Mobi Casa

Recension, Ata janë vetë historia

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ajete Zogaj – Në zhvillimet e ngjarjeve historike, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë, një rol të veçantë kishin edhe gazetarët dhe raportimet e tyre nga zonat e luftës. Ndër ta është edhe gazetari dhe autori i këtij libri, Jusuf Bytyçi i cili po sjellë para lexuesit librin “Jasharajt – simbol unikat i vetëflijimit” botuar në kuadër të 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe marsit legjendar.

Jusuf M. Bytyçi “Jasharajt – simbol unikat i vetëflijimit” botoi “Lena” Prishtinë, 2018

Hyrje
Në shkrime të ndryshme teorike për gazetarinë dhe rolin e gazetarit në etapa të ndryshme kohore thuhet se, ‘ nganjëherë gazetaria përcaktohet si praktikim i artit të së veçantës. Madje, gazetarët në kërkim të lajmeve janë guximtarë, shumë kurajoz në vërtetimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve kohore, deri te rrezikimi i jetës së tyre në shumë raste, për ta thënë e pasqyruar të vërtetën.

Në zhvillimet e ngjarjeve historike, përfshirë edhe luftën e fundit në Kosovë, një rol të veçantë kishin edhe gazetarët dhe raportimet e tyre nga zonat e luftës.
Ndër ta është edhe gazetari dhe autori i këtij libri, Jusuf Bytyçi i cili po sjellë para lexuesit librin “Jasharajt – simbol unikat i vetëflijimit” botuar në kuadër të 20 vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe marsit legjendar.

Struktura e librit

Në historinë e përbotshme, janë të rralla rastet kur një familje e tërë flijohet për liri, bëhet gurë themel lirie, siç është familja legjendare e Adem Jasharit!
Një familje para së cilës do të përulemi me respektin e përjetësishëm!

Ngase, tradita, historia, dashuria ndaj atdheut, fillon nga familja, si bërthamë e parë e organizmit shoqëror. Nga këto parime, dhe me këto parime, e edukojë familjen tij edhe bacë Shabani, kryefamiljari i familjes Jashari, i cili bashkë me familjen e tij luftoi fytafyt në mbrojtjen e familjes, pragut të shtëpisë dhe atdheut të robëruar… për t’u kthyer në meteor që ndritë qiellin e Kosovës, edhe në netët pa dritë e pa hënë, që sikur thërret nga varri për bashkim e unitet, ta bëjmë Kosovën ashtu siç donin ATA!

Një ravijëzim i kësaj historie, i kësaj lavdie të përbotshme, është dhënë edhe në faqet e këtij libri, si dëshmi e kohës se liria nuk fitohet pa gjak e sakrifica.

Librit i paraprinë parathënia nga publicisti Skënder Zogaj, për të vazhduar me shkrimin “ Përjetimi i paralajmërimit të epopesë në Prekaz”.

Në libër janë pasqyruar fakte, rrëfime nga dëshmitarët (pjesë e së cilëve është edhe vet autori), faksimile nga shtypi ditor, intervista me të mbijetuar, deklarata e vlerësime të personaliteteve vendore e ndërkombëtare për sakrificën sublime të kësaj familje për liri dhe pavarësi.

Libri është i ndarë në pesë kapituj, kurse që në hyrje të librit, autori përshkruan gjenealogjinë e familjes Jashari, duke e lidhur me historinë e lavdishme të Drenicës së Hasan Prishtinës, Azem Bejtës e Shotë Galicës, Ahmet Delisë e Tahir Mehës, në varrimin e të cilëve siç thotë autori, ‘Shaban M. Jashari me të bijtë Hamzën dhe Ademin ishin betuar mbi varret e dëshmorëve, Tahir e Nebih Meha se do të vazhdojnë luftën për çlirimin dhe bashkimin e kombit”.

Uji Dea

Autori Jusuf Bytyçi përdorë shumë të dhëna nga dëshmitarë të kohës dhe ngjarjeve që lidhen me familjen Jashari, rezistencën e parë të kësaj familjeje në dhjetor të vitit 1991 me ç’rast kjo familje heroike u përball me forcat serbe në mëngjesin e 30 dhjetorin e ’91-tës duke u rezistuar forcave gjakatare me armë në dorë.

Pas këtij sulmi, autori rikujton vizitën e bërë në familjen Jasharaj bashkë me disa veprimtarë e aktivistë nga Malisheva në kullën e Shaban Jasharit, për t’u solidarizuar me qëndresën e tyre. Autori potencon në libër se që nga ajo datë, Prekazi dhe e gjithë Drenica ishin në shënjestër të forcave serbe.

Në kapitujt tjerë të librit, është pasqyruar dalja në skenë e UÇK-së me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci nga Llausha me 28 nëntor 1997, për të vazhduar me rrethimin e dytë të kullës së Jasharajve më 22 janar 1998, ku bacë Shaban Jashari duke pritur miqtë, gjithnjë sipas autorit u thoshte “se nuk kanë ku shkojnë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut” (faqe 34).

Madje, komandanti legjendar Adem Jashari e kishte dhënë një besë ‘se nuk do të dorëzohej kurrë deri në vdekje”, dhe vërtetë ai nuk u dorëzua as në sulmin e 22 janar të vitit 1998 as në sulmin e datës 5 mars 1998 ku Jasharajt u sulmuan nga të gjitha anët me mjetet të shumta luftarake të makinerisë serbe. Një ushtri e tërë kundër një familje legjendare!

Ja se si shprehet autori në libër “Mëngjesi i asaj dite të acartë marsi, bashkë me krismat dhe zjarret e topave, po derdhte mbi Prekaz edhe tërë llahtarinë e barbarisë serbe. ‘Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, se sa Kosova ime” kishte thënë komandanti. Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë Ne, se sa Atdheu” kishin thënë të gjithë Jasharajt e familjes në kullën e tyre Qëndresë” (Faqe. 36).

Sipas autorit, në Prekaz po bëhej historia, Kështjella e Jasharajve po bëhej muranë e lirisë”!
Është mjaftë emocionuese edhe episodi i rënies heroike të familjes Jasharaj në mbrojte të pragut të shtëpisë, të atdheut e të lirisë…Në altarin e lirisë ranë duke kënduar për mëmëdhenë kryefamiljari Shaban Jashari, gra, burra e fëmijë…
Pjesë e rëndësishme e librit, është edhe ceremonia e varrimit të Jasharajve, një episod mjaft e dhimbshme por edhe krenare.

Autori i këtij libri, potencon se, tanimë edhe fëmijët kishin vrarë frikën. Rënia heroike e familjes Jasharaj, ngjalli te secili vrullin e luftës për liri.

Ajo që vlen të përmendet në shënimet e shumta faktografike të këtij libri është edhe solidarizimi që ishte bërë në atë kohë me familjen Jasharaj qoftë pas sulmit të parë dhe të dytë nga përfaqësuesit e aktivistët e Malishevës, qoftë edhe me pjesëmarrjen ne varrimin e tyre, ku me një rast profesor Cana kishte thënë: “Lum Drenica që ka kojshi të mirë Malishevën”(fq. 57).

Në libër gjithashtu, janë dhënë edhe shumë të dhëna e dëshmi që e bëjnë edhe më të plotë këtë libër, për t’ia sjellë lexuesi si dëshmi të një periudhe të lavdishme të historisë më të re të Kosovës…

Përfundim
Për Jasharajt dhe rënien e tyre heroike, u shkrua e u fol shumë…U thuren vargje e u kënduan këngë…. do të shkruhen e do të këndohen këngë ndër breza….SEPSE,
ATA, janë vetë historia,
ATA, janë vetë lavdia
ATA, janë kënga e burrërisë e trimërisë ndër shekuj…
ATA, janë frymëzimi dhe udhërrëfimi ynë, udhërrëfim i gjeneratave të reja se si duhet e punohet për ATDHE, me parimin Atdheu mbi të gjitha!

Me sakrificën e të gjithë atyre që u bënë gurë-themel i atdheut, frymon Kosova e lirë…ATA ranë për të mos vdekur kurrë!/rajonipress/