Fundamenti

Rrëfimet për natën e tmerrit

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Në procesin gjyqësor kundër ushtarit amerikan, Robert Bales, të akuzuar për masakrimin e civilëve afganë, të plagosurit dhe familjarët e të vrarëve treguan rrëfimet e tyre për natën e tmerrit.

Sadiquallah Naim ka qenë duke fjetur në dhomën e tij, kur fqinjët trokitën në derën e shtëpisë së tij në një fshat të largët në jug të Afganistanit, më 11 mars dhe atë në mes të natës.

“Amerikanët janë këtu”, thanë ata.

Disa minuta më vonë, motra, nëna dhe vëllai i tij u vranë, së bashku me gjashtë persona tjera, në sulmin për të cilin zyrtarët e ushtrisë amerikane theksuan se është ndërmarrë nga një rreshter i ushtrisë amerikane, i cili në momentin e sulmit ishte i dehur.

Naim tregimin e tij e rrëfeu nga një bazë në Kandahar, gjatë seancës dëgjimore në procesin kundër rreshterit Robert Bales, i cili nëse shpallet fajtor mund të dënohet me vdekje. Bales është akuzuar në 16 pika për vrasje dhe në 7 pika për tentim-vrasje, krimi ky më i rëndë i luftës i kryer nga ndonjë ushtarë amerikanë, që nga fillimi i luftërave në Afganistan dhe Irak, krim ky i cili ka tendosur edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të tendosura mes SHBA-së dhe qeverisë në Kabul.

Naim ishte në mesin e shtatë dëshmitarëve okularë, të cilët dëshmuan për masakrën e 11 marsit. Dy rojtarë dhe pesë fshatarë dëshmuan për sulmin brutal gjatë natës kundër shtëpive dhe familjeve të tyre. Bales me një fytyrë të ngurtë ndoqi dëshmitë në dhomën e gjykatës në një bazë në Washington, ku ai po mbahet nën arrest.

Gjatë dëshmisë së tij, Naim qartësoi dilemën që i parapriu procesit kundër Balesit: a ishte ai i vetëm në momentin kur ndërmorri sulmin?

Avokati i Bales, John Henry Browne, la të kuptojë para disa ditësh se disa fshatarë do të dëshmojnë se ata kanë parë më shumë ushtarë amerikanë natën e sulmit. Megjithatë, asnjëri prej shtatë dëshmitarëve që dëshmuan të premten nuk thanë se kanë parë një numër më të madh të ushtarëve amerikanë.

Ata kanë parë vetëm një njeri, të veshur me fanellë të zezë dhe pantallona ushtarake. Fqinjët e Naimit i kishin thënë atij atë natë se shtëpitë e tyre ishin sulmuar dhe se ishin vrarë familjarët e tyre. Më pas, i akuzuari kishte hyrë në shtëpinë e tij. Ai kishte vrapuar dhe ishte fshehur prapa perdeve, por ishte qëlluar nga një plumb në vesh, nga një prej plumbave të shumtë që ishin shkrepur në shtëpinë e tij.

“A kishe frikë?”, e pyeti djaloshin një prokuror i ushtrisë. “Po”, u përgjigj ai. “Sa ushtarë amerikanë ke parë?”, ishte pyetja e radhës. “Vetëm një”, u përgjigj Naim.

Vëllai 14 vjeçar i Naimit, Quadratullah, dëshmoi se para se të sulmohej shtëpia e tyre, një fqinje kishte vrapuar në drejtim të tyre, duke klithur, “Kanë vrarë meshkujt tonë”.

Më pas në shtëpi arriti ushtari amerikanë, i cili hapi zjarr, duke një motër dhe një vëlla të tij, së bashku me nënën e tyre.

Quadratullah kishte hipur në motoçikletë në përpjekje për të kërkuar ndihmë për anëtarët e plagosur të familjes së tij, përfshirë këtu edhe babanë, i cili ishte qëlluar me tre plumba. Fshatarët tjerë ngarkuan kufomat në një automjet dhe u nisën në drejtim të bazës në të cilën kishte shërbyer Bales.

UBT

Pas Quadratullahut dëshmoi babai i tij, Haji Naim. Ai tha se kishte dëgjuar të shtëna dhe kishte menduar se në fshat kishin arritur pjesëtarë të Armatës Kombëtare të Afganistanit, me gjasë për të kërkuar ndonjë militant.

Disa qaste më vonë, një ushtarë amerikan hyri në dhomën e tij. Haji Naim tha se nuk ja kishte parë fytyrën, por vetëm dritën që kishte vendosur në kokë.

“Më pas, ai thjeshtë hapi zjarr. Ai më qëlloi tri herë. Ishte vetëm disa metra larg meje”, dëshmoi Haji Naim.

“Djali im i tha, ‘Çfarë je duke bërë?’ Ai nuk u përgjigj fare. Thjeshtë vetëm qëndroi aty dhe vazhdoi të shkrepë në drejtim timin”, shtoi ai.

Dëshmitari tjetër, Khamal Adin, theksoi se ai kishte shkuar në fshat nga Kandahari atë mbrëmje, pasi që kushëriri i tij, i cili jetonte në fshat, ja bëri një telefonatë. Adin arriti në shtëpinë e kushëririt, ku gjeti kufomat, të vendosura njëra mbi tjetrën.

Adin kishte parë nënën e kushëririt të tij te pragu i derës.

“Ajo ishte qëlluar në kokë dhe truri i kishte dalë jashtë. Nuk kam parë lëndime tjera tek ajo. Kur e kapa, gjysma e kokës së saj ra në tokë”, rrëfeu Adin.

Dëshmia e tij ishte e përgjithësuar, ai foli për kufomat që kishte parë, për atë se si kishte ndarë meshkujt nga femrat dhe si i kishte nxjerrë kufomat jashtë, me qëllim që të dërgohen deri në bazë.

Adin më pas theksoi se të gjitha viktimat ishin qëlluar në kokë dhe se atyre ju ishte vënë edhe zjarri.

Më pas ai foli për një foshnje, Nadian, për të cilën prokurori tha se kishte 18 muaj apo ndoshta edhe dy vjet.

“A i pe plagët e saj?”, pyeti prokurori.

“Jo. Nuk kam parë plagë. Dukej thuajse ajo ishte nxjerrë e gjallë nga shtrati dhe ishte hedhur në zjarr”, tha Adin.

Në fund të dëshmisë, prokurori falënderoi Adinin, i cili u ngrit në këmbë dhe tha:”Kërkesa ime e vetme është që të vendoset drejtësia”.