Fundamenti

Thaçi tallet me popullin, paralajmëron pazare kompromisi me Serbinë

/ 15 minuta lexim

Presidenti Hashim Thaçi edhe në paraqitjen e tij për medie në Londër ka deklaruar të shtunën se Kosova është gati për dialog, gati për kompromise, gati për negociata, gati për marrëveshjen historike për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror.

Pra, pavarësisht kundërshtimit të fuqishëm të opinionit publik kosovar në këtë retorikë të rrezikshme, presidenti po vazhdon me këtë avaz, kurse analistët politikë dhe subjektet politike opozitare në vend po vazhdojnë të pyesin kështu se kë po e përfaqë- son ai kur deklaron se Kosova është gati për kompromise? Analistët pyesin se si dhe pse po tallet Hashim Thaçi me popullin, por edhe me të gjitha partitë politike, të cilat as idenë nuk e kanë se si ta ndalojnë Hashim Thaçin që të mos udhëheq bisedimet finale me Serbinë, kur ai publikisht dhe paraprakisht deklaron se Kosova është e gatshme për kompromise?! Analistët dhe qytetarët shtrojnë pyetjen se si mund të bëhet marrëveshje historike dhe me kompromise pa u detyruar Serbia që të paguajë dëmet e luftës, por edhe që të dorëzojë të gjithë të pagjeturit.

Një debat rreth këtij procesi, platformës së Qeverisë së Kosovës, e cila është dërguar në Kuvend, pritet të zhvillohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës dhe vetëm këtu deputetët e Kuvendit të Kosovës do të marrin qëndrimin e tyre lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces, që, sipas analistëve, nuk do të duhej të lejojnë që Thaçi të bëjë pazare e kompromise të rënda për Kosovën dhe qytetarët, vetëm e vetëm për të përfituar vetë nga Serbia, respektivisht për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, duke mos e detyruar Serbinë për të paguar dëmet e luftës dhe të dorëzojë të pagjeturit kosovarë. Deputeti Salih Salihu, thotë për “Kosova Sot” se qëndrimet e subjektit të tij politik rreth këtyre çështjeve, por edhe rreth platformës për bisedime, do të shtrohen në Kuvend gjatë diskutimit të sotëm, por gjithsesi që deklarimet e presidentit janë shqetësuese dhe duhet të sqarohen.”Unë mendoj që nuk duhet shkuar kështu bllok dhe blanko për të thënë se ja vetëm po shkojmë në negociata, pa pasur një platformë të artikuluar mirë dhe të analizuar nga të gjitha subjektet politike, të cilat janë në Parlamentin e Kosovës. Dhe kjo çështje, faktikisht dialogu, duhet të monitorohet nga ana e Kuvendit të Kosovës, Kuvendi ta marrë nën mbikëqyrje, sepse nuk mundemi që t’ia lëmë këtë një njeriu, sepse praktika e deritanishme ka treguar që me të gjitha marrëveshjet që i ka bërë deri më tani presidenti më shumë i ka bërë dëme vendit sesa që në fakt ka ecur Kosova përpara, ndërkaq në anën tjetër ka përfituar Serbia. Duhet pasur të qartë që deri më tani çdo gjë që është bërë, është bërë kinse për procesin e integrimeve, kinse një hap përpara, Kosova kinse më afër BE-së, mirëpo duhet ta kemi parasysh që për të hyrë në BE- shumë më shumë ka nevojë Serbia sesa Kosova tash për tash, sepse Serbia ka një treg të fuqishëm, duke filluar nga industria ushqimore e deri tek industria e elektronike dhe e rëndë, dhe Serbisë i konvenon për këtë fakt, që sa më shpejt të hyjë në BE, dhe ne po ia mundësojmë kësaj një hyrje më të shpejtë në BE dhe një treg pa doganë, ndërkaq Kosova vetëm me patate dhe me vezë i plotëson nevojat e veta dhe paramendojeni cilat janë përfitimet e Kosovës në këtë rast kur ne jemi shumë të dobët në industri. Kështu që ne kemi shumë mundësi që tani ta kushtëzojmë Serbinë dhe të mos ia mundësojmë që kaq lehtë t’i përshpejtojmë rrugën për në BE, sepse po shihet që edhe BE-ja në njëfarë mënyre është duke e përkëdhelur paksa Serbinë”, thotë deputeti Salih Salihu nga PSD-ja.

BADALLAJ: THAÇI ËSHTË I LINDUR PËR DREDHI E MASHTRIME

Sipas analistit Reshat Badallaj, deklaratat e Hashimit në Londër dhe në disa qytete e kryeqytete të Evropës aspak nuk pinë ujë dhe nuk janë serioze dhe në to më nuk beson askush. Ai thotë se përpjekjet e Thaçit që të bëjë pazare në dëm të shtetit do të kundërshtohen nga qytetarët, nëse jo nga deputetët e Kuvendit.”Ky derdimen flet vetëm në emrin e tij personal dhe të një grupi mafio-oligarkësh e banditësh. Ky nuk mund t´i bëjë më pazaret pa hanxhiun dhe pa ia dhënë lejen populli, sepse ka dëshmuar se shumë herë ka bërë veprime të papërgatitura, të papjekura dhe në dëm të Kosovës. Prandaj, deklaratat e tij janë sa për të folur diçka, si themi ne nga anët tona:”Selam Gjakovës”. Hashimi i Brojës e di mirë se populli e ka humbur besimin dhe ky këtë besim mundohet ta kthejë me deklarata, sa për ta mashtruar popullin se dorën në zemër për dredhi dhe mashtrime është i lindur dhe i ka në gjak. Për çfarë kompromise flet ky derdimen dhe mik i Aleksdandër Vuçiqit e Edvin Kristaq Ramës. Populli nuk duhet lejuar që ky derdimen të flasë në emër të tij, kurse sa për bandat politike të mbushura me banditë e kryebanditë, të mos i besojë fare, sepse janë dëshmuar që shumë vjet që si pozita po ashtu edhe opozita janë të njëjtët banditë, që këta vagabondë mashtrojnë popullin me anë të kartës, kinse për interesa të vendit, e në fakt këta banditë dhe kryebanditë, si të pozitës po ashtu edhe të opozitës, e kanë vetëm për interesa të tyre personale dhe për të ndarë pazarin e hajnisë dhe pozitave, për të cilat jam në gjendje të japin jo qindra por mijëra shembuj”.

ALIU: THAÇI PO SILLET THUAJSE KOSOVA ËSHTË PRONË PRIVATE E TIJ DHE NUK KA NEVOJË TA PYESË ASKËND!

Sipas Bislim Aliut, analist politik, me deklaratën e fundit të presidenti Thaçi, të cilën e deklaroi në Londër se “Kosova është gati për dialog, gati për kompromise, gati për negociata, gati për marrëveshjen historike për normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim ndërshtetëror”, është krijuar shqetësim shtesë në opinionin publik dhe qytetarët e Kosovës. “Me të vërtetë kjo deklaratë e tij është e tmerrshme dhe shumë e dhimbshme për Kosovën dhe për popullin e saj. Kryetari Thaçi aq lirshëm dhe aq bindshëm deklaron kështu, thuajse Kosova është pronë private e tij dhe nuk ka nevojë ta pyesë askënd, por edhe mund të bëjë çfarë të dojë me të! Prandaj, edhe duhet të pyesim…vallë ku është Parlamenti i Kosovës, ku janë liderët e partive tjera, ku është Qeveria dhe ku është populli, që po e lënë aq lirshëm z. Thaçi të veprojë si të dojë për Kosovën, pa e pyetur askënd?!!! Me të vërtetë është aq e dhimbshme si vallë mundet aq lehtë Hashim Thaçi të tallet me popullin, por edhe me të gjitha partitë e tjera politike, të cilët nuk e kanë as idenë se si ta ndalojnë Hashim Thaçin që të mos i udhëheq bisedimet finale me Serbinë, ku ai publikisht dhe me aq lehtësi deklaron se Kosova është e gatshme për kompromise! Dhe, pyesim si vallë mund të bëhet marrëveshje historike dhe me kompromise pa u detyruar Serbia që të paguajë dëmet e luftës dhe t’i dorëzojë të gjithë të pagjeturit? Ndaj, a thua, çfarë po bëjnë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët duhet që sa më parë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me fazën e re të dialogut me Serbinë dhe platformën shtetërore të Kosovës për këtë proces dhe jo të lejojnë që z. Thaçi të bëjë pazare e kompromise të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj, vetëm e vetëm që të përfitojë dhe për të shpëtuar nga Gjykata Speciale, por edhe të mos i paguajë Serbia dëmet e luftës jashtëzakonisht të mëdha, që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë?”, theksoi analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot”.

Shkodra: Cili apo cilët kompromise mund të bëhen, askush nuk di të thotë

Mobi Casa

Analisti politik Shefik Shkodra thotë se dialogu me Serbinë për një marrëveshje historike të pajtimit dhe njohjes si dy shtete të pavarura nuk ka alternativë, por përgatitja për këtë dialog duhet të jetë në nivel.”Që të dialogohet e të merremi vesh me Serbinë nuk ka dilemë, por se për çfarë të bisedohet duhet gjithqysh të njoftohen qytetarët e Kosovës. Presidenti Thaçi po deklarohet se duhet të bëhet kompromis me këtë dialog. Cili apo cilët kompromise mund të bëhen, askush nuk di të thotë. Atëherë, Kuvendi i Kosovës është i obligueshëm që të merret me një platformë, pasi të vendosë se kush mund ta bëjë këtë dialog të fundit, siç po thuhet. Kuvendi publikisht duhet ta shtrojë një debat të dendur lidhur me këtë. Nuk është e pranueshme një kompromis, i çfarëdo peshe të jetë, pa një konsensus në mes të partive të vendit. Platforma mund të numërojë përveç tjerash: Serbia ta pranojë shtetin e Kosovës; që të kërkojë falje për gjenocid dhe gjetjen e viktimave shqiptare ku i ka fshehur; duhet t’i kthejë fondet e grabitura të punëtorëve tanë; të zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet e deritashme që janë bërë në Bruksel, etj. Nuk mund të bëhet kurrfarë kompromisi pa qëndrimin unanim të qytetarëve të vendit. Por e kemi Kuvendin, institucionin më legjitim”, theksoi Shkodra për “Kosova Sot”. Ai tutje shton se partitë, sidomos opozita, nuk duhet të heshtin, ndryshe do të konsiderohet se në Kosovë nuk ka institucione legale e legjitime të këtij populli dhe këtij vendi.

KELMENDI: TEMA E DËMEVE TË LUFTËS DUHET TË JETË TANI NË REND TË PARË!

Prof. Muhamet Kelmendi theksoi për “Kosova Sot” se ka kohë që ka deklaruar se z. Thaçi ka dalë kundër interesave vitale dhe vetë Republikës së Kosovës dhe këtë e ka argumentuar në shumë raste, prandaj kjo tani veç sa po rivërtetohet nga sjelljet dhe deklarimet e tij. Tema e dëmeve të luftës duhet të jetë tani në rend të parë, sipas prof. Kelmendit.”Nuk dua të futem në histori dhe t’i përsëris të bëmat e dëmshme të z. Thaçi. Por, duhet të i theksojmë, sepse dëmet janë të mëdha dhe shkatërrim i Republikës. Bisedimet, nëse mund të cilësohen ashtu, nuk mund të realizohen dhe të shkojmë nga paqja me shtetin serb, duke e shkatërruar Republikën. Me këtë nuk dihet atëherë pse u luftua nga shqiptaret dhe pse NATOja dhe SHBA-të intervenuan. Nëse bisedimet bëhen mbi bazën e shkatërrimit të Republikës, duke ndërtuar asociacion dhe sikundër ka bërë Thaçi, komuna informale, Republika shkatërrohet. Kosova nuk ka çka jep tjetër. Minoriteti serb është popullsi që jeton pa rregulla dhe tërësisht në shërbim të shtetit serb. Kosova duhet të bisedon me Serbinë tani për të gjitha këto tema: 1. Mbi dhunimet e femrave shqiptare, e numri i atyre që janë përdhunuar kalon 20 mijë femra; 2. Mbi dëmet materiale dhe morale që është një dëm mbi 50 miliard euro; 3. Mbi dëbimet e 1 milion shqiptarëve me dhunë e terror nga Kosova; 4. Mbi 13.700 shqiptarët e vdekur nga dhuna shoviniste serbomadhe dhe të atyre 1667 që ende gjenden diku në Serbi të varrosur e Serbia nuk tregon dhe nuk bashkëpunon për kthimin e kufomave të tyre”, u shpreh Kelmendi. Ai ka shtuar se lidhur me të drejtat e detyrat e minoritare, duhet thjesht të kemi reciprocitet, kuptohet midis të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe të minoritetit serb në Kosovë.”Dhe në fund njohje reciproke. Nëse këto nuk janë tema që diskutohen dhe të vendosen në bisedime, ato nuk kanë vlerë dhe duhet kundërshtuar me çdo mjet demokratike. Bisedimet, sikundër bën Thaçi duke e shkatërruar Kosovën, si me komuna, me asociacion dhe me çështje që dëmtojnë vendin, duhet refuzuar. Kosovës dhe popullit shqiptar nuk i duhen bisedimet jashtë temave të theksuara. Temat e Thaçit dhe të Vuçiqit duhet kundërshtuar, ato janë thjesht tipike armiqësore dhe shkatërrimtare. Presidenti i vendit duhet të jetë shumë i qartë dhe të deshifrojë për qytetarët dhe opinionin disa nga deklarimet e tij të paqarta. Çka kupton z.Thaçi me këto thënie: “Fleksibilitet, kreativitet dhe kompromise moderne”? Janë këto thënie që ju z. Thaçi i përdorët në Vjenë?! Fleksibilitet: Me këtë kuptohet bisedimet me çdo kriminel serb, pavarësisht duarve me gjak që i ka, kuptohet në luftën e ashpër kundër kombit shqiptar. Kreativitet: Kjo kupton ideologjinë e bashkëpunimit me okupatorin shoveno-fashist ndaj shqiptarëve pa shikuar të kaluarën. Kompromis: Kuptohet ndërtimi i një pushteti të veçantë serb me Asociacion. Këto elemente u theksuan nga z. Thaçi. Nuk ka fare dyshim se z. Thaçi është shumë i përgatitur për të ndërtuar një Asociacion funksional dhe me kompetenca politike e ekzekutive, si formë dhe mjet për të shkuar në nënshkrimin e marrëveshjes me shtetin serb. Është tradhti e madhe dhënia e Asociacionit sipas Marrëveshjes së vitit 2013 e Republikës, në emër të gjoja integrimeve, sepse kur e shkatërron vendin nuk ke fare se çka do të integrosh. Jam kundër çdo marrëveshje me Serbinë nëse ajo rrjedh nga humbja e shtetësisë dhe e territorit të Kosovës me ndërtimin e Asociacionit”, tha prof Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Qytetarët kundër çdo marrëveshje pa u trajtuar të pagjeturit dhe pa u paguar dëmet e luftës

Edhe qytetarët e anketuar nga gazeta ndajnë mendimin se Kosova nuk duhet dhe nuk mund të bëjë asnjë marrëveshje të ashtuquajtur historike me Serbinë pa u zgjidhur çështja e viktimave, të pagjeturve dhe e dëmeve të luftës, një çështje që është dashur kaherë të trajtohet, por është vonuar tash e dy dekada.”Besoj që mjaft është vonuar deri tani dhe normal që është dashur të ketë dhe më herët marrëveshje për dëmet e luftës. Nuk mendoj që mund të ketë pajtim me Serbinë pa u trajtuar dhe zgjidhur tema e viktimave dhe e dëmeve të luftës, normal që marrëveshje të tillë pa u trajtuar kjo çështje nuk duhet të ketë, sepse ka shumë dëme që janë shkaktuar, ka shumë të vrarë e të zhdukur që ka akoma edhe të pagjetur, nuk dihet akoma fati i tyre. Fillimisht duhet të ketë marrëveshje për dëmet dhe normalisht vetëm pastaj të ndodhë pajtimi historik”, theksoi qytetari Rasim Salihi për gazetën “Kosova Sot”.

Një mendim të tillë e ndan edhe qytetari tjetër, Omer Zogiani. “Kjo punë mendoj që është dashur të bëhet e të zgjidhet shumë më herët, por nuk është bërë dhe tani kur po themi ne se duhet të bëhet këta po sillen sikur ndoshta nuk po kanë kohë, por po i kanë do punë të tjera. Mirëpo, kjo ka qenë më e mira e së mirës që të ishte zgjidhur shumë më herët, por besoj që vonë nuk është kurrë”, theksoi Omer Zogiani për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas tij, presidenti mund të marrë mandat për të vazhduar bisedimet për marrëveshjen e pajtimit historik, por kjo nuk ka vlerë pa dëmet dhe viktimat e luftës.”Pa dëmet e luftës nuk ka shanse të ketë marrëveshje historike dhe pajtim me Serbinë, njëherë duhet të zgjidhjet kjo çështje, sepse është tema numër një që duhet të trajtohet dhe të tjerat pastaj janë tema të tjera që mund dhe duhet të vijnë, por tema e dëmeve dhe viktimave të luftës është gjithsesi tema numër një”, theksoi qytetari Omer Zogiani.

(Kosova Sot)