenin. Sytë liqe të kodrës presin t`iu vardisen buzët, gjiri dhe kofshët e ndonjë rinoreje, pas valëzimit të ngjyrosur të shikimit… Ndoshta premtues… Joshës, sikurse valëzimi xixëllues i liqenit?…
Por se si gjithçka është mjegulluar, se si avullohet liqeni, ai liqe rinor, ai shkëlqim dhuntie çastesh… Ngjyra e hirtë e kohës e shoi zjarrminë e mijëra mëtimeve… E dhjetëvjetorët nuk e fikën krejt dritësimin… Mbi katër dhjetë vjetarë një vezullim metali në diellin e korrikut dhe në dorën e Epit. Ngado që e rrotullonte ajo vezullonte thekshëm. Një vezullim minor në vezullimin madhor të stinës. Mprehja e saj theksuese ngjallte ngjethje lokale në vapën e përtrollitur.
Fillim a rastësi e pa përfillur për peshën e lojës me thikë në lëkurë? E mbante diku në brez pantoll-shkurtër. Udhës këmbëzbathur po t`i dukej ajo në dorë, shfaqte trishtimin e një gatishmërie, përderisa mungonte shalqiri që prehej me të. Ndryshe ajo ngjasonte, përpos me emër tjetër, si enigmë e pritur për behje ose gatitje e ndonjë gjëme… Andej tehut të thikës lëbyrej shikimi, vrerohej kthjelltësia e ditës rinore.
Prarimi dhe Parimi notonin cekëtinës së naivitetit ujë-kosit të liqenit, përderisa Epi notonte thellësive. Meqë nuk zhyteshin më thellë se niveli i naivitetit të tyre, tehu i pa provuar i thikës mbi lëkurë, indiferenca për thikën ia jepte asaj trajtën e një lule-shpate. Te ta ajo nuk zgjonte rrëqethje. Ende nuk zgjonte të rrëqethurën, se mendësia ua kishte topitur të përtejmen e kureshtjes.
Thika në duart e Epit për Parimin dhe Prarimin joshte ngazëllimin e çeljes së pastetave. Ata dukeshin të pa përqendruar, vetëm aq peshonte ai metal i lëmuar, i thekshëm e reflektues rrezesh. Pos Prarimit, dhe të tjerëve të rastësishëm, madje as Parimit, s`ua përqendronte vëmendjen refleksi i rrezeve që thyheshin e shqyheshin mbi atë metal të ftohtë e përvëlues. Mendësi e një indiference veshur me zhguall të trashë. Ai donte të shqyente, madje me atë zhguallin e indiferencës së buallit…
Mes efektit përvëlues mëtonte depërtimin e armës tij të ftohtë. Me çfarë dhe për çfarë? T`ia sillte pak vrushkuj freskie korrikut? Por ajo e kishte namin e keq?!
Tipi rebel përsiaste: dua, por si t`ia mbështjell përmasës së thellë të ftohtësisë së dhjetorit jorganin përcëllues të korrikut, djegur nga simboli i katër drapërinjve me tehe harkore katër anësh?
Po nuk e kape prushin me dorë, prite djegien.
Po nuk të dogji tëmbli, nuk do t`i frysh kosit. Ajo që ngulet në venë, për t`ia prishur shtratin rrjedhës së lumthit të kuq të venës, ngrit-zbritjeve të saj nga lart-poshtë, lart e poshtë yjve të gjallë të sojit… I mbeti përkufizimi i pa përcaktuar për shtresimet e zhguallit.
Nuk dinin ku, kur dhe kush kishte dëftuar ftohtësinë e thikës që vinte në kupë të vapës. Pohimin e flluskuar e kishte marr era, sepse maja e ftohtë e sprovës nuk kishte prekur gjymtyrët e tyre të brishta. Si dukej Epi luante, sepse nuk shqiptonte ofshama dhimbjeje. Çfarë bënte Ai me thikë në dorë? Mos dëshironte të përcaktonte lartësi, hierarki mbi Parimin, Prarimin, mbi mesin e moshatarëve?…
Vetë me vete:- nëse nuk ma tumirin lojën? – Le të mos e tumirin, do ta tumirë uni im. Sepse Ai e kishte kërcyer gardhin e parë të gjembuar. Atëbotë, Prarimi sogjetonte hapësirën e ecejakeve të Epit. Pse Epi përhumbej në shikime tej kodrave ndanë liqenit?
– Ndonjëherë harronte vetveten. Ndoshta i dukeshim vetëm qenie të mjera pa fisnikëri?
– Kush e di? – Ishte pikasje e vonuar e Parimit.
– Nuk i identifikoja ato shikime të Epit, që kur ktheheshin sy më sy ishin shigjetuese.
– Çfarë fshihnin shikimet të cilat i hidhte aq larg?
Mëdyshjet e Parimit po të shtriheshin vijës drejtvizore do të zgjateshin në largësi kilometrike. Ato nuk ishin pa lakore, pa tatëpjeta, pa maja thikë përpjetë.
* Nga ndjesitë e ftohta më pikonin djersë akulli vetëtimthi të shkrirë! Sa e brishtë i dukej vetja Parimit përballë përmasës së vrazhdë, përbindëshit shtet!
* Diçka po vëreja përtej të rëndomtës së shikimeve të Epit- shkëputi një fragment nga moria e përsiatjeve, Prarimi.
* Çfarë?
* Gjëmën?…
– Jo, jo… Nuk pikasej gjëma …
– Shikimet e tija i ngashënjente një botë tjetër, e munguara e shqipes së tij, prej së cilës priste që t`ia fuqizonte mësymjet, por ajo e gjakuar nuk i vinte jashtë shikimit…
Në optikën e dyshimit Prarimit vetja i tkurrej në një medaljone miniaturale./rajonipress/


