Fundamenti

Shtrenjtimi i duhanit, në Kosovë, varfëron buxhetin familjar

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

​Duke u thirrur në iniciativë për të mbrojtur shëndetin dhe për të ulur konsumin e duhanit tek popullata , Qeveria e Kosovës, me 22 korrik 2015, miratoi propozimin e Ministrisë së Financave për ngritjen e akcizës në duhan për 10%.

Aurora Mullatahiri, zyrtare e lartë në “Kosovo Advocacy &Development Centre” (KADC) ka thënë përKosovaLive se e kanë mbështetur miratimin e këtij ligji pasi sipas saj miratimi i tij nga Qeveria e Kosovës është një ndër praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Ajo tha se ky është një hap pozitiv në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve të Kosovës dhe uljes së konsumit të duhanit nga popullata duke u bazuar në hulumtimet e bëra nga “Campaign for Tobacco Free Kids”, i cili ka vënë në pah se politika e ngritjes së çmimit të duhanit ndikon në uljen e menjëhershme të tymosjes së duhanit nga të miturit dhe të rriturit.

“Të dhënat e nxjerra nga ky hulumtim tregojnë se çdo rritje e çmimit të duhanit për 10%, redukton konsumin e përgjithshëm të cigareve në 3-5%, me ç’rast ulë numrin e të miturve që tymosin duhan për 6-7%, si dhe zvogëlon konsumin e duhanit në mesin e grave shtatzëna për 7%, që parandalon abortet spontane dhe kursen shëndetin e dhjetëra mijëra të porsalindurve nga pasojat shëndetësore të lidhura me konsumin e duhanit pasiv”, ka thënë Mullatahiri.

Sipas saj, kjo politikë qeveritare po ashtu kontribuon në harmonizimin e ligjeve të Kosovës me direktivat e Bashkimit Evropian, si një shtet që ka për qëllim anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Se sa mund të ndikojë rritja e çmimit të duhanit në lënien e tij, KosovaLive ka marrë mendime edhe nga disa shitës ambulantë të cigareve dhe nga disa duhanpirës. Emërues i përbashkët i deklaratave të tyre është se ngritja e çmimit të këtij produkti ndikon më shumë në varfërimin e buxhetit familjar e më pak për ta lënë duhanin ata që e pinë.

Një qytetare, e cila tregon se është konsumuese e rregullt e duhanit 15 vjet, thotë se nëse ndonjëherë ka menduar që ta lë duhanin, arsyet kanë qenë krejtësisht tjera. Sh. D. Thotë se njëra ndër arsyet kryesoret për të cilën ajo ka menduar ta lë duhanin është dëmi që i shkakton shëndetit.

“Çmimi mund të konsiderohet një arsye megjithatë, mendoj se nuk ndikon për ta lënë duhanin. Unë nuk e konsideroj të drejtë asnjë vendim që varfëron buxhetin familjar. Edhe pse duhani konsiderohet produkt llukës, konsideroj se e varfëron shumë buxhetin familjarë në Kosovën e varfër. Nuk besoj që qeveritarët tanë nuk e dinë se pjesa dërmuese e duhanpirësve në Kosovë vijnë nga familjet e mesme dhe të varfra”, thotë Sh. D për KosovaLive.

Mobi Casa

Edhe qytetari I. R. mendon se shtrenjtimi i duhanit nuk motivon për lënien e duhanit, sidomos ata që janë konsumues më të gjatë të duhanit.
Mendimit se çmimi nuk ndikon në lënien e duhanit i bashkëngjitet edhe një duhanshitës, i cili punon prej vitit 2003. Shitësi ambulant i cigareve, S. S. tregon se ngritje çmimesh të duhanit ka pasur edhe më parë, por kjo nuk ka ndikuar në mos shitjen e duhanit.

“Gjatë kohës sa unë shes cigare çmimi i duhanit është rritur tri-katër herë të tjera, por unë nuk kam hetuar se është zvogëluar shitja”, thotë ai.
Sociologu Genc Xërxa thotë se politika e akcizës për shtrenjtimin e duhanit është metodë e aplikuar në shtetet perëndimore dhe tani po aplikohet edhe tek ne. Ai mendon se në thelb efektet mund të jenë përafërsisht të njëjta edhe në shoqërinë tonë. Megjithatë, sipas tij, ata të cilët janë të varur nga duhanpirja do gjejnë mënyra të vazhdojnë të konsumojnë duhanin pa marrë parasysh çmimin.

“Mund të ndryshojnë formën apo llojin e prodhimit, por nuk mendoj se shtrenjtimi i duhanit do të ndikojë në pakësimin apo lënien e duhanit tek shumica e konsumuesve.
Në shtetet perëndimore përpos akcizës janë edhe disa fushata vetëdijesuese të përcjella me foto në pakot e duhanit për pasojat dhe porositë fatale që duhani shkakton, si fotoja e karrocës së zbrazur pa fëmijë që tregon dëmin për gratë shtatzëna dhe arkivoli, i cili përcjell porosinë se ku të dërgon duhani, por prapë se prapë ai vazhdon të konsumohet”, shtoi Xërxa.

Sipas tij, çmimi i ngritur i duhanit nuk do të shkaktoj zvogëlimin e duhanpirjes tek ne, por vetëm sa do ta vështirësoj jetën dhe buxhetin edhe ashtu të dobët të qytetarëve të Kosovës.

“Në disa raste aksionet apo veprimet e ndaljes, prodhojnë edhe kundërefekte, kjo i bie që duhani mund të rritë konsumin pa marrë parasysh koston, si reaksion ndaj këtij fenomeni që ka tendencë kontrollin e duhanpirjes.

Kështu duhanpirësit do i lënë disa gjëra primare jetike anash, ndërsa do gjejnë mënyra ta blejnë duhanin për ta konsumuar si zakonisht”, shtoi tutje Xërxa.
Ai thekson se ka shumë familje që ankohen në standardin e tyre jetësor dhe në kushtet ekonomike, por assesi nuk e ndalin duhanpirjen si konsumatorë të rregullt të këtij tymi dashakeq për shëndetin e njeriut.