Fundamenti

Katër kalorësit e apokalipsit kundër UÇK-së dhe lirisë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA – Asgjë për t’u befasuar: Në mungesë të vullnetit për t’u marrë me problemet që na kanë rënduar sot, si individë dhe si komb, po i kthehemi të kaluarës e cila, jo që nuk na ndihmon asgjë por vetëm është shkarravitje nëpër plagë, për ata që kanë plagë, fizike dhe shpirtërore.

Xhavit Haliti është një arkiv lëvizës i aktiviteteve ilegale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi sikur që është tharmi i brumit të formimit të UÇK-së dhe luftës për liri, çlirim, bashkim kombëtar si edhe për shtetndërtim, në Kosovë dhe viset tjera. Nuk ka luftuar me pushkë por ua ka mbushur pushkën luftëtarëve të lirisë dhe ka qenë njëri ndër kryesorët në proceset e rëndësishme vendimmarrëse politike. Së fundi doli me një pohim të cilin e kemi pasur të qartë të gjithë ne që i kemi ditur 5 – 6 shkronja të alfabetit politik dhe kombëtar. Po çka tha Xhaviti dhe e çploi Batoni?

Xhaviti paska thënë se një grup politikanësh shqiptarë, të “demokratizuar” brenda nate nga të qenit komunistë jugosllavë thuaja gjatë gjithë jetës së tyre, në vitin 1998, në Uashington, në takim me Strob Talbot paskan kërkuar që të mos e pranojnë UÇK-në si partner për faktin se udhëheqësi i këtij grupi, Ibrahim Rugova paska thënë në këtë takim se: “këto janë grupe të frustruara të cilat po përdoren nga Serbia për të kryer masakra ndaj popullatës së pafajshme…”.

Pas kësaj, Baton Haxhiu ka thënë se ky grup është përbërë nga Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Pajazit Nushi dhe Veton Surroi. Pastaj, në një demantim që nuk demantoi asgjë por e vulosi atë që është thënë në atë takim pasi në vitin 2019 Departamenti i Shtetit e deklasifikoi këtë dokument, Veton Surrroi, for ever jugosllav i bindur dhe i thekur sikur edhe një filoserb i dëshmuar, ka thënë se Pajazit Nushi nuk ishte në atë takim por në Prishtinë. Veton UJDI, në një mbrojtje prej Don Kishoti paska demantuar krejt atë çka kanë thënë Xhaviti, Batoni, Talboti dhe Departamenti i Shtetit në dokumentin e deklasifikuar.

Realisht, në atë kohë, Rugova ka qenë thellësisht kundër luftës dhe kundër UÇK-së, ka thënë fjalë edhe më të rënda se ato që janë në dokumentin e deklasifikuar. Fehmi Agani ka qenë baba i autonomisë, madje e ka lutur Rugovën ta nënshkruaj marrëveshjen me popat e Shën Exhidios e cila nuk e ka paraparë as autonominë politike por vetëm autonominë kulturore. Bujar Bukoshi, me kuletën e Fondit të 3 përqindëshit ka sabotuar luftën si dhe Rugovën, ka financuar një formacion të uniformuar të quajtur FARK i cili luftën kryesore për çlirim të Kosovës e ka bërë në Padesh të Shqipërisë, pa e shkrepur as edhe një plumb të vetëm dhe duke bërë shtatë palë qejfe në kazermën e Prapaqanit, deri në kohën kur pas betejës së Loxhës që e bëri UÇK-ja e vërtetë, këta të FARK-ut, pasi i dorëzuan armët shkuan, pa një therr në këmbë në Padesh.

Hidromorava

Pasi kishin ikur trupërisht, u rreshtuan në Padesh ku Ahmet Krasniqi, kryeikësit ia dorëzoi flamurin kombëtar …..Çfarë paburrërie dhe turpi! Këta, pastaj, në një marrëveshje të kushtëzuar për vota, nga luftëtarët e vërtetë të lirisë u shpallën veteranë të UÇK-së !!!!! Rugova dhe Bukoshi e formuan FARK- un për ta sabotuar luftën e UÇK-së, për asgjë tjetër. Qëndrimi i Veton Surroit, si projugosllav dhe proserb ortodoks për UÇK-në nuk ka ndryshuar as pas përfundimit të luftës duke i bërë publike në ato pordhët nga Qerreti që i kontrabandonte si romane.

Jehona ishte aq e madhe saqë dëgjohej edhe në Beograd ku përkthehej në gjuhën politike që Vetoni e kupton më së miri, në gjuhën serbe. Për sa e njoh Pajazit Nushin, besoj se e njoh shumë mirë, ai kurrë nuk ka qenë kundër UÇK-së as para, as gjatë e as pas përfundimit të luftës. Në prag të fillimit të luftës dhe gjatë luftës ka qenë kryetar i KMDLNj-së dhe kurrë dhe ne asgjë nuk na ka penguar ndonëse e ka ditur se KMDLNj ka qenë logjistikë e UÇK-së, në çdo aspekt. Qëndrimi i katërshes, kalorësve të Apokalipsit, publikisht e sidomos në takimet e fshehta me ndërkombëtarë ka ndikuar që Gelbart ta quaj UÇK-në organizatë terroriste.

Krahas luftës kundër UÇK-së, katërshi i përmendur me të gjitha mjetet e mundshme e ka luftuar edhe Bacë Adem Demaçin, deri sa ka kaluar në përjetësi. Bukoshi e ka pasur një pozicion më të favorshëm shkaku se kuleta e 3 përqindëshit ia ja mundësuar ta shantazhijë edhe Rugovën sikur të korruptojë edhe ndonjë komandant grykës të UÇK-së.

Po tash: Rugova dhe Agani nuk janë më, Bukoshi ka probleme të mëdha me shëndet. Ndërkaq, më i ligu prej tyre në aspektin politik dhe kombëtar, Veton Surroi po pëlcet nga shëndeti dhe milionat që i ka bërë në Kosovën e udhëhequr nga UÇK-ja, duke e sharë ende UÇK-në. Si amebë politike që ka mbijetuar të gjitha regjimet dhe sistemet, rehabilitimin e plotë po e përjeton në regjimin e studentit ngelcan të Bacë Adem Demaçit, KM të Kosovës, Albin Kurti. Është këshilltari kryesor i Albinit, bashkë me të bijën në një qeveri puro me mendësi jugosllave, me asgjë patriotike. Nëse thuhet se historia përsëritet si farsë, nëse nuk e kuptojmë drejtë, në rastin konkret po rrëshqet drejt tradhtisë!