Fundamenti

Rudaku : Asambleja Komunale improvizuese dhe larg interesit të qytetarëve

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Avni Rudaku nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan për rajonipress flet për punën e Asamblesë Komunale, për rolin e opozitës në këtë asamble, për punën dhe angazhimin e këshilltarëve komunal si dhe për konfliktin e interesit të kryesuesit të Asamblesë Izmi Zekës.

Avni Rudaku nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje i cili edhe përcjellë shumicën e seancave të Asamblesë Komunale në një bisedë për rajonipress jep vlerësimin e tij profesional për punën ose mos punën e këtij institucioni vendimmarrës për qytetarët e Gjilanit.

Duke i bërë një analizë punës së Asamblesë Komunale në Gjilan ai shprehet se Asambleja komunale kundrejt përgjegjësisë së përfaqësimit ka qenë larg kryerjes së detyrave dhe obligimeve që ka para qytetarëve, duke qenë edhe në mospërputhje me ligjet dhe betimin e përshkruar në Ligjin mbi Vetëqeverisjen Lokale, Statutin e komunës dhe aktet e tjera.

Sipas tij Asambleja ka qenë e dominuar nga kryetari i komunës dhe pushteti aktual, i cili ka arritur falë edhe disa këshilltarëve komunal shumë të papërgjegjshëm t’i kalojë vendimet pa asnjë kritikë, pa pyetje sqaruese, pa alternativë dhe ide që janë në interes të komunës. “Asambleja nuk ka arritur të jetë dhoma e shqyrtimit të projekteve që prekin interesin direkt të qytetarëve të komunës, duke qenë mjaft improvizuese, me diskutime jo serioze, me batuta krejt të panevojshme, me dalje të anëtarëve nga seanca kur kanë dashur, pa verifikim të kuorumit para secilit vendim të marrë, e të ngjashme” mendon Rudaku.

“Madje, ka qenë edhe më skandaloze kur pasi është kryer puna në terren, është miratuar vendimi për banesat sociale, në vend se të ishte e kundërta: miratimi final të bëhej në Asamblenë Komunale, e pas miratimit, të realizohej me përpikëri ajo që është miratuar në Kuvend”.

Rudaku duke folur për punën e opozitës në Asamblenë Komunale tha se opozita me përjashtim të një numri të vogël të këshilltarëve komunalë, asnjë kriter nuk e ka përmbushur për t’u quajtur si e tillë, pra opozitë. “Kjo opozitë është transformuar dhe është bërë njësh me pozitën, thuajse që nga fillimi. Nëse e shohim vetëm në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, e kemi një raport skandaloz të kryetarit të komunës për vitin 2012, i cili lavdëron me hiperbolë çdo drejtori komunale, nuk shfaq raport me dobësitë dhe pikat e ndritshme, por e ‘pushton’ Kuvendin me rreth një orë e dyzetë minuta dhe kur të vjen momenti i këshilltarëve komunalë, zëvendëskryesuesi tërë kohën i mbetet në krye për t’i qortuar në minutash pesëminutësh”

Rudaku thotë se në vend se raporti i dërguar në email-adresat e këshilltarëve komunalë të lexohej dhe kryetari të jepte në pika të shkurtra raportin dhe fjalën ta merrnin anëtarët e Kuvendit për ta kritikuar raportin e kryetarit, ndodhi krejt e kundërta: asambleja u bë pronë e kryetarit të komunës dhe raporti i tij madje nga dy shefa të këshilltarëve komunalë, jo që thanë se është punuar mjaft mirë, por është dalur përtej mundësive!.

“Edhe po të ishim me ndonjë kuvend të komunave të shteteve skandinave, nuk do të ndodhte që këshilltarët komunalë, apo edhe një pjesë e opozitës, ta lejonin raportin e kryetarit të komunës për një periudhë njëvjeçare të kalonte ‘aq lehtë’ dhe pa kritika, ndërsa një pjesë e opozitës edhe e mbivlerësonin. Mirëpo, duhet përmendur se VV u ka dërguar letra këshilltarëve komunalë, ka bërë dhjetëra shkresa drejtuar drejtorive përkatëse, ka bërë shumë aksione dhe nëpërmjet shumë konferencave ka paraqitur problemet për të gjitha fshatrat dhe lagjet e qytetit, dhe ndonëse jashtë Kuvendit, ka arritur ta bëjë atë që do të duhej në radhë të parë ta bënin edhe këshilltarët komunalë, pasi që ne akoma nuk kemi qenë pjesë e zgjedhjeve lokale, por vetëm e atyre parlamentare” tha Rudaku.

Uji Dea

Rudaku ndërkaq duke komentuar konfliktin e interesit nga ana e kryesuesit të Kuvendit zotit Izmi Zeka tha se vendimet e Asamblesë Komunale edhe nga raportet e shoqërisë civile, edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit lokal dhe neve si opozitë jashtë Kuvendit, kanë qenë disa prej tyre të kundërligjshme.

Ai thotë se me nenin 41.1, të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale, thuhet se “Kuvendi i komunës e zgjedh kryesuesin e kuvendit të komunës nga radhët e anëtarëve” dhe ky kuvend duke mos qenë kuvend me këshilltarë aq të përgjegjshëm, ndonëse e ka fuqinë për ta kontrolluar kryesuesin, ka ndodhur krejt e kundërta, kur kryesuesi të luajë rolin e zëdhënësit të partisë në pushtet, të flet me gjuhën partiake, e të tjera veprime, të cilat bashkë me kryetarin e komunës e kanë përcaktuar natyrën finale të krejt agjendës së asamblesë. “Ndonëse ne kemi kritikuar që po mbanë postin e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, edhe të kryesuesit, ne kemi kritikuar atë edhe për kohën që nuk po e kalon pranë qytetarëve të komunës së Gjilanit. Sa i përket vendimeve të Kuvendit Komunal, ka qenë një OJQ monitoruese që ka gjetur mbi 10 vendime të kundërligjshme, por edhe ne kemi tërhequr vërejtjet tona për këto dhe vendime të tjera. Me LVL-në, thuhet se “Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale është autoriteti mbikëqyrës, nëse përgjegjësia për mbikëqyrjen e komunave nuk i jepet me ligj ministrisë përgjegjëse apo institucionit që ka të bëjë me lëmi të posaçme”.

Sipas Rudakut Komunat me këtë ligj e kanë obligim t’i dërgojnë këto akte autoritetit mbikëqyrës pas miratimit. Në nenin 82, Procedura për shqyrtimin e ligjshmërisë, thuhet si në vijim: “Nëse autoriteti mbikëqyrës konsideron se një vendim apo një akt i komunës nuk është në përputhje më kushtetutën dhe ligjet, ai mund të kërkojë që komuna ta ri-shqyrtojë vendimin apo aktin e tillë. Kërkesa duhet të përmbajë arsyet e supozuara të shkeljes së kushtetutës apo ligjit dhe nuk suspendon ekzekutimin e vendimit komunal apo akteve të tjera”, shprehet Rudaku.

Ai thotë se përkundër kësaj, nuk ka ndodhur asgjë. “Merreni vetëm vendimin mbi kushtëzimin e qytetarëve, ku e kemi edhe letrën nga MAPL, ku qortohet komuna për këtë vendim që bie ndesh me Ligjin, por përsëri vazhdon të mbetet në fuqi”.

Rudaku ndërkaq ka dhënë vlerësim edhe për kontributin e këshilltarëve komunal në Asamble. “Nëse marrim rrethanat menjëherë të pasluftës dhe garniturën e sotme të Kuvendit Komunal, pa dyshim se do të duhej që asambleja e kohës së sotme të ishte shumë më profesionale, shumë më e përgjegjshme, shumë më e zëshme, shumë më artikuluese e interesave të qytetarëve dhe krijimit të një ambienti të punës, por fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, duke rënë cilësia në mënyrë rritëse”.

Rudaku tha se sa prej këshilltarëve komunalë kur kanë organizuar qytetarët ndonjë protestë, apo kur kanë shfaqur ndonjë pakënaqësi, kanë qenë afër tyre?! Sa prej tyre kanë shtuar ndonjë pikë propozuese për rendin e ditës? Pse shumë prej tyre gjatë seancave ndihen aq inferiorë para kryetarit të komunës? Pse kemi fjalor aq të dobët konceptual dhe profesional të anëtarëve të Kuvendit? Pse shumë prej tyre nuk e dinë edhe për çfarë bisedohet në seancë? .

“Prandaj, duke e monitoruar ne si subjekt politik Kuvendin Komunal, jemi shumë të shqetësuar me nivelin aq të dobët të përfaqësimit, temave, vendimeve, projekteve dhe nivelit të diskutimit nga kjo garniturë e sotme e këshilltarëve komunalë” tha Rudaku./rajonipress/