RCCOLA

Revolucioni i femrave në Ballkan

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Të trimëruara nga BE-ja dhe të ndikuara nga lidhjet më të ngushta me Perëndimin, janë gjithnjë e më shumë femrat ato, të cilat po ndërhyjnë për të ndryshuar mënyrat e vjetra të të bërit biznes në Ballkanin e dominuar nga meshkujt. Disa i shohin femrat si më pak nacionaliste dhe më shumë të harmonizuara me nevojat e epokës së re: diplomaci, konsensus dhe kompromis.

Femrat në Ballkan po kryesojnë një revolucion politik. Pasi që historikisht kanë pasur shumë pak për të thënë në politikat e këtij rajoni konservator, ato gjithnjë e më shumë po mbulojnë funksionet më të larta të kryesimit, duke sinjalizuar se rregullat tradicionale po ndryshojnë, në momentin kur shtetet e Ballkanit po shkëputën nga e kaluara e tyre e luftërave dhe po lëvizin drejtë anëtarësimit në BE.

Gjatë viteve të 90-ta të përgjakshme, shumë njerëz në Ballkan u kthyen kah udhëheqësit luftarakë, shumica prej tyre meshkuj nacionalistë, për të cilët menduan se do t’i mbrojnë nga konfliktet etnike që rrafshuan qytetet dhe lanë pas me qindra mijëra të vdekur. Mijëvjeçari i ri solli kriza në forma tjera: telashe ekonomike, nivel të lartë të papunësisë dhe korrupsion brejtës politik.

Të trimëruara nga BE-ja dhe të ndikuara nga lidhjet më të ngushta me Perëndimin, janë gjithnjë e më shumë femrat ato, të cilat po ndërhyjnë për të ndryshuar mënyrat e vjetra të të bërit biznes në Ballkanin e dominuar nga meshkujt. Disa i shohin femrat si më pak nacionaliste dhe më shumë të harmonizuara me nevojat e epokës së re: diplomaci, konsensus dhe kompromis.

“Përkundër gjithë respektit, femrat gjithmonë kanë qenë më të suksesshme se meshkujt”, thotë Dushka Latonovic, një infermiere nga pjesa e Bosnjës e kontrolluar nga serbët.

“Femrat janë më të ndjeshme, më të fuqishme, më emocionale dhe në këto kohë të vështira, njerëzit kanë më shumë nevojë për një zemër”, shton ajo.

Edhe përkundër faktit se standardet e barazisë gjinore ende janë larg atyre ekzistuese në demokracitë perëndimore, Kosova tejet patriarkale dhe mini-shteti serb i pasluftës në Bosnjës që të dyja kanë instaluar femra në funksionet e tyre më të larta. Serbia dhe Mali i Zi të dominuara nga meshkujt kanë miratuar ligje, për të shtuar numrin e femrave në pozitat udhëheqëse, në kuadër të përpjekjeve për të bindur BE-në se e kanë vendin në union.

“Fuqia e femrave në politikë është fuqi e butë”, thotë Atifete Jahjaga, presidentja e Kosovës. “Është ky një ndryshim pozitiv që po bëjnë shteti ynë dhe shtetet tjera në rajon, duke iu ofruar mundësi femrave”, shton ajo.

Fytyra më e re politike është ekspertja karizmatike 43 vjeçare e financave, Alenka Bratushek, kryeministrja e parë në historinë e Sllovenisë. Përderisa Sllovenia tradicionalisht ka qenë më e përparuar se pjesa tjetër e Ballkanit, zgjedhja e Bratusekut javën e kaluar ishte domethënëse, ngase erdhi në momentin e rrëmujës së thellë financiare dhe politike në këtë shtet të vogël alpin.

Si yll në ngritje në mesin e politikanëve veteranë në Slloveni, Bratusekut ju dha besimi që të konsolidojë ekonominë e vendit dhe të rivendosë besimin në institucionet shtetërore, të cilat janë tronditur keq si pasojë e krizës më të gjerë financiare në BE.

“Është me rëndësi që kjo po ndodh në një moment të ndjeshëm, në një periudhë të krizës”, thotë sociologia Milica Gaber Antic. “Është kjo një porosi e fuqishme për femrat tjera:’Ne femrat mund ta bëjmë këtë’”.

Shumë udhëheqëse femra tashmë po lavdërohen për faktin se kanë udhëhequr vendet e tyre nëpër stuhi.

Ish-kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, mori përsipër kryesimin në rrëmujë, pasi që paraardhësi i saj, Ivo Sanader, u detyrua të jap dorëheqje në vitin 2009, si pasojë e një skandali të korrupsionit dhe më pas ajo përshpejtoi negociatat e vendit të saj për anëtarësim me BE-në.

Uji Dea

Në Kosovë, në vitin 2011-ku pjesëtarëve të Parlamentit para ca kohësh ju shpërndanë fletore shënimesh me fjalë të urta, në mesin e të cilave ishte edhe “Heshtja është thesari i vetëm, të cilin e posedon femra”, Jahjaga pak e njohur u zgjodh presidentja e parë e vendit, në kuadër të një kompromisi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, me të cilit ju dha fund grindjeve mes grupeve politike, të dominuara nga ish-luftëtarët kryengritës dhe udhëheqësve të dyshimtë të bizneseve.

Javën e kaluar, në mini-shtetin serb në Bosnje, një politikane tjetër e panjohur femër, Zeljka Cvijanovic, u propozua si kryesuese e re e qeverisë, pas dorëheqjes së kabinetit paraprak. Kjo do ta bënte atë femrën e parë që do ta kryesonte qeverinë.

“Si femër shpresoj që ti jap një dimension të ri institucioneve të Republikës Serbe”, theksoi ajo në një intervistë.

Femrat përbënin në vitin 1990 vetëm 1.6 për qind të anëtarëve të Parlamentit të Serbisë, niveli ky më i ulët në Evropë. Por pas përmbysjes nga pushteti të Slobodan Miloshevicit në vitin 2000 dhe përpjekjeve të vendit për tu anëtarësuar në BE, proporcioni i femrave në parlament u ngrit në 20 për qind.

Por nuk kemi gjithmonë të njëjtin rrëfim në gjithë rajonin. Gjatë regjimit komunist, që pasoi pas Luftës së Dytë Botërore, autoritetet promovuan përfshirjen e femrave në politikë, në kuadër të agjendës komuniste për barazi gjinore. Atëbotë femrat shërbyen në funksionet më të larta qeveritare dhe atyre ju garantoheshin të drejta të barabarta, punësim, paga dhe edukim.

Bullgaria, për shembull, në vitet e 70-ta kishte përqindje më të lartë të femrave të punësuara në botë dhe të femrave në funksionet më të larta, përfshirë këtu zëvendëspresidenten, kryetaren e parlamentit, katër ministra femra dhe prefektin në kryeqytet, Sofje.

Por, zakonet e vjetra vdesin vështirë. Ministrja e Kosovës për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku pranon se “është pothuajse e pamundur që unë për një moment të vetëm të harrojë që jam femër.

“Ma kanë përkujtuar këtë për çdo ditë prej se jam bërë ministre”, thotë ajo.

Ajo thotë se të jesh femër, në politikën e dominuar nga meshkujt, “është një gjë e vështirë”.

“Pikë së pari, të pyesin a je e martuar? Çfarë mendon babai yt për faktin se udhëton vetëm, e rrethuar nga të gjitha anët nga meshkujt. Mendoj, të gjitha këto stereotipe. Ekzistojnë disa obligime të caktuara, të cilat një femër duhet ti përmbushë, me qëllim që të jetë e “kompletuar””, thotë Çitaku.

Dhe në Slloveni, pak kohë pasi që Bratusek u konfirmua nga parlamenti, rivalet e saj theksuan se “mandati i saj do të jetë po aq i gjatë sa edhe fundi i saj”.

Bratusek u përgjigj thjeshtë: ”Do të dëshiroja që ne femrat të mos gjykohemi më vetëm në bazë të gjatësisë së fundeve tona”. (AP)