Fundamenti

Sindroma e humbjes

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Milaim Shefkiu – Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Ulqin kanë rikonfirmuar një defekt patologjik të shqiptarëve që nuk po arrin të gjejë shërim tash e sa shekuj.

Në këtë komunë bregdetare, shqiptarët që përbëjnë shumicën me mbi 70 për qind të popullsisë, kanë humbur komunën përballë malazezve që janë vetëm 8 për qind e statistikave demografike. Kjo nuk është thjeshtë një humbje e rëndomtë, por tejkalon disfatën elektorale, duke çuar popullin në një analizë biologjike.

Pse ndodh që vetëm shqiptarët të humbasin kaq keq?.

Dikush kishte me thënë se përgjigjja është e thjeshtë!. Shqiptarët janë bërë “pikë e pesë”, secila lagje me parti politike dhe në fund asnjëra, sikur në atë batutën, nuk i ka fituar ”tirqit”, por të gjithë “hurin”.

Në këtë luftë gjelash të leckosur ka fituar partia e kryeministrit Millo Gjukanoviq, e cila u ka dhënë leksion “marinarëve” se anija nuk ecën me një rrem, por duhen disa përnjëherë, madje të sinkronizuar mirë.

Sindroma e humbjes nuk është “specialitet” vetëm i Ulqinit. Kjo po përcillet gjithandej etnikumit, sepse kur janë në pyetje privilegjet politike ose karrigia, shqiptarët nuk e njohin as Zotin. Prandaj Ulqini është fundi i asaj ku shqiptarët, siç do të thoshte Adem Demaçi, ia kanë nxjerrë bishtin me ndarjet radikale.

Kjo humbje vërtet kërkon studim pse populli nuk i voton përfaqësuesit e vet, por të fqinjëve. Dikush duhet ta mbajë përgjegjësinë, ose liderët që i kanë shkomcuar martinat kundër njëri-tjetrit, ose populli që s’është mbushur mend. Por më shumë janë politikanët që si gjithkund, e kanë bërë punën “bërllok”.

Mobi Casa

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në Bujanoc të Luginës së Preshevës. Atje ka ndodhur edhe më keq.

Partitë politike shqiptare kanë fituar shumicën në Kuvendin Komunal, 30 këshilltarë nga 40 sa ka Kuvendi Komunal, ndërsa koalicion ka bërë partia që ka fituar më shumë vota me një parti serbe, duke i lënë në opozitë 18 këshilltarë shqiptarë. Ky ishte paradoksi legjendar që pushteti të ndahet me serbë dhe jo me shqiptarë. Edhe ky rast kërkon studim gjenetik, se ku është defekti i thyerjeve kaq të mëdha ndërmjet vëllezërve.

Plasaritja e trungut shqiptar nuk përfundon këtu. Edhe në Kosovë është e njëjta patologji. Në zgjedhjet e fundit, ish-kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri mbeti i vetëm kundër listës “Srpska” që u mbështet nga Beogradi, dhe askush nuk i doli në mbështetje. Ai kërkoi ndihmën e partive të tjera politike që ta mbështesin në balotazh, por nuk e mbështetën, madje liderët e disa partive politike nuk e pranuan as në takim. Dhe si pasojë, kjo komunë iu fal listës “Srpska” me logjikën: “për inati të resë me vdektë djali”.

Këta janë vetëm tre shembuj se si popull jemi bërë “laik”. Dhe këto ndarje nuk kanë ndodhur nga mungesa e vetëdijes, por nga urrejtja e brendshme djallëzore. Të gjithë këta që po i fryjnë zjarrit të ndarjes, nuk janë të verbër që i bien “lyrës” por janë të sëmurë nga sindroma e bajraktarizmit, që nuk mundet ta shohin dikë para.

Një leksion që duhet të vlejë për të gjithë shqiptarët është Kërçova në Maqedoni.

Në këtë komunë të gjitha partitë u bënë bashkë, dhe pas 70 vjetësh, komunën e fituan shqiptarët. Me siguri Fatmir Dehari nuk do ta kishte parë as në ëndërr postin e kryetarit, nëse atë nuk do ta kishin mbështetur të gjitha partitë.

Dikush ende nuk po e kupton atë që e ka dëshmuar përvoja. “Bashkimi e bën fuqinë”, thotë maksima që aq shumë na duhet.