RCCOLA

Qyteti që po përpiqet të ringjallet

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Shtatëmbëdhjetë vjet pas vrasjes më të keqe masive në Evropë që nga lufta e dytë botërore, qyteti i vogël i Srebrenicës ka filluar të përjetojë një përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike.

Tendosjet etnike në Srebrenicë, në Bosnje dhe Hercegovinë, po shërohen ngadalë. Qyteti, që ishte skena e vrasjes masive më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, po nis ngadalë të kapërcejë tmerrin që gjatë 17 viteve që nga masakra.

Boshnjaku mysliman, Almir Salihovic, 28 vjeç dhe e fejuara e tij serbe nga Kroacia, Dushica Rendulic, kanë në plan të martohen majin tjetër. Kjo do të jetë martesa e parë e një çifti të përzier në Srebrenicë, që nga masakra e vitit 1995.

Çifti, që u takua në maj të vitit 2010, në një treg lokal në Tuzël, ku Rendulic po vizitonte gjyshen e saj, u vendos në Srebrenicë në nëntor të po atij viti.

Marrëdhënia e tyre ka prekur shumë zemra. Një agjenci gjermane për ndihma i ndërtoi çiftit një shtëpi me një dhomë më parë këtë vit.

“Ne ndërtuam për ata që janë në nevojë një shtëpi të thjeshtë dhe të hijshme. Janë tri kritere që ne përdorim për të përcaktuar nevojën. Ne ndjejmë se ka një nevojë të madhe për të ndihmuar njerëzit të rindërtojnë jetët e tyre dhe të kenë vende të thjeshta e të hijshme për të jetuar. Ne shpresojmë se kjo në afat të gjatë do të kontribuojë për prosperitetin e vendit, e gjitha nis nga shtëpia”, tha Katerina Bezcagina, zëdhënëse e agjencisë.

Përpara masakrës së korrikut të vitit 1995 të më shumë se 8.000 burrave e djemve boshnjakë, martesat ndër-etnike llogariteshin se arrinin 33 për qind të martesave në qytet.

“Dashuria mposht gjithçka. Jam e bindur se Almir dhe unë mund të kemi një të ardhme të ndritur me fëmijët tanë këtu në Srebrenicë”, tha Rendulic. “Unë besoj se gjërat do të ndryshojnë dhe se martesat shumë-etnike do të jenë gjë e rëndomtë siç ishte përpara luftës. Unë jam lindur në martesë ndër-etnike, kur situata ishte normale. Gjashtë xhaxhallarë të Almirit janë vrarë në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995. Por askush nga familja e tij nuk ka inat me mua, për shkakun se jam gjysmë serbe. Ata më pranuan mua siç jam”, shtoi ajo.

RCCOLA

Me gjithë dëshirat e mira, Salihovic thotë se ata hasin ende në disa qëndrime negative.

“Është qesharake. Këta njerëz duhet të vijnë në Srebrenicë për të parë se çdo vit më shumë e më shumë boshnjakë kthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës. Martesat e përziera qenë dhe do të jenë përsëri absolutisht normale në të gjitha komunitetet, të vogla apo të mëdha. Të rinjtë do të bëjnë këtë ndryshim”, tha ai.

Megjithatë, sipas Rendulic, problemi më i madh për çiftin dhe djalin e tyre shtatë-muajsh nuk është përzierja etnike. Problemi i vërtetë, i tha , është fakti se të dy ata janë të papunë në një qytet që e ka normën e papunësisë 50 për qind.

Salihovic punon për të prerë barin për kompanitë dhe të pensionuarit, duke fituar rreth 60 euro në javë. Një shoqatë e bamirësisë shpërndan miell, sheqer dhe vaj gatimi çdo dy muaj për familjen.

“Ne na dhanë 10 dele dhe kemi 14 pula tani”, tha Rendulic në një intervistë me Toronto Star . “Ne jemi të varfër, por të lumtur. Askush nga familjet tona nuk ka ndonjë problem me ne që martohemi.”

Këmbëngulja e Salihovic dhe Rendulic për të kapërcyer ndarjet etnike është vetëm një shembull i të rinjve në Srebrenicë, që përpiqen të lënë mënjanë krimet e luftës dhe të shkojnë përpara drejt së ardhmes.

“Ne po përpiqemi të bëjmë shoqëri në të cilën gjithkush duhet të kujdeset rreth komunitetit lokal, pavarësisht nga kombësia”, thotë Cedomir Glavas, president i organizatës së rinisë Odiseu.

“Ne, të rinjtë në Srebrenicë, nuk mund të ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen. Mjaft njerëz këtu flasin se nuk duan të jenë me serbët, por ata kanë miq midis tyre. Gjërat po ndryshojnë ngadalë, por sigurt”, theksoi Salihovic.