Fundamenti

Thaçi: Serbia do t’i paguajë dëmet e luftës në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Në intervistën për gazetën e njohur sllovene “Dello”, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i jashtëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur edhe për kompensimin e dëmeve të luftës nga ana e Serbisë. Ai tha se Qeveria dhe Kuvendi e përkrahin kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për nisjen e hapave ligjorë për të identifikuar dhe dokumentuar dëmet që ka bërë shteti serb ndaj pronës private në Kosovë.

Janë djegur mbi 60 % të shtëpive kosovare nga ushtria dhe policia serbe dhe, herët a vonë, sipas Thaçit, kjo faturë do të duhet paguar nga ata që kanë kryer gjenocid dhe krime luftë në Kroaci, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë. Por, në Kosovë do të jetë shumë më lehtë të dëshmojmë dhe verifikojmë implikimin e shtetit serb sepse ata kanë kontrolluar këtë territor me dhunë.

Thaçi theksoi se kompensimi i dëmeve të luftës në Kosovë nga Serbia është i rëndësishëm për procesin e pajtimit dhe se lufta e Kosovës është ende e freskët për shumë familje në kohën kur Kosova ende kërkon nga Serbia zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

I pyetur se cila ishte porosia ndaj komunitetit ndërkombëtare nga qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në takimin e përbashkët në Vlorë, me moton, “Një popull, një shtet, një ëndërr”, zëvendëskryeministri Thaçi rikonfirmoi se porosia ishte paqësore dhe në frymë të integrimeve evropiane, transmeton Telegrafi.

Ai tha se edhe lidershipi i të dy shteteve e dine se integrimi i shqiptarëve do të bëhet vetëm në kontekst të një Evrope pa kufij dhe përmes anëtarësimit të dy vendeve në BE.

Zëvendëskryeministri Thaçi është shprehur se misioni i KFOR-it është mision i NATO-s i krijuar për ruajtjen e sigurisë.

Fundamenti

Ai shtoi se pret që edhe në vitet në vijim Kosova të dëshmojë se është transformuar nga një importuese të resurseve të sigurisë në një eksportuese të nismave paqësore dhe normalizimit të marrëdhënieve në Ballkan.

Zëvendëskryeministri Thaçi theksoi se Kosova nuk është problem ushtarak dhe se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është një rezultat i problemeve por një nevojë afatgjate që Kosova të ketë instrument vetanak në arkitekturën e sigurisë së Evropës Juglindore.

Thaçi tha se takimet pozitive të Kosovës me shtetet fqinje të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë me një takim mes qeverive të Kosovës dhe asaj të Maqedonisë duke nënvizuar se këso lloj takimesh me fqinj ndihmojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Në mesin e temave të diskutuara gjatë intervistës ka qenë edhe çështja e pasurisë së Kosovës.

Thaçi u shpreh se Plani i Ahtisaarit, i përkrahur nga e tërë bota demokratike si bazë e pavarësisë së Kosovës, parasheh që pasuria e Kosovës është pronë e kosovarëve dhe se do të menaxhohet nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të saj.

Zëvendëskryeministri Thaçi tha se Kosova kërkon partnerë strategjike dhe investitorëve të jashtëm për funksionalizuar disa nga këto asete, si për shembull minierat e Trepçës. /Telegrafi/