Eko Higjiena

Synimi i ATK-së për këtë vit: Mbledhja e 367 milion eurove

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Administrata Tatimore e Kosovës këtë vit pritet të grumbullojë 367 milionë euro për buxhetin e Kosovës, apo 22 për qind më shumë se gjatë vitit të kaluar. Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se do ta arrijnë këtë objektiv, ndonëse është mjaft sfidues. Në një intervistë për Radio Kosovën, Haliti thekson se kanë plane konkrete për zvogëlimin e evazionit fiskal, por edhe për trajtimin e borxheve të grumbulluara.

Viti 2014 fillon me plane të mëdha për Administratën Tatimore. Projeksionet e qeverisë janë që ky institucion të grumbullojë 367 milionë euro për buxhetin e shtetit, apo 22 për qind më shumë se një vit më parë. Drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti, thotë se do ta arrijnë këtë objektiv, sado që është mjaft sfidues.

“Në fakt për Administratën Tatimore gjatë gjithë këtyre viteve çdo vit ka qenë më sfidues sesa tjetri. Në radhë të parë bazuar në planet për arritjen e objektivave të planifikuara, në të njëjtën kohë gjatë gjithë këtij procesi ATK-ja ka zhvilluar aktivitete, ka ngritur njësi funksionale për t’iu ofruar shërbime kualitative të gjithë tatimpaguesve, në mënyrë që ata t’i inkurajojë për përmbushjen e obligimeve të tyre tatimore”.

Gjatë vitit që lamë pas, ATK-ja ka tejkaluar planin për grumbullimin e të hyrave për 1 për qind, kurse krahasuar me vitin paraprak rreth 8 për qind. Kjo, sipas Halitit, i bën optimist se do ta realizojnë edhe planin e këtij viti. Ai thekson se ATK-ja angazhohet në vazhdimësi për zvogëlimin e evazionit fiskal, në përputhje me strategjinë dhe planin e veprimit.

Uji Dea

“Plani i trajtimit të rreziqeve është i dizajnuar në atë mënyrë që fokusohet në ato subjekte të tatimpaguesve që ATK-ja në bazë të informacioneve që ka, i konsideron me probabilitet më të lartë për shmangie apo evazion fiskal”.

Ndër problemet që po e përcjell në vazhdimësi ATK-në janë borxhet e larta të tatimpaguesve, që arrijnë në 220 milionë euro. Haliti thekson se vitin e kaluar kanë arritur të mbledhin rreth 50 milionë euro borxhe, por ende mbetet problem çështja e atyre që janë grumbulluar që para shpalljes së pavarësisë.

“Në Kosovë nuk ka pasur amnisti të borxheve asnjëherë, dhe të shohim, për ne ende ka mbetur barrë pjesa e borxheve të trashëguara nga e kaluara, koha e rregulloreve të UNMIK-ut dhe se si do të veprohet në të ardhmen, mbetet të shihet. Ajo cka është e rëndësishme është se ato që janë aktuale trajtohen me të gjitha procedurat e mundshme ligjore”.

Ndryshe, Haliti thekson se në vendbanimet me shumicë serbe, por edhe në komunat në veri, është duke u zhvilluar procesi i pajisjes së bizneseve me numra fiskalë dhe deklarimi dhe pagesa e tatimeve nga ana e tyre. Në komunat në veri, sipas tij tashmë janë regjistruar rreth 500 biznese, dhe ATK-ja pret që ky numër të rritet gradualisht.