Mobi Casa

Shkrimtarja jonë Albina Idrizi

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Shaban Cakolli – Shkrimtarja Albina është e njohur tanimë në letrat shqipe me disa libra të botuara me poezi dhe prozë. Poezia nuk ka sekrete, andaj as poetet nuk kanë sekretet e tyre, diçka e cila brenë në thellësinë shpirtërore, nuk mund të ruaj sekretet, brendia e botës shpirtërore është diçka e cila gufon, shtytë të shpalosësh atë që ndjenë, vetëm kjo te poetët e ka mënyrën më të përsosur të të shprehurit, mes vargjeve, mes fjalës së bukur artistike.

Poetet kanë dhuntinë e tyre të shprehjes, ata shpalosin artistikisht atë që e ndjejnë, qoftë kur ndjejnë gëzimin, shpresën, hidhërimin, qoftë edhe kur duhet protestuar me vargje, andaj deri te shpalosja e botës shpirtërore është sekreti i krijuesve, nga shpalosja mes vargut, aty shpaloset sekreti i shpirtit krijues, i cili më pas bëhet i njohur në botën e lexuesit, këtu përfundon sekreti i poetit.

Albina është vet poezia, ajo nuk është kurrë e vetmuar, edhe në vetminë më të madhe ka miqtë, tryezën, një laps, një letër, ku shoqërohet me peizazhet e vendlindjes, me ujin, gurrat, shqiponjat, lulet, flamurin, ashtu si një skulptor i cili me pedantëri bënë një skulpturë, ku ia paraqet të gjitha gjymtyrët, vetitë, pamjen, dhe skulpturën
e bënë sikur të i jap shpirt dhe të e fus në veprim, ashtu poetja me një laps e letër, nisë të përshkruaj vendlindjen, kopshtin, lulet, fluturat, zogjtë, njerëzit e saj, bukuritë e natyrës, begatitë shpirtërore të njerëzve të saj, kështu përmes fjalës së bukur të shkruar, i jep shpirt atdheut, kombit, shkollës simboleve.

Lexuesi kur e lexon fjalën e bukur të saj artistike, i duket se po komunikon me njerëzit e vendlindjes, sikur po shijon nga gurra e saj, sikur kur fluturon në krahët e shqiponjës. Gjuha shqipe është një gjuhë vetvetiu tejet poetike. Shqipja ka poezinë më të bukur, por kur kemi të shkruarit të favorshëm, por duhet ikur çdo lloj standardi që e dëmton poezinë.

Poezia ndihmon çdo standard, e shpërthen çdo limit që “shkenca” e gjuhës vë, krijon. Në fund të fundit, një gjuhë pa poezinë është një gjuhë që ka fund. Poezia është përtej “fundit” të gjuhëve. Poezia është dhimbja që në fillim u shkrua ,gëzimi që u përjetua,shpresa që mbanë gjallë”.

Poezia e ka shpikur gjuhën…. nevojën e njeriut

Poezia e kthen njeriun nga brenda jashtë, pra e preokupon njeriun me ndjeshmërinë e shpirtit. Shumica e poetëve këtë rrëfim e bëjnë në mënyrë të thjeshtë, ,duke pasur mjeshtërinë e trajtimit të temave ato janë edhe poezitë më të mira të cilat dridhin shpirtin e lexuesit. Kështu janë poetët, ata dinë të vargërojnë, vargu i tyre ka mesazh, ka magji e cila lëkund shpirtin e lexuesit, zgjon ndjenjat, me pak vargje flet shumë, shpreh gëzime, shpresa, hidhërime, mes vargut pastron shpirtin e vet dhe të lexuesit, mesazhet e saja bëhen armë të forta në duart e lexuesve.

Albina Idrizin, e kam lexuar shumë, më pas e njoha,mora pjesë në një promovim të librit të saj. Ajo është gjithnjë e ndritshme, e buzëqeshur, shpirt artisteje, njësoj ka peshën fisnike të vargut të saj. Leximi dhe shkrimi janë pasion i jetës së saj, mënyrë e të jetuarit të saj, din të gdhend vargjet, nga të cilat nxjerr mendime të ndritura.

Vargjet e saja janë të ndërtuara e të pasuruara me figura poetike, metafora e simbole, vargje të prushit të madh, ku edhe me pak vargje flet shumë. Albina Idrizi, është një rrugëtare e pandalur, rrugëton, hulumton, kërkon, formulon e shprehë shpirtërisht, andaj krijimtaria e saj është shumë e kërkuar dhe e dashur për lexuesin e mirëfilltë.

Albina Idrizi u lind në fshatin Tërnoc të Bujanocit më 1966. Kreu Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës-në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Në vitin 1997 botoi përmbledhjen me poezi për të rritur HESHTJA E MBARSUR “:’ Është një zë i veçantë, i pjekur që në start.’

Më pas, në nëntor të vitit 2007 boton përmbledhjen me poezi për fëmijë ËNDËRRA ME YLBERË . Albina ka të botuara edhe shumë libra tjerë në poezi dhe prozë.

Kjo krijuese ka një botë të veçantë arti. Sikur ajo ka hyrë e tëra në vargje, strofa, kapituj të librave etj. Dhe, jo vetëm kaq. Ajo, para dy vjetësh ka batuar dy vepra poetike: “Ëndrra me ylber” dhe “Heshtja e mbarsur”. Andaj, ditë më parë, Albina Idrizi botoi veprën në prozë (romanin) me titull “Hijet e kullave” 2009. Kjo vepër e saj në prozë shquhet për një rrëfimin e një kohe jo aq të largët, pra për luftën e fundit 1999 në Kosovë. Është një roman që rrëfen ngjarje të kohës së luftës së fundit, ku autorja në fjalë sikur këto ngjarje i ka përjetuar dhe i ka shkrirë në mënyrë artistike në veprën e saj. Gjer sa kemi të shkruara vepra monografi apo vepra dokumentare për luftën e fundit, e cila la pasoja të mëdha në njerëz, ku me mijëra e qindra njerëz të pafajshëm u vranë, u masakruan e u torturuan nga barbare e egër serbe, vepra e Albina Idrizit në fjalë rrëfen dhe na përkujton këto ngjarje tronditëse dhe të tmerrshme për popullin shqiptar.

Prozatorja e re nuk harroi të na paraqes e të na rrëfejë luftën e fundit 1999 në Kosovë ashtu mjaft qartë në mënyrën e “krijimit” artistike në prozë. Shkrimtarja Albina është e njohur tanimë në letrat shqipe me disa libra të botuara me poezi dhe prozë. Këto ditë Albina para dashamirëve të artit doli me librin më të ri me tregime të titulluar “Pergamenë e gjallë”.

Libri i i Albinës qe mund të lexohet me një frymë, brenda kopertinave ngërthen disa tregime të strukturuara mirë, me tematikë interesante të ndërtuara me një forcë shprehëse, të cilat janë evidente në tërë shtrirjen artistike të librit. Tregimet e Albinës të një game të gjerë motivuese flasin shumë, kanë mesazhin e fuqishëm të cilat mesazhe lexuesit e vëmendshëm gjatë leximit të kujdesshëm do t’i nxjerrin në pah. Albina Idrizi, jeton dhe vepron në Gjilan./rajonipress/

ALBINA IDRIZI

POETI I TOKËS SIME
Poeti i tokës sime
Nuk çan kokën për
Kurorë lavdesh, hymnesh,
Panteonesh botërore.
Vargjet e tij
Ç’rimohen nga të vocrrit Lulë
Hamej, duhanshitës
Tregjeve të ndërgjegjes.
Hije e tij bëhet njësh
Në sfond prapaskene
Spektaklesh, përurimesh koti.
Dhe, një pikë nuk i vë dot fundin
Poezisë së tij.
Poetin e tokës sime
Gjer në kockë
Gërryen laps i zi
Me dhembjen për të pagjeturit.
Gjer në palcë
I qullet e bardha letër
Me lotë nënash.
Frymë e tij
U jep shpirt përmendoreve
Dhe, një pikëçuditje nuk tregon dot
Dëshprimin e tij.
Poeti i tokës sime
Pushtohet në vetëflijim vetjak
Nga atrofi sysh,
Atrofi zemre.
Horizonti i tij
Hapet, thellohet
Nën aureolë drite
Me sy e zemër të pavarur
Populli.
Dhe, nëpër tri pika
Ecë e nuk ndalet vargu i tij…

TË DASHUROSH

Të dashurosh
Do të thotë
Të japësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e dhënë
Të dashurosh
Do të thotë
Të marrësh nga vetja
Gjer në dhembje
E të të mos mjaftojë
Vetja e marrë.

MË PUQ

RCCOLA

Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.
S’jam treguar kot
më i miri,
xhentëlmeni,
trimi.
Nuk e pata lehtë
në matematikë,
nuk e pata lehtë
të të lëshoj karrikë.
Grushtin hundës
e hëngra,
krejt pa meritë.
Më puq pak në faqe
të lutem Manushaqe.

Ç’PO NDODH ME MUA

Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
sa herë shoh Zanën
zë në thua.
Saherë më flet
skuqem krejt,
nuk shoh as dëgjoj
fare përreth.
Nuk mund të flas
belbëzoj,
çdo fjalë që qes
e ngatërroj.
Më vjen të qaj
e të pëlcas,
në kupë të qiellit
të bërtas.
Të gjithë më njohin
për trim e lazdran,
kur jam me Zanën
krejt tjetër jam.
Ç’po ndodh, o babi,
kështu me mua,
t’ ka ngjarë dhe ty
a s’më thua?!

ËNDRRAT NUK VDESIN KURRË

Na bartin tutje
Si fluska ,
Me zë sirene
Na joshin.
Na rëndohen,
Si gurë Sizifi
Në çaste agonie,
Kurrë për të mos tretur.
Dinake ikin
Nga shpirt i fikur,
Lavdi e vrarë
E gladiatorit në arenë.
Ngarendin vrap
Pas syve të njomë,
Kurrë për të mos vdekur.

MË SHTRËNGO DORËN

Kur dëgjon ofshamë
dhe lot të sheh syri,
dhembja del në pah
pa gjuhë,
pa ngjyrë,
më shtrëngo dorën
njeri,
ngado që të vish.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.
Kur kullat e shpresës
të shemben,
dhe e nesërmja duket larg
shumë larg,
të lutem
më shtrëngo dorën.
Bëhu mur i mbështetjes sime
gjer në agimin e ri.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.
Edhe atëherë, kur pandeh
se çdo gjë ka marrë fund
dhe fuqi s’kam për të të thirrur,
vazhdo
të më shtrëngosh dorën
gjer në pulsin e fundit.
Beso, unë do ta ndjejë
dhe do prehem i qetë.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.
E një ditë,
kur erërat të fryjnë drejt teje
dhe puhitë në shtrëngata të shëndërrohen,
do të të duhet
një dorë që shtrëngon
edhe tënden njeri.
Të mbështetesh nga lodhja,
të çlodhesh nga vrapi.
Se jeta di të jetë
edhe e tillë.

LETËR TITANËVE

Gjithçka është ndryshe
këtu poshtë.
Është ftohtë
e mjegull ka ngapak.
Gjërat nuk duken qartë
dhe njerëzit, pahiri
godasin njëri tjetrin.
Shkelen në thembrra,
vrahen në sy.
Pastaj lindin
zënkat, hasmëritë.
Të padurueshmit
rebelohen.
Frikacakat therrin kurbanë
në emrin tuaj.
Më të urtët presin
me sytë lart
kur do nxirrni nga goja
paqen e gllabëruar.

E PËRHITURA

Prapë ballo në sallonin mondan
Edhe një herë
E përhitura zgjohet dhe shkundet nga hiri
Ku e hodhi njerka kobzezë
Prapë kreatorë mode
Nga mbarë bota
Sillen e pështillen
Rreth trupit të saj
Matin e çmatin
Për të kushedi të satën herë
Shtyhen, shajnë, fjalosen
Kush e kush do e qepë fustanin përfundimtar
E përhitura shtrinë trupin e drobitur
Dhe pret ne pritje jetimi
( e jetime nuk është)
Heq, copto, por kot
E vërteta nuk mbulohet
Këtu një këmbë del më e gjatë
Atje një krah shtohet
Teksa, ajo vetë
Pyetet e pyetet
Vallë,
Do të kurorëzohet
Si i ka hije këtë herë
E asesi të shkundet
Nga hiri i mallkuar.
(shkurt 2008)

TARTUFI ËSHTË KËTU

Kujdes, o njerëz
Tartufi është këtu.
Aq i tmerrshëm
nën maskën e tij, sa
kam frikë
ta shoh në sy,
dhe më shumë akoma
t’ia kthej shpinën.
O njerëz, kujdes!
Ju të vuajturit,
të mashtruarit,
o më të dashurit e mij,
kujdes!
Si nuk e ndjeni vallë
si paturpshëm
ha në sofrën tonë,
pi nga burimet tona,
tallet, ah djalli e marrtë,
si tallet me besimin tonë.
Kam frikë
ta shoh në sy,
po dhe më shumë akoma
t’ia kthej shpinën.
Kujdes, kujdes
të vuajturit,
të mashtruarit,
të dashurit e mij.

ATË DITË

Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në betejë me përbindshin
një njeri më pak.
Atë ditë
kur më gjuajte mua
vetveten vrave.
Në imazhin tënd
më të mirë.

VJEN NJË KOHË

Vjen një kohë
E tallemi me
Atë që kemi thënë dje
Vjen një kohë
E rrënojmë
Atë që kemi ngritur dje
Vjen një kohë
E urrejmë
Atë që kemi adhuruar dje
Vjen një kohë
E turpërohemi me
Atë që jemi mburrur dje
Gjithmonë,
Gjithmonë vjen një kohë…

BALLË PËR BALLË ME TOKËN

Dasmë Shkurti
Ngrin e ndez dej
Me ashkun e mbledhur
Ndër shekuj,
Tek të sjell
Përballë meje, Nuse
Mbuluar nën Vellon
E përbiruar
Mes për mes palcës
Së gjakut tim
Dhe ndërron ngjyrë
Ndërron pamje.
(Le të më falin hyjnitë
Le të më ndjejnë besimtarët).
Unë të dua
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.
Pas të vjen
Pako e së qëndisurës pajë
Ndër mote e mote.
Dhe s’kam
Si të mos pyetem –
Thua vallë
Brenda saj
Të jenë të gjitha:
Ofshamat e nënave,
Ëndrrat e të rënëve,
Dasmat pa këngë,
Vdekjet pa vaje!?
Të jetë aty
Ai, Gjindi i përrallave tona
I ndrydhur me shekuj!?
(Oh, prapë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).
Ja që të dua
Njësoj si dikur,
Të tërën
Të bukurën.
Me qindra herë
Dhëmbë ukju m’u ngulën
Pabesisht në shpinë,
E prapë qëndrova.
Me qindra herë
Ndërkëmbëz tinzare
Më rrëzoi përtokë,
E prapë u ngrita.
Acar akulli siberian
Më shpoi
Tejpërtej trupit,
Po
Prapë gjallë mbeta.
Se të dua, të dua moj
Të tërën,
Të bukurën
Si dikur.
( Edhe njëherë
Le të më falin hyjnitë,
Le të më ndjejnë besimtarët).