RCCOLA

Qeveria ka luajtur me qytetarët

/ 9 minuta lexim
Mobi Casa

“Duhet të shohim nëse ne i kemi kryer detyrat tona, e pastaj të dalim tek akuzat ndaj të tjerëve, mbi të gjitha të shfryjmë kundër lajmësit. Zonja Lunaçek në këtë rast ishte lajmësja, e cila na tregoi një të vërtetë, që liberalizimi i vizave nuk është afër. Ajo i bëri qytetarët e Kosovës të kuptojnë se qeveria aktuale kishte luajtur me ta”, ka thënë Lama.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alma Lama, ka kërkuar që të mos sulmohet eurodeputetja Ulrike Lunaçek, e cila ditë më parë tregoi se për kosovarët nuk ka liberalizim të vizave gjatë këtij viti. Sipas saj, fajtori kryesor për mungesën e liberalizimit është Qeveria e Kosovës.

“Me këtë deklaratë zonja Lunaçek ia ka hequr mundësinë partisë në pushtet që sërish të bëjë fushatë me këtë çështje, meqë kemi hyrë në një vit elektoral. Tani meqë jemi te kjo çështje, duhet të themi se çfarë Kosova nuk përmbushi”, ka thënë Lama.

Sipas saj, vizat do të liberalizohen vetëm kur të vijë një qeveri më e përgjegjshme. Tek ka komentuar premtimet e kryeministrit Thaçi se vizat do të liberalizohen për 15 muaj të mandatit të tij, Lama ka thënë se mënyra e pabazë e premtimeve elektorale të Thaçit tashmë është kuptuar nga qytetarët.

Tribuna: Si e vlerësoni deklarimin e fundit të eurodeputetes Lunaçek se Kosovës mund të mos i hiqen vizat deri më 2016?
Lama: Natyrisht nuk është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës. Në fakt është një lajm i keq, por çështja është se sa ne si shtet kemi kontribuar që të na vijë një lajm i tillë. Unë personalisht jam e prirë që përpara se të kritikoj të tjerët, të shoh se a jam vetë në rregull. Edhe në këtë rast do të doja që të mbizotëronte kjo logjikë. Pra të shohim nëse ne i kemi kryer detyrat tona, e pastaj të dalim tek akuzat ndaj të tjerëve, mbi të gjitha të shfryjmë kundër lajmësit. Zonja Lunaçek në këtë rast ishte lajmësja, e cila na tregoi një të vërtetë, që liberalizimi i vizave nuk është afër. Ajo i bëri qytetarët e Kosovës të kuptojnë se qeveria aktuale kishte luajtur me ta, kishte bërë propagandë elektorale dhe premtimet e tyre ishin vetëm për të fituar vota. Tani me këtë deklaratë zonja Lunaçek ia ka hequr mundësinë partisë në pushtet që sërish të bëjë fushatë me këtë çështje, meqë kemi hyrë në një vit elektoral. Tani meqë jemi te kjo çështje, duhet të themi se çfarë Kosova nuk përmbushi. Së pari, procesi i ri-pranimit të personave të riatdhesuar mbetet shumë problematik. Institucionet kanë dështuar t’u sigurojnë kushtet më minimale këtyre personave. Së dyti, dhe më kryesorja, përditë janë të mbushur lajmet me shqiptarë të Kosovës që largohen në mënyrë klandestine nga vendet e BE-së. E ky fenomen vërtetë është pengesë e madhe për liberalizimin, sepse e kuptoni. Vendet e BE-së kanë vënë kusht kthimin e atyre personave që janë atje dhe kanë marrë azil, lërë më të shkojnë të tjerë që të lypin azil. E ne e dimë pse njerëzit po largohen nga Kosova, nga mungesa e perspektivës, papunësisë, rritjes së krimit e korrupsionit. Por këtë e dinë edhe vendet e BE-së, prandaj si duket nuk kanë vullnet për të t’ia mundësuar Kosovës lëvizjen pa viza.

Tribuna: Deklarimet e Lunaçekut e kanë habitur Ministrinë e Integrimeve Evropiane, ndërsa shefja e këtij dikasteri Vlora Çitaku, ka thënë se do të kërkojnë në Bruksel sqarime për vonesat e paralajmëruara?
Lama: Unë them se askush nuk ka nevojë të çuditet, e as të shqetësohet. Gjendjen e shohim të gjithë si është; nuk ka asnjë institucion që funksionon dhe ç’është më e keqja nuk ka aspak vullnet për ta ndryshuar gjendjen. E kuptoj vullnetin pozitiv të zonjës Çitaku, për të punuar në këtë proces, por unë mendoj se ajo përpara se të shkojë e të kërkojë sqarime në Bruksel, duhet t’i kërkojë llogari kolegëve të saj bashkëpartiakë që mbajnë poste ministrore dhe postet më të larta qeverisëse, të cilët nuk po e bëjnë punën si duhet. Sepse kjo i bie që kur “s’ke çfarë i bën gomarit, i bie samarit”. Mos të harrojmë me kryetarë komunash të dënuar me burg që arratisen nga Kosova e ky veprim nuk adhurohet nga vendet e BE-së. Ka vetëm një arsye që ministrja e integrimeve mund të shkojë në Bruksel për të kërkuar sqarime: vetëm nëse liberalizmi i vizave i është premtuar si shpërblim për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.

Eco Higjiena

Tribuna: Kryeministri Hashim Thaçi kishte premtuar më 2010 se vizat hiqen për 15 muaj. A mendoni se duhet bërë fushatë me premtime integruese drejt BE-së?
Lama: Kryeministri Thaçi sa herë ka fushatë, e hap thesin e premtimeve ose të gënjeshtrave. Premton miliona, a thua se njerëzit janë budallenj dhe nuk e dinë se sa është buxheti i Kosovës, premton rritje pagash dhe s’e mban fjalën, e fushatën e kaluar parashikoi edhe muajt se kur Kosova do të lëvizë pa viza. Unë personalisht kam qenë skeptike në vazhdimësi për këto premtime, dhe në çdo prononcime apo intervistë që kam dhënë, e kam theksuar se nuk është mirë të luhet me ndjenjat e qytetarëve. Duhet ta dimë edhe një gjë që nga liberalizimi i vizave kanë përfituar të gjitha vendet e rajonit përreth Kosovës. Krahasuar me procesin e Integrimit që është shumë më i vështirë dhe më i komplikuar. Pra Kosova nuk ka arritur ta kalojë as testin më të lehtë.

Tribuna: A do të kërkoni si Komision Parlamentar shpjegime nga Ministria e Integrimeve Evropiane për këto vonesa në procesin e liberalizimit të vizave?
Lama: Në mbledhjet e ardhshme do të vijë për të raportuar, besoj në fillim të shkurtit. Por siç e thashë, kjo është përgjegjësi më shumë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kjo ministri ka dështuar si fillim me tenderin e pasaportave. Skandali i korrupsionit në këtë tender, i përmendur edhe në raportin e fundit të progresit, i ka hedhur një hije të keqe të gjithë procesit dhe i ka bërë skeptikë vendet e BE-së nëse duhet apo jo të japin dritën e gjelbër për lëvizjen pa viza. Këtë ma kanë thënë edhe disa diplomatë të huaj. Pra edhe një herë po theksoj që të mos e hedhim fajin tonë tjetërkund.
BE-ja, me këto qëndrime është duke kërkuar nga qytetarët e Kosovës që t’i hapin sytë, të zgjohen e të kërkojnë llogari nga të zgjedhurit e tyre. Ajo po flet qartë, nuk ka rrugë të shkurtër për në BE, nuk ka mbajtje me hatër, por ka reforma, standarde dhe përmbushje kriteresh, ky themelor është sundimi i ligjit.

Tribuna: Sipas vlerësimit tuaj, kur do të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës?
Lama: Nuk mund ta them sepse pa shkuar kjo qeveri nuk mund të bëhet asnjë lloj parashikimi. Zgjedhjet e ardhshme do të nxjerrin fituese një qeveri tjetër të kryesuar nga LDK e atëherë mbase mund të flasim për afate kohore. Këtë e mbështes në seriozitetin që do ta shoqërojë qeverisjen. Personalisht do të bëj gjithçka që qytetarët e Kosovës të dalin nga getoja ku i ka futur kjo qeveri e jo vendet e BE-së.

Tribuna: BE-ja ka hyrë në proces të brendshëm zgjedhor. A mendoni se kjo do t’i shkaktojë telashe Kosovës në procesin e MSA-së?
Lama: Nuk mendoj se do ketë telashe edhe pse deri diku mund të ndryshojë struktura e Parlamentit Evropian. Unë nuk pres që të ndryshojë shumë dhe të mos harrojmë që shumica e tyre vijnë nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe janë mbështetëse të kësaj pavarësie. Të mos harrojmë që Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i BE-së që e njeh pavarësinë dhe ka miratuar disa rezoluta ku u bën thirrje vendeve të tjera për ta njohur. Problemi i MSA-së ka të bëjë me modalitetet që po tentohen të gjenden për të tejkaluar pengesat e mosnjohjeve nga 5 vendet e BE-së, që në këtë fazë edhe mund të pranohen por në një fazë të mëvonshme, kurrsesi nuk duhet të pranohet ndonjë lloj anëtarësimi me të drejta jo të plota.

Tribuna: Kur prisni që të hyjë në fuqi marrëveshja e Stabilizim-Asocimit?
Lama: Pritet në pranverë, në rast se nuk do të ketë shtyrje të tjera. Përmbushja e kritereve do ta përcaktojë edhe agjendën e BE-së me Kosovën. Ajo çfarë është e qartë tani, është se integrimi i Kosovës në BE është i kushtëzuar me procesin e dialogut politik me Serbinë. Kjo do të thotë se kushtëzim pas kushtëzimi e pret Kosovën por e keqja është se këto kushtëzime po na kushtëzojnë me rrjedhje të sovranitetit dhe me depërtim apo forcim të rolit të Serbisë brenda Kosovës dhe jo e kundërta. Natyrisht edhe Serbia po i nënshtrohet një procesi kushtëzimi nga ana e BE-së, mirëpo, siç e shihni, ato që Serbia i premton në tavolinë, asnjëherë nuk i mban në terren. Edhe pse ndodhi kjo, tani së fundi psh., nuk ishte pengesë për këtë vend që ta marrë statusin e vendit kandidat dhe të nisë negociata me BE. Është më se e qartë se BE po ndjek politikën e pajtimit historik Kosovë-Serbi, dhe detajet në terren nuk i interesojnë shumë. Por siç thotë populli “djalli fshihet në detaje” dhe unë kam frikë se do të jenë këto detaje që mund të hedhin në erë çfarëdo “ripajtimi historik”.