UBT

Behgjet Pacolli: Koha i zhvesh interesat, ndërsa veprat mbeten përgjithmonë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Me një reflektim të thellë njerëzor dhe emocional, Behgjet Pacolli ka ndarë një nga mesazhet më domethënëse për jetën, suksesin, miqësinë dhe zhgënjimet që sjell rrugëtimi i gjatë në jetë dhe në biznes. Përmes një shkrimi të ndjerë dhe filozofik, ai ka folur për njerëzit që afrohen pranë suksesit, për besnikërinë, interesat dhe forcën që njeriu fiton me kalimin e viteve.

Pacolli shkruan se vitet e mësojnë njeriun se suksesi të sjell pranë shumë njerëz. Disa afrohen sepse besojnë tek ti, disa sepse besojnë tek ajo që ndërton, ndërsa të tjerë vetëm sepse shohin një mundësi.

Sipas tij, koha të mëson të mos habitesh as nga afërsitë e papritura dhe as nga largimet e papritura, sepse karakteri i vërtetë i njerëzve shpesh zbulohet pikërisht atëherë kur përballë tyre dalin interesat personale.

Ai rrëfen se gjatë jetës ka parë miqësi të ndërtuara mbi bindje të sinqerta, por edhe marrëdhënie të krijuara mbi leverdi momentale. Pacolli pranon se ka pasur njerëz që kanë ecur pranë tij për vite me radhë, që kanë ndarë tryezën dhe besimin e tij, por që më pas kanë zgjedhur rrugë të tjera për interesa personale. Megjithatë, ai thekson se nuk mban peng asnjë zhgënjim në zemër, sepse jeta i ka mësuar se secili bën zgjedhjet e veta dhe përballet me pasojat e tyre.

Në mesazhin e tij, Pacolli nënvizon se energjia e njeriut nuk duhet humbur duke numëruar zhgënjimet, por duke ndërtuar dhe krijuar.

Ai thekson se projektet e mëdha nuk realizohen nga emocionet e çastit, debatet apo intrigat, por nga këmbëngulja, sinqeriteti, puna dhe besimi afatgjatë.

Mobi Casa

Një nga pjesët më të fuqishme të reflektimit të tij lidhet me kohën, të cilën Pacolli e quan “gjykatësi më i drejtë”.

Sipas tij, koha nuk ndikohet nga zhurmat, interesat apo propagandat, por vendos secilin aty ku e ka vendin.

Ai shkruan se me kalimin e viteve harrohen debatet dhe fjalët, ndërsa mbeten vetëm veprat dhe gjurma që secili lë pas vetes.

Në fund, Pacolli prek edhe plagët që mund të lënë “pseudomiqtë”, njerëzit që dikur e admironin dhe krenoheshin me suksesin e tij, por që më vonë, për interesa të vogla, janë kthyer kundër tij. Megjithatë, ai beson se as këto plagë nuk mund të jenë më të forta se puna dhe veprat që mbeten pas.

Mesazhi i Behgjet Pacollit vjen si një thirrje për maturi, përkushtim dhe besim në vlera afatgjata, duke rikujtuar se në fund të çdo rrugëtimi, historia nuk i mban mend zhurmat dhe intrigat, por njerëzit që kanë ndërtuar dhe kanë lënë gjurmë reale në shoqëri./rajonipress/